Nga Bardha Nergjoni

Korça e liceut francez në 100 vjet e kujton këtë zhvillim arsimor si më të artën pjesë kulture dhe zhvillimi të qytetit të quajtur Parisi i vogël shqiptar.

Liceu Francez do të çelte dyert e tij, më 25 tetor të vitit 1917, pas përpjekjesh të shumta dhe vetëm pak kohë nga shpallja e Korçës Republikë autonome.

Mbas mbylljes së shkollave greke të përhapura në masë në atë periudhë, korçarët do t’i lidhte pazgjidhshmërisht një dashuri speciale për Francën, kryeqendrën e kulturës mbarë botërore.

Mësuesi i parë, oficeri francez, Dekoing

Sipas dëshmive të asaj kohe, mësuesi i parë i liceut të famshëm do të bëhej një ish-oficer i lartë i ushtrisë franceze, shumica e ushtarëve të tij preheshin në tokën e Korçës. Dekoing do të bëhej zyrtarisht mësuesi i parë i huaj për t’u mbështetur nga ish- studentë të universiteteve franceze, korçarë të njohur si: Thoma Avrami, Llambi Gërmenji, Haki Mborja, Gaqo Geco etj,.

Nxënësit e parë të kësaj shkolle që niste nga klasa e pestë deri në klasën e nëntë do të ndienin mungesën e librave shkollorë, pasi të gjitha mësimet kryheshin në gjuhën frënge me përjashtim të gjuhës shqipe, ndërsa, ato do të mbërrinin nga Stambolli me urgjencë drejt Korçës nga tregtarët që kishin lidhje më këtë qytet të madh të ish-Perandorisë Otomane. E veçanta e këtij liceu ishte se të gjithë studentët që përfundonin plotësisht atë, mbas diplomimit kishin të drejtë të hynin në të gjitha universitet franceze me të drejta të plota ashtu, si dhe vetë vendasit. Mbas vitit 1921 ish- liceu i cili kishte konturuar institucionin e tij dhe ishte mirëpritur nga korçarët në tërësi, pavarësisht nga cila shtresë ata ishin, kanë nisur të vijnë dhe profesorët e parë francezë, të cilët u lidhën dhe u dashuruan me këtë qytet të veçantë dhe njëkohësisht të kulturuar në vendin e shqiponjave. Profesorët e parë francezë janë zonja Joinon dhe zoti Roland, ndërsa numri i tyre do të shtohej vazhdimisht nga viti në vit. Sipas të dhënave të dokumentuara të asaj kohe, mësohet se gjatë periudhës 1921-1939 kanë qenë plot 14 profesorë nga Franca që punonin dhe jetonin në Korçë, pa përfshirë drejtuesit teknikë dhe 32 mësuesit shqiptarë. Liceu Francez jetoi për plot 22 vjet, duke i dhënë një tjetër dimension qytetit që e kërkoi dhe e adhuroi përjetësisht kulturën e këtij vendi të zhvilluar në Evropë. Edhe sot pas kaq dekadash, korçarët vazhdojnë të jenë të lidhur me vendin e Balzakut, ndërsa frëngjishtja mbetet gjuha primare e intelektualëve të njohur.

Në këtë lice u regjistruan gjatë gjithë jetës së tij, 700 nxënës, megjithëse jo të gjithë e patën mundësinë ta mbyllnin atë me diplomë, ndërkohë që ishte e para herë në vend, që në të studionin bashkë si vajzat dhe djemtë. Në 22 vjet ekzistencë në këtë lice nga viti 1917-1939 kanë mbaruar plotësisht shkollën 246 nxënës, shumica e të cilëve, pra 200 nxënës kanë mbaruar degën e Filozofisë. Nga ky numër i konsiderueshëm, 117 persona kanë qenë qytetarë korçarë që i përkisnin si pjesës së aristokracisë, ashtu dhe niveleve të tjera të popullsisë, ndërkohë që në këtë shkollë kanë mësuar edhe nxënës nga fshatrat e kësaj treve, por që nuk munguan as arsimdashës të shumtë nga rrethe të ndryshme të vendit. Liceist edhe vëllai i mbretë-reshës Geraldinë Ishin nxënës të liceut edhe dy nipërit e mbretit Zog Hysen dhe Sali Zogu, apo vëllai i mbretëreshës Geraldina, Gyula Apponiy. Ish-liceistët, pjesa më e madhe e të cilëve sot nuk jetojnë më, nuk mund të mos dashuroheshin me letërsinë e mrekullueshme franceze, duke lexuar në gjuhën frënge kryeveprat e të mëdhenjve Balzak, Hygoi, Dyma, La Fontenin.

Në atë kohë të artë të Korçës në libraritë e shumta të saj, mund të porosisje dhe mund të gjeje pa asnjë lloj problemi bashkë me librat e letërsisë franceze edhe gazetat “Le Figaro”, “Paris soir”, “Le Match”etj., pa munguar dhe revistat e njohura të asaj kohe. Bashkë me letërsinë, gjuhën e damave korçarët i shtuan kulturës edhe pianot, të cilat në vitin 1936 u shtuan së tepërmi dhe në familjet e ndryshme korçare numëroheshin 36 të tilla. Në morinë e shumtë të liceistëve do të vinte nga Gjirokastra bashkë me shumë bashkëmoshatarë të tij edhe nxënësi E. Hoxha, i cili do të ndryshonte bashkë me rrjedhën e tij të fatit edhe atë të shqiptarëve, duke u kthyer në udhëheqësin e një regjimi të pashembullt komunist në Evropën Lindore. Kështu, në një moshë fare të re vetëm 12 vjeç, ai u ul në bankat e shkollës, bashkë me dhjetëra bashkëmoshatarë të tij për të mësuar gjuhën frënge siç i thonë në Korçë. Hoxha, ka ardhur në klasën e pestë në Liceun Francez në vitin 1926, për ta mbaruar atë në vitet ’30. Askush nuk mund të mendonte në atë kohë se djaloshi që jetonte vetëm pak metra larg shkollës së tij në afërsi të ish-kinema “Majestik” të merrte drejtimin e shtetit shqiptar, ndërkohë që në këtë qytet, ai do të njihej me idetë komuniste dhe do të bashkohej në lëvizjet e asaj kohe për të marrë një ditë edhe drejtimin e kësaj partie të re që po formohej dhe ingranohej në jetën e shqiptarëve.

Liceu francez

Niste nga klasa e pestë deri në të nëntën

E nisën shkollën 700 nxënës

Mësimet jepeshin në gjuhën frënge

Studentët që përfundonin mund të hynin në të gjitha universitet franceze

Profesorët e parë francezë erdhën pas vitit 1921

Liceu kishte 14 mësues francezë gjatë periudhës 1921-1939. Rreth 32 ishin mësuesit shqiptarë

Liceu Francez jetoi për plot 22 vjet

Kanë mbaruar plotësisht shkollën 246 nxënës nga të cilët 117 persona kanë qenë korçarë

Rreth 200 nxënës kanë mbaruar degën e Filozofisë/konica.al/