Që nga tatuazhet në bunker, tek ecja në rrugët e Antikitetit, Shqipëria ofron plot eksperienca unike që ja vlen t’i bëni tuajat. Zbulojini 10 sugjerimet tona përmes kësaj liste:

1. Të shkosh në një bunker ku bëhen tatuazhe

Bunkerët janë një simbol famëkeq i diktaturës komuniste, që sot janë kthyer në një atraksion të vërtetë për turistët. Shumë përpara se vëmendja të kthehej te bunkerët, tatuatori Keq Marku, vendosi të kthejë një të tillë në “shtëpinë” e artit të tij, ku prej vitesh krijon tatuazhe apo pikturon motive ku përplasen të kundërtat, ferri me parajsën, shenjtët me liderët famëkeq të historisë, e mira me të keqen. Nëse gjendeni afër Shkodrës, mos hezitoni t’i bëni një vizitë. Lexoni artikullin tonë të dedikuar për më tepër.

Hyrja në bunkerin e Keq Markut. Foto nga IntoAlbania.

Foto nga IntoAlbania.

2. Të njihesh me simbolet pagane të xhubletës

Xhubleta, kjo veshje që daton që në vitet 2000 para erës sonë, është trashëguar brez pas brezi në Shqipëri, duke bërë që sot të kemi një gjuhë të vërtetë të qendisur në veshje, simbolet e të cilës shpesh janë të vështira për t’u deshifruar.

Nëse doni të njiheni më tepër me xhubletat, apo dhe të shihni nga afër xhubleta 250 vjeçare, mund të vizitoni Fondacionin “Trojet”, ku falë pasionit të Linda Spahiut për etnografinë shqiptare, do ta gjeni veten të përfshirë dhe ju nga veshjet që janë një thesar i vërtetë kulturor për Shqipërinë.

Fondacioni “Trojet”, foto nga IntoAlbania.

3. Të vizitosh një kishë të kthyer xhami brenda një kalaje 2400 vjeçare

Pozicionuar në mes të disa prej qytetërimeve më të mëdha të historisë, Shqipëria është një vend i pasur me histori e monumente kulturore. Disa prej këtyre monumenteve, kanë pësuar një metamorfozë interesante gjatë shekujve.

Një prej tyre është kisha-xhami që ndodhet në Kalanë e Rozafës në Shkodër. Kisha e Shën Stefanit (shek. XIII-XV) gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, u transformua në Xhaminë e Sulltan Mehmet Fatihut (shek. XVI – XIX). Sot, rrënojat e kishë-xhamisë, që u braktis përfundimisht në vitin 1865, shërbejnë si simbol i pasazheve të mëdha historike që kanë ndodhur në Shqipëri.

Rozafa Castle
Kisha e kthyer xhami, foto nga IntoAlbania.

4. Të njihesh me mbishkrimet në Gjirin e Gramës

Sikur të mos mjaftojë një nga plazhet më të bukur të vendit, Gjiri i Gramës ofron dhe më shumë se 1500 mbishkrime në gur të kohëve të ndryshme, që datojnë të paktën nga shekulli i 3-të para Krishtit e deri në fund të shekullit të 19-të. Nuk mungon as fenomeni interesant i mbishkrimeve të periudhës së socializmit të ushtarëve të stacionuar aty.

Mbishkrime në Gjirin e Gramës, foto nga IntoAlbania.

5. Të vështrosh jetën baritore që ndërthuret me qytetet

Nga veriu në jug, jeta baritore është lehtësisht e dallueshme dhe e vizitueshme nga kushdo që ka interes. Ndër fotografitë më interesante që turistët preferojnë të marrin nga Shqipëria, është ajo ku një urë apo rrugë dytësore bllokohet nga delet apo dhitë, tek sa ecin të pashqetësuara dhe tashmë të familjarizuara me aparatet fotografike.

Photo by Alvaro Galvez.

