Hidrocentrali i Fierzës (dikur quhej Drita e Partisë) është ndërtuar mbi Drin në afërsi të fshatit Fierzë. Filloi të ndërtohej në nëntor 1971 dhe u vu në shfrytëzim më 1978. Ka një digë me gurë, zhavorr dhe bërthamë deltine të lartë 160 m. Diga krijon një rezervuar, (Liqenin e Fierzës) me vëllim 2,7 miliardë metra kub ujë.

Hidrocentrali i Fierzës, më i madhi në vend, sot mbushu 41 vjet , kur në ‘78-ën nisi prodhimin turbina e parë. Ndërtuar me pajisje të ardhura nga Kina, por i konceptuar 100% nga inxhinierët shqiptarë, hidrocentrali që shtrihet mbi lumin Drin ka shërbyer si burim kryesor në prodhimin e energjisë elektrike, madje në disa raste duke furnizuar edhe vendet fqinje. I parafundit ndër hidrocentralet e ndërtuar nga sistemi komunist, Fierza ka një kapacitet prodhimi prej 500 megavat (MW), ndër më të mëdhenjtë në Ballkan (i pari konsiderohet HEC-i i Danubit në Serbi). Me kalimin e viteve gjiganti energjetik ka ndjerë nevojën e ndërhyrjes së shtetit dhe tani në 2008-ën sapo ka përfunduar rehabilitimi i dy turbinave, duke e rikthyer në gjendjen më optimale, madje duke e rritur me 2 për qind kapacitetin e prodhimit energjetik. Po si u ndërtua, cilët ishin inxhinierët që morën pjesë në ngritjen e tij dhe planet e KESH-it në të ardhmen.

Ishte tetori i vitit 1978, kur nisi punën turbina e parë e HEC-it të Fierzës, i ndërtuar me ndihmën e shtetit kinez, i cili në korrik të po atij viti do të shënonte fundin e marrëdhënieve me qeverinë komuniste të Enver Hoxhës. Ish-drejtori i veprave të mëdha energjetike, inxhinieri Niko Naska, kujton se, nisja e punës për prodhimin e energjisë elektrike nga Fierza u bë pikërisht në 70-vjetorin e lindjes së Enver Hoxhës, duke sjellë njëkohësisht dhe dyfishim të prodhimit të energjisë elektrike.

Nuk dihet tamam se sa ka kushtuar ndërtimi i Fierzës, por ajo që dihet me siguri është fakti se pajisjet dhe teknologjia e ardhur nga Kina janë shkëmbyer me mineral kromi, ndërsa të gjithë koston vepra energjetike e ka shlyer pas tre vjet punë (1981). “Të gjitha objektet dhe nënobjektet e kësaj vepre janë projektuar nga inxhinierë shqiptarë dhe janë ndërtuar nga ndërtuesit shqiptarë. Me punën e saj kjo vepër e ka shlyer veten në vitin 1981 (3 vjet punë) dhe që nga ai vit e në vijueshmëri punon për nevojat ekomomike të vendit”, thotë Naska. Për ndërtimin e saj morën pjesë për 7 vite radhazi inxhinierë të njohur të asaj kohe si: Pandi Çezmaxhiu, Nesti Lubonja, Rrahman Hanku, Emin Mysliu, Spiro Pappa, Skender Kosturi, Egon Gjadri,Petrit Radovicka, Farudin Hoxha, Dhimiter Cico, Gezim Struga, etj

Që nga ‘78, kur u vu në punë për herë të parë, HEC-i i Fierzës nuk është përfshirë në procese të mëdha rehabilitimi, jo sepse nuk ishte nevoja, por pas ‘90-ës qeveria shikonte të tjera probleme që po pengonin zhvillimin e vendit. HEC-i i Fierzës është vepra e parafundit energjetike, ndërtuar nga sistemi komunist, por edhe qeveria pluraliste nuk ndërtoi asnjë objekt. Pas ndërtimit të HEC-it të Fierzës, u ndërmor një tjetër projekt, ai i Komanit, i shtrirë mbi lumin Drin.

Pas këtij hidrocentrali, puna nisi për një tjetër vepër energjetike, HEC-i i Banjës, por procesi u ndërpre, për shkak të ndryshimit të regjimit. Këtu mësojmë se po bëhen më shumë se 22 vjet (në vitin 1986 u vu në punë HEC-i i Komanit) që vendit tonë nuk i është shtuar asnjë burim i ri energjetik. Hidrocentralet e vegjël të ndërtuar dhe të dhënë me koncesion në vitet e demokracisë nuk përbëjnë më shumë se 1 për qind të prodhimit total të energjisë elektrike.

Aktualisht vetëm 35 për qind e burimeve ujore shfrytëzohen nga hidrocentralet në vend. Sipas specialistëve, është i domosdoshëm ndërtimi jo vetëm i HEC-ve të mëdha, por edhe 1132 HEC-ve të vegjël e komunalë. Deri në vitin 1988 ishin ndërtuar rreth 83 HEC-e të vegjël. Energjia elektrike e prodhuar nga Fierza transmetohet nëpërmjet linjave të tensionit të lartë Fierzë-Burrel-Elbasan, Fierzë-Koman-Tiranë-Elbasan, Fierzë-Gjakovë etj., së bashku me nënstacionet elektrike përkatëse në Fierzë, Koman, Tiranë, Elbasan etj. /Naishtedikur.info