16 mace jetime! – Tregim nga Ilir Kadia

Ato ishin më të lumturat e maceve deri pesë ditë më parë. Losnin, qeshnin, kërcenin e madje këndonin me mjaullima të ëmbla e nuk dilnin kurrë nga shtëpia! Pse të dilnin?! Asgjë nuk u mungonte atje. Zonja e shtëpisë ishte kujdestarja më e përkushtuar që mund të gjendej!

Ajo vetëm macet kish në jetë dhe ato vetëm të! Frigoriferi ish plot me qumësht e ushqim special për macet dhe shtëpia ish e ngrohtë në dimër dhe e freskët në verë. Macet e kishin kthyer shtëpinë në stadium olimpik e arenë cirku! Ata kërcenin mbi televizor e vareshin në perde, zvarriteshin poshtë divanëve e fshiheshin në garderobë, grushtonin me putra si boksierë e kapeshin belas si mundës të rëndë tërë ditën e ditës.

I vetmi moment i qetë ish koha e tualetit para pasqyrave! Atje me putrat e buta të lëpira me gjuhë kullundrisnin veten gjithë tangërllëk! Gjithshka si në ëndërr deri kur zonja e shtëpisë një mëngjez të ftohtë, fill pas hyrjes të vitit të ri, nuk e hapi frigoriferin tua mbushte tasat me qumësht! Vdiq! Ato nuk dinin si hapej dera e frigoriferit!Urija zu ti grijë!

Një nga një kërcyen nga dritarja dhe drejt tek kazani i plehrave. Atje kish plasmas dhe karton por asnjë pikë qumësht! Fqinjët edhe pikës të fundit të shisheve u hidhnin ujë dhe e pinin vetë! Ahere?! Uria i kujtoi zanatin e parë, gjuetinë e minjve. Minjtë nuk ishin të kohës së shkuar!

Minj të vegjël shtëpish me të cilët më shumë luaje se gjuaje! Ata ishin minj të mëdhenj kanalesh, të rëndë e të fuqishëm gati sa vetë ato. Mirëpo, ah uria! Çfarë nuk të detyron të bësh gërryerja e zorrëve! Dhe tani ato, në pak ditë, i janë kthyer punës së parë!Gjuajnë minj kanalesh.

Gëzofët e bukur megjithatë i mbajnë pastër! Aq pastër sa po të mos dish çfarë ndodhi me to nuk mund të thuash se janë mace jetime.

Foto Ilustruese: Nathalie Jolie