Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Nuk kisha menduar të shkruaja sot, pasi edhe zanati ynë është si pllakat tektonike të tërmeteve, që kanë lëvzjet dhe shpërthimet e veta. Çlirohet energji në momente të përshtatshme, ku aplimudat e saj varen nga reagimet e lexuesit. Kolegu dhe miku im i vjetër Adriatik Dosti, në këtë të mërkurë të 29 janarit 2020, postoj në fb shkrimin me titull:” Gëzuar Teuta…..bukuroshja e futbollit shqiptar.” Ky shkrim nën okelion -Një shekull futboll në Durrës.

Mënyra se si është trajtuar shkrimi, është një mrekulli profesionale, një fisnikëri i një publiçisti të njohur me rrënjë në Tiranë, kushtuar historisë 100 vjeçare të futbollit të Durrësit.

Ndër të tjera, veçoj nga ky shkrim një paragraf, që po e perifrazoj pa i lëvizuar qoftë edhe një presje:

“…..Por më mirë e më bukur, më saktë e më me pasion e korrektesë profesionale se sa mund ta bëjë këtë miku e kolegu im i mirë e shumë i hershëm Arkiva e pashtershme e sportit durrsak dhe e qytetarisë durrsake…z.Bujar Qesja …ju siguroj se kërkushi nuk mund ta bëjë dot …po po kërkush …si Bujari…i cili e ka bërë në fakt e po e bën ndër dekada pa thënë kurrë…u lodha…ndaj qyteti i tij duhet ti jetë vërtet mirënjohës……,,

Këto fjalë shprehin një besim, por edhe një realitet. Kjo është një Fletë Nderi, apo Fletë Mirënjohje, që nuk po ma jep as KF Teuta, as Bashkia e qytetit tim të lindjes, as ndonjë organizatë shoqërore, por një koleg dhe një publiçist i njohur nga Miçigani i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk dua të futem në rrjetën e një nëpërkëmbje që i bëhet historisë tonë qytetare sportive, pasi nuk dal dot dhe ne kemi treguar se jemi mjeshtër të kontestimeve, të mendimeve të ndryshme që s’vlejnë për asnjë të vetëm. Mediokrriteti, përpjekjet për të bërë keq punën e tjetrit, idea se gjithçka fillon me “mua”, e kanë lënë futbollin dhe sportet e qytetit tim pa historik, pa një biografi ku koha të shënojë kronologjikisht faqet e pasurimit të saj.

Ju nuk keni gabuar i nderuari dhe i respektuari Adriatik Dosti, teksa vini gishtin tek Bujar Qesja, tek njeriu që falë kulturës që më dha im atë, njëri prej aktivistëve më të thekur të futbollit durrsak Xhafer Qesja, ka afro 50 vite që punon pa reshtur për këtë historik. E kam trajtuar atë, më shumë se të shkruaj për biografinë e familjes time. Por Durrësi im vuan, për dokumentacion të mirfilltë. Nuk është vëndi këtu të etiketoj dhe të vendosë gishtin, ku disa veprimtarë me mjekër dhe të hershëm të futbollit durrsak, si profesori i famshëm dhe nga gjyqtarët e parë ndërkombëtarë shqiptarë të fillimit të viteve 30-të Mit’hat Hoxha dhe veprimtari tjetër me shumë aktivitet historik, drejtuesi i parë dhe arkëtari i Futboll Klub Teuta Stefan Druga, kanë dorëzuar diku dokumenta autentike të krijimit dhe kontributorëve të klubit të futbollit të Durrësit.

Mirë është që këto materiale të na bien në dorë, që sa jemi në këtë jetë dhe sa kemi ende kohë të nisim të zbardhim historinë e futbollt të Durrësit. Mjaft dokumenta kanë humbur apo janë grisur, si pasojë e represioneve të sistemit të vjetër, që duke bërë luftë klasash i detyronte aktivistët më në zë të futbollit, duke përfshirë këtu vëllëzerit e çmuar Telemak dhe Mikel Nushi t’i zhduknin ato, që do të përbënin ajkën e origjinalitetit të fillimeve në rrugë zyrtare, të atij që ju e quani me të drejtë Adritik Dosti :”bukuroshja e futbollit shqiptar”.

