Nga Kastriot Dervishi

Martesa Mbretërore ishte lënë të celebrohej më 27 prill 1938, si datë që korrespondonte me martesën e Skënderbeut me Donikën, në vitin e largët 1451. Ndër të ftuarit kryesorë të dasmës Mbretërore vërehej ministri i Jashtëm italian, Ciano, i dërguari i Viktor Emanuelit III, Duka i Bergamos dhe përfaqësuesit e të gjitha shteteve me seli diplomatike në Tiranë. Në Dasmën Mbretërore çdo prefekturë u përfaqësua me “dasmorët” e vet, me këto emra:

DURRËSI: Kristaq Zaguridha, Ramazan Jella, Kleanthi Mineu, Hajdar Qesja.

DIBRA: Dule Saçeni, Murat Kaloshi, Dine Hoxha, Jusuf Beg Selmani.

BERATI: Kahreman Vrioni, dr. Kallogjeri, Neki Ruli, Vangjel Haxhistasa.

ELBASANI: Qemal Karaosmani, Aleksandër Xhuvani, Shefqet Daiu, dr. Hamdi Sulçebe.

KORÇA: Tefik Panariti, Stavri Ballauri, Nuçi Mborja, Selim Mborja.

SHKODRA: Gjon Çoba, Faslli Ademi, Sulejman Hoti, Gjovalin Koliqi.

KOSOVA: Binak Krasniqi, Destan Sul Elezi, Osman Lita, Xheladin Nushi.

VLORA: av. Josif Kedhi, Kristaq Strati, dr. Qemali, Qerim Gurambardhi.

GJIROKASTRA: Xhemal Xheneti, Aleks Çeçi, Fejzi Selfo, Vangjel Koça.

TIRANA: Rrok Berisha, Xhelo Dibra, dr. Thanas Shundi, Beqir Kallçiu.

Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj, Abedin Nepravishta, në bashkëpunim me Oborrin Mbretëror, organizuan një program dinjitoz të Martesës Mbretërore. Festimet filluan qysh më 25 prill 1938. Në të gjitha ndërtesat qeveritare dhe private u ngritën flamujt kombëtarë dhe ato u stolisën si për festë. Në Mauzeleumin e Nënës Mbretëreshë, u vendosën kurora nga Qeveria, Parlamenti, Komanda e Mbrojtjes Kombëtare, Komanda e Xhandarmërisë, Gruaja Shqiptare, Bashkia e Tiranës, delegacionet e qarqeve, përfaqësuesit e shtypit kombëtar dhe nga Instituti “Nana Mbretëreshë”. Në sheshin “Skënderbej”, para Bashkisë së Tiranës, kryetari i saj, mbajti një fjalim duke i shpallur të hapura festimet, ndërkohë që u dëgjuan edhe breshëritë e 21 të shtënave të topit. Pas kësaj fjale, banda frymore ekzekuton himnin kombëtar e atë mbretëror dhe në vazhdim drejtohet përmes rrugës “Karnarvon”, në Pallatin Mbretëror, në Pallatin e Princeshave, rrugën “28 nëntori”, sheshin “Skënderbej”, Tiranën e re, Pallatin e Gerardinës dhe sërish në sheshin kryesor të Tiranës. 

Familja Mbretërore pagoi shpenzimet e të gjitha çifteve që martoheshin më 27 prill 1938. Në darkë dhe në orën 22.00 në shtëpinë e oficerëve (sot Lidhja e Shkrimtarëve) u dha një pritje nga Komanda e Mbrojtjes Kombëtare. 27 prilli, dita zyrtare e dasmës, u hap me lutje në të gjitha objektet e kultit të Tiranës, ku morën pjesë anëtarë të Qeverisë, Parlamentit, delegacione të qarqeve, paria e aristokracisë e Budapestit dhe Vjenës, etj. Të pranishëm ishin edhe të afërmit e Geraldinës, gjyshja, nëna, vëllezërit Xhula e Gi, motra Silvanë dhe të afërm të tjerë. Në këtë ceremoni, tri motrat e Mbretit Zog dhe tri mikesha të Geraldinës janë paraqitur me vellot e tyre të tejdukshme. Në Pallatin Mbretëror, ceremonia filloi me kurorëzimit e martesës, e shoqëruar me zbrazjen e 101 të shtënave të topit dhe zhurmën e kambanave të objekteve të kultit.

Akti i martesës, u redaktua në dy origjinalë dhe u nënshkrua prej Mbretit, Mbretëreshës, Hiqmet Delvinës (nënkryetar i Parlamentit), Andrea Saatçiut (nga Gjykata e Diktimit), 4 dëshmitarëve – që ishin Princi Abid e Konti Ciano për Mbretin dhe ambasadori hungarez në Shqipëri e një kushërirë e saj për Mbretëreshën.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në oborrin e pallatit, sot sheshi para shkallëve të vjetra të Akademisë së Shkencave (shih foton). Për këtë arsye, ishte bërë një tendë e gjatë e stilosur për të përfituar si sipërfaqe me praninë e shumë të ftuarve.

Pamje nga ceremonia e dasmës dhe vendi ku u zhvillua ajo

Burimi: 55News.al