6. Të mësosh iso-polifoninë

Ky art i shpallur nga Unesco në vitin 2005 si trashëgimi gojore dhe shpirtërore e njerëzimit, përfshihet në atraksionet më tërheqëse të popujve në botë. Gjatë verës, veçanërisht në jug të Shqipërisë, do t’ju rastisë patjetër të vizitoni ndonjë festival me pjesëmarrje të ndonjë grupi iso-polifonie, që do t’ju bëjë të dashuroheni me këtë formë krejt unike të të kënduari. Mos hezitoni të pyesni më të vjetrit për të ditur më tepër mbi teknikën e iso-s, pasi askush nuk do ngurojë t’ja u shpjegojë atë. Kështu mund ta gjeni veten duke praktikuar një art të vërtetë, të konsideruar pasuri shqiptare e botërore!

Robert Bisha dhe Kori Iso-Polifonik. Burimi i fotos: albanianews.it.

7. Të vizitosh një kullë ku ngujoheshin e pajtoheshin njerëzit

Kulla e Ngujimit gjendet në Theth dhe njihet si një nga atraksionet turistike kryesore të Thethit, dhe dëshmi e rrallë e të shkuarës së kësaj zone. Kulla i përket familjes Koçeku dhe një nga pasaardhësit e saj, Sokoli është tashmë guida më ideale për t’ju njohur me Kanunin, si dhe funksionet e kullës përgjatë shekujve. Tek sa aty izoloheshin ata që kryenin një akt të rëndë, kulla kryente gjithashtu dhe funksionin e pajtimit, pasi në kohën që i ngujuari qëndronte i izoluar në kullë, pleqtë e fshatit nisnin bisedimet mes familjeve që ishin prekur nga konflikti.

Theth
Kulla e Ngujimit në Theth, foto nga IntoAlbania.

8. Të provosh kadaif me peshk

Kuzhina shqiptare është ridimensionuar tërësisht vitet e fundit, me Lezhën e shpallur de facto si kryeqyteti i kësaj rilindjeje, falë restoranteve të njohur si “Mrizi i Zanave” apo “Rapsodia”. Një prej shefave më në zë të kuzhinës moderne shqiptare është Alfred Marku, i cili me restorantin e tij “Rapsodia”, do t’ju përfshijë në një rrugëtim të vërtetë shijesh, sa tradicionale, aq edhe moderne. Ndër pjatat e tij më të njohura është dhe barbuni me krostë kadaifi dhe krem çokollate, që është kthyer si simbol i artit të Markut, që ja del të krijojë ekuilibër shijesh dhe aty ku ngjan e pamundur.

Barbun me krostë kadaifi dhe krem çokollate. Foto nga IntoAlbania.

9. Të vizitosh rrënojat e një qyteti antik kushtuar dashurisë

Jo një monument apo statujë, por rrënojat e një qyteti të tërë sot vijnë si dëshmi e një historie të vjetër dashurie! Shumë pak e dinë se Pirro i vendosi emrin e gruas së tij qytetit antik të Antigonesë, të themeluar në vitin 295 para Krishtit. Rrënojat e Nimfeut, si dhe kolonat, shëtitorja, banesa me peristil apo objektet e tjera publike, përcjellin më së miri atmosferën e antikitetit, dhe bashkë me natyrën e bukur që rrethon parkun, e bëjnë këtë të fundit një destinacion vërtet romantik që vlen të zbulohet!

Archaeological Park of Antigonea
Parku Arkeologjik i Antigonesë, foto nga IntoAlbania.

10. Të përshkosh Via Egnatian

Nëse gjendesh në Durrës, mund të përshkosh një rrugë që ka qënë në këto anë prej 2000 vitesh, e që njihet dhe si një nga rrugët më të rëndësishme të historisë së njerëzimit. E konsideruar si rruga që bashkonte lindjen dhe perëndimin në antikitet, tashmë të shumta janë dhe turet që ju mundësojnë të përshkoni Via Egnatian në Shqipëri, ashtu si bënin udhëtarët 2000 vjet më parë.

Via Egnatia map.

Nga: IntoAlbania, marrë nga Shkoder.info