Shkodra gjatë viteve të pushtimit italian në vitet ’40-të shekullit të shkuