Emigracioni shqiptar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës daton që para shpalljes së Pavarësisë në 1912.

Megjithatë, pas shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria do të kishte një kuotë të përcaktuar të emigrantëve. Në shkurt të vitit 1917, Kongresi Amerikan do të miratonte “Aktin e Emigracionit” që vendosi rregulla përjashtuese, reduktuese apo favorizuese për vende e etni të ndryshme.

Në periudhën 1921-1924 vendosja e kuotave të emigrimit do të reduktonte në mënyrë drastike emigracionin nga vendet europiane drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë periudhë, kuota e përcaktuar për Shqipërinë ishte 100; një kuotë e barabartë me Greqinë.

Megjithatë, në vitet ‘20 nuk ishin vetëm shqiptarët që kërkonin të shkonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe amerikanë që do të vinin në Shqipëri për qëllime humanitare.

Misionarët e Kryqit të Kuq Amerikan do të ishin prezentë në Shqipëri para vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Ata do të angazhoheshin në Shqipëri për të kapërcyer pasojat e Luftës së Parë Botërore duke ofruar strehim, ushqim, vizita mjekësore e arsimim për popullatën shqiptare.

E prezenca e këtyre misionarëve do të bënte ndër të tjera që edhe në Shqipëri të festohej 4 korriku amerikan, festa e pavarësisë së SHBA-ve.

Në foton e arkivit të Librarisë së Kongresit Amerikan vërehet një grup fëmijësh që parakalon në nderim të festës së Pavarësisë së SHBA-ve.

Manifestime amerikane në Shqipëri. Disa fëmijë të vegjël të Tiranës që marshojnë në nderim të 4 korrikut amerikan.

“Amerikani i lirë” është si një yll që shndrin gjithnjë në vizionin e popujve të Europës që kohët e fundit janë çliruar nga lufta dhe çdo shfaqje e ringjalljes së shpirtit kombëtar e kjo shkon krahas mirënjohjes për miqësinë e atij vendi të madh.

Manifestimet e këtij viti u bënë nga të gjithë fëmijët e shkollave amerikane dhe të Kryqit të Kuq që u ka sjellë kaq shumë bekime në periudhën e tyre të vështirësive dhe shqetësimeve” shkruhet në diçiturën që shoqëron foton.

Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Amerikës do të vendoseshin në vitin 1922, kur në Tiranë do të hapej legata amerikane ndërsa në Uashington do të hapej legata shqiptare, e cila do të suprimohej për një periudhë kohore për t’u ringritur në vitin 1926.

Prezenca amerikanë në Shqipëri do të ishte deri në vitin 1939, ku vendi u pushtua nga Italia.

Gjatë regjimit komunist , dy vendet nuk do të kishin marrëdhënie diplomatike e shkëmbime, të cilat do të rivendoseshin pas rënies së regjimit komunist./scan/