10 intervistat e mia me Kadarenë: Gëzuar ditëlindjen gjeni!
Nga Roland Qafoku

Sot gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare, mbush 84 vjeç. Ka qenë fat që në karrierën time si gazetar e kam intervistuar 10 herë. Në pothuajse në të gjitha mediat që kam punuar, Kadare ka qenë pjesë e intervistave të mia: “Koha Jonë”, “Panorama”, “Tirana Observer”, “Ora News”, “Planet tv”, “Channel One”, falë ndihmës bujare siç ka edhe emrin, të mikut tim Bujar Hudhri. Kjo për mua mbetet nga punët më profesionale që kam bërë dhe ne gazetarwt e dimw se çdo tw thotw kur interviston Ismail Kadarenw.

Një pjesë e intervistave janë xhevair i rrallë në arkivin tim sepse janë bashkë me shënimet e tij orgjinale. Asnjë intervistë nuk i ka ngjarë tjetrës. Të gjitha kanë nxjerrë një lajm të fortë që është bërë lajm i parë për të gjithë mediat e tjera që i janë referuar.

Çdo frazë e dalë nga goja e tij ka qenë plot mendim të fortë si askush tjetër. Boshti i intervistave ka qenë i ndryshëm: Letërsia, politika shqiptare, çështja e Kosovës, identiteti kombëtar, etj. Kam shumë fraza që më kanë mbetur në mendje nga bisedat e gjata me të por ajo që më është fiksuar më shumë është: “Kurrë në jetën time nuk i kam bërë keq kujt. Nuk kam spiunuar kurrë një koleg shkrimtar, një poet apo edhe dikë tjetër”. E pra, një gjeni në të shkruar ka qenë i shoqëruar edhe nga një moral që i ka dhënë edhe më shumë vlerë gjenialitetit të tij.

Në historinë e letërsisë Botërore asnjë komb kaq i vogël sa i yni nuk ka nxjerr një shkrimtar kaq të madhe dhe në nivelin e përmasave të Ismail Kadaresë. Sot ai është shkrimtari më i mirë në botë që jeton. Dhe nëse ne shqiptarëve na duhet të rendisim gjërat që duhet t’i mburremi botës, padyshim. produkti ynë 100 për qind me të cilin duhet të krenohemi që në krye në quhet Ismail Kadare.

Ndërsa atyre që e akuzojnë se i ka shërbyer regjimit komunist po i përgjigjem me të njëjtat fjalë të një gazetari francez që e prezantoi në studion e tij për një intervistë: “Ky është Ismail Kadare, shqiptari më i famshëm në botë dhe shkrimtari më i mirë në botë i kohës që jetojmë.

Ai akuzohet në Shqipëri përse nuk vdiq gjatë sistemit komunist”. Çfarë paradoksi! Gëzuar gjeni! Shëndet dhe jetë të gjatë!