Pa dashur të absolutizojë emrin, punën dhe angazhimin tim, ju keni shumë të drejtë që e kaloni topin e historisë në anën time, për të qenë mbase i vetmi që mund ta bëjë dhe ta cys më tej këtë punë kolosale, e cila asnjëherë nuk është bërë e plotë dhe e përmbledhur. Boll të them që jam 50 vite para, një njeriu të dytë nëse mund të krijohet apo ekzistojë. Fillimet e futbollit durrsak, janë në vitin e fundit të luftës së parë botërore, në vitin 1918 dhe në vitin 1919, ku ushtarët austrohungarezë luajtën për herë të parë futboll me porta të vogla, apo siç quhen ndryshe me porta humngareze. Këtyre iu bashkua edhe djelmëria durrsake. Por kjo lëvizje ishte sporadike dhe aspak zyrtare. Në vitin 1922, u krijua shoqata e parë e futbollit me emrin Atdheu që luante vazhdimisht me Agimin e Tiranës. E më tej u pasua me shoqërinë Lulëzimi, për të dalë tek Teuta e njohur e fundit të viteve 20-të dhe fillimit të viteve 30-të, që përkon më pas me fillimin e kampionatit të parë të futbollit në vitin 1930.

Sipas shënimeve të mia, ndeshja e parë miqësore ndërmjet Shoqërisë Sportive Atdheu të Durrësit dhe Shoqërisë Sportive Agimi të Tiranës, është bërë në fushën e Shallvareve me 23 gusht 1922. Takimi u fitua 1-0 nga Agimi. Pas 15 ditësh është zhvilluar transferta, ku durrsakët fituan 3-1. Ekipi i Durrësit luajti me këtë përbërje: Margarit Goga, Spiro Nushi, Thoma Nushi, Idajet Vlora, Nikolla Ekonomi, Vlash Kasapi, Mikel Nushi, Anastas Koxhaj, Telemak Nushi, Spro Kasapi, Foto Margariti.

Dua të veçoj edhe një fakt tjetër, që ia vlen dhe pasuron historinë e futbollit durrsak.

Durrësi mund të krenohet, se është i vetmi ekip që ka luajtur ndeshjen e parë ndërkombëtare jashtë Shqiërisë. Me 7 shtator 1929, ekipi i Sportklub Durrësi humbi me rezultatin 8-0 ndaj ekipit të Barit (Itali) Unione Sportivo Bari. Ekipi i Durrësit aktivizoi në këtë ndeshje: Thoma Nushi, Niko Dovana, Rifat Jakova, Hysen Kusi (Dake), Jorgji Koja, Bexhet Jolldashi, Irfan Gjinali, Karlo Lorenzo, Nimet Tartari, Andrea Tirana, Qazim Dervishi,. Trajner: Anastas Koxhaj. Kryetari i klubit Telemak Nushi. Rekord tjetër është, se për herë të parë një ekip shqiptarësh, ndiqet nga tifozëria e tij. Kanë shkuar atë ditë në bari 25 durrsakë, emrat e të cilëve i kam, për për efekt vëndi nuk po i rreshtoj.

Këto të dhëna të shkurtëra, japin një ide të qartë të historisë së futbollit durrsak. Disa gazetarë, që e trajtojnë veten si historianë të sportit shqiptar, madje duke krijuar ndoshta edhe monopolin për këtë, që nuk gaboj nëse i krahasoj me kryepleqtë e sporteve, e vendosin qëllimisht futbollin e qytetit tim, të këtij qyteti me histori të lashtë, me qytetari e çivilizim të hershëm, pas Lushnjes dhe Fierit, duke testuar nervat e tifozërisë dhe sportëdashësve durrsakë. Këto përpjekje i hedh poshtë me neveri dhe s’kanë gjasa ti qëndrojnë fakteve dhe realiteteve.

Kaq munda i nderuar dhe i respektuari mik i pazëvëndësuar i imi, të bashkuar si kurrë më parë, në bazë të përpjekjeve pa interes që po bëjmë për historinë e sporteve, për të dhënë ndihmesën tona sado modeste në zbulimin dhe përhapjen e vlerave të kësaj linje, pra të futbollit dhe më gjërë.

Të falenderoj publikisht, duke e konsideruar këtë vlerësim tëndin, si kurajo dhe nxitje për t’i shkuar deri në fund, ndërtimit të një historiku të plotë të futbollit durrsak, në meritë të vlerave të çmuara të tij dhe të dëshirës së pakufi të qytetarisë durrsake.

Durrës : 29 janar 2020

Gjatë një transmetimi jashtë Atdheut. Foto çfaqet për herë të parë. 10 gusht 2000, 20 vite të shkuara.. Teuta luan në Vienë ndaj Rapidit vëndas, për turet e Kupave të Europës.|Bulevard News|