Të gjithë trofetë dhe titujt janë të veçantë në botën e sportit. Të tillë janë edhe titujt e kampionit në futboll, në një veprimtari që zgjat 8 deri në 9 muaj. Tirana është fituese e 24 kampionateve të futbollit në Shqipëri, duke dominuar në Shqipëri, plot 8 tituj më shumë se rivali më i afërt, pavarësisht se sot luan në Kategorinë e Parë, çka ndodhi për herë të parë. Futbolli ka kapriçot e tij, por për Tiranën, ose më saktë 17 Nëntorin e vitit 1966, fitues të titullit kampion, ka diçka të veçantë.

Në një shkrim të posaçëm të revistës “Ylli” të vitit 19966, trajtohet fitorja e 17 Nëntorit me Partizanin, në rezultatin 2-1, ku KF Tirana e sotme u shpall kampion. Dhe gazetari e përshkruan një skuadër luftarake, që kishte një mbrojtje të pakalueshme. Pësoi vetëm 5 gola, fitoi të gjitha ndeshjet, pati vetëm një barazim; Nuk pati asnjë humbje. Jo vetëm kaq, por sipas artikullit, të gjithë lojtarët (veç portierit) bënë gola, edhe ata që u aktivizuan rezervë.

Më poshtë shkrimi i plotë i revistës “Ylli”: Myslym Alla dhe Enver Shehu ishin trajnerët e ekipit. Nëntëdhjetë minuta lojë, rezultati 2-1. Gjyqtari sinjalizon mbarimin e ndeshjes vendimtare “17 Nëntori” – “Partizani” dhe duke filluar po nga ai çast, futbollistët kryeqytetas, ashtu siç parashikohej, bëhen mbajtësit e titullit të lartë “Kampion për sezonin futbollistik 1965-1966.

Kampionët – sa punë dhe sa mund është dashur për ta ngjitur këtë në majë, sa djersë është derdhur, që ne të shikojmë në fushën e blertë të stadiumit lojën e rrjedhëshme, të harmonishme, burrërore e depertonjëse të kampionëve tanë. Kampionët kanë aktivizuar gjatë këtij kampionati kryesisht Tafain, Frashërin, Halilin, Kasmin, A.Memën, O.Memën, Bylykun, Kazinxhinë, Xhakën, Bukovikun, Hykën, Gjokën dhe Ishkën.

Që të 15-të ata, kanë mësuar “abc” e futbollit, si fëmijë dhe të rinj të këtij klubi dhe më vonë janë formuar dhe kalitur si futbollistë të “17 Nëntorit”. Titullin e meritoi skuadra më e mirë e vendit që në krahasim me skuadrat e tjera që u aktivizuan gjatë këtij sezon, zotëroi nivelin më të lartë në lojë me një taktikë elastike e moderne dhe që ishte e mbrujtur me një frymë të shëndoshë luftarake dhe besimi në fitore. Kjo gjë u vu re sidomos gjatë pjesës së dytë të këtij kampionati.

Ecuria fantastike

Skuadra pati 10 fitore dhe një barazim, (asnjë humbje) shënoi 24 gola kundrejt pesë. Eshtë për t’u shënuar mobilizimi i të gjithë lojtarëve, për të arritur në çdo ndeshje fitore (të gjithë lojtarët si mbrojtësat ashtu edhe sulmuesat megjithë rezervat e aktivizuara , me përjashtim të portierit, kanë shënuar gola. Një kontribut në këtë drejtim kanë dhënë dhe tre lojtarët F.Frashëri, S.Halili, A.Mema, të cilët janë quajtur “shpirti i skuadrës” për besimin që ngjallin në ekip për të arritur fitoret.

Gjatë këtij kampionati, ekipi kampion punoi me një unitet të theksuar si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Nuk është e rastit që mbrojtjen e “17 Nëntorit” dhe në ndeshjet ndërkombëtare, shtypi i huaj e ka cilësuar si një nga mbrojtjet më të mira (Kasmi–Halili–Frashëri). Po kështu, sportdashësit admiruan vijën e sulmit e veçanërisht sulmuesin Ishka. Nuk ekzagjerojmë kur themi se ruajtja për të dytin vit e titullit të lartë kampion nga ana e futbollistëve të “17 Nëntorit” është fryt i një pune të shëndoshë me elementin e ri që është bërë një traditë e mirë në këtë klub prej më shumë se 10 vitesh. Le t’u drejtohemi një çast listave e viteve.

Viti 1957

Nisi në shkallë të gjerë përgatitja e bërthamës së skuadrës së ardhshme. Me të rinjtë që kanë si trajner Xh.Demnerin aktivizohen Fatmir Frashëri, Skënder Halili, Pavllo Bukoviku, Tomor Gjoka, Ilir Klini, Osman Mema, Luigj Bytyçi. Midis të rinjve ky ekip në vendin e parë. Një vit më vonë, në vendin e parë midis skuadrave të rezervave dhe pas pak kohe ky gjak i ri futet në skuadrën e parë të “17 Nëntorit”.

Viti 1959 – Puna me të rinjtë

Zgjerohet edhe më shumë. Trajneri përgatit dhe fut në gjirin e skuadrës futbollistë të talentuar si Ali Mema, Niko Xhucka, Bari Ishka, Gëzim Kasmi. Tradita vazhdoi dhe në skuadër shikojmë element të rinj: Skënder Hyka, Josif Kazanxhiu, Bujar Tafaj, të përgatitur prej trajnerit Bulku. Edhe sot që repartet e kampionëve tanë janë mbushur me futbollistë të pjekur, nuk harrohet për asnjë çast përgatitja e brezit të ri.

Kolektivi i trajnerëve të këtij ekipi Xh.Demneri, H.Arbana, O Reci, E.Rada, G.Caushi dhe B.Bulku kanë përgatitur lojtarë të mirë si P.Dhales, D.Hatibi, A.Zajmi, G.Hoxha dhe të tjerë. Të na falë lexonjësi që në këtë shkrim kaq të vogël përmendëm kaq shumë emra dhe data, por mendojmë se çfarëdo shprehje të bukura e të stërholluara që të përdorim, nuk do të mund të paraqisnim me kaq vërtetësi punën e madhe që është bërë dhe po bëhet në këtë klub për ta ngritur edhe më shumë nivelin e futbollit tonë për t’i shtuar lavdinë futbollit shqiptar.

Dëmtimi i Niko Xhaçkës

Në skuadrën tonë kampione, po ashtu si në të gjithë futbollin tonë, janë mishëruar në mënyrë të gjallë tipare te temperamentit dhe karakterit tonë kombëtar. Futbollistët bëjnë një lojë të fortë, të vendosur për të arritur fitoren. Nuk kanë qenë të rralla rastet kur futbollistët i kanë fshehur traumat e tyre prej trajnerit vetëm e vetëm që t’u jepej mundësia të mbrojnë ngjyrat e skuadrës së tyre. Me këtë shpirt sacrifice veproi S.Halili me “Cerno Moren” në Varna, F.Frashëri në Shijak, B.Ishka me “Partizanin”, G.Kasmi në Kavajë etj.

Më ka mbetur në mendje një rast që i ka ndodhur N.Xhaçkës. Nga një hedhje në ajër për topin, Niko pëson një traumë në kokë, infermierët të shqetësuar po mundoheshin t’i pushonin gjakun dhe t’i lidhnin plagën. Në këtë kohë, porta e tij po kalonte rrezik dhe Niko u shkau nga dora infermierëve dhe u fut në fushë ashtu siç ishte, me kokë lidhur. Natyrisht nuk u la dhe as që duhet të lihej të vazhdonte lojën, por vetë gjesti i tij spontan është shumë kuptimplotë për të treguar tiparet burrërore të futbollistëve tanë./Eduart Illnica/Konica.al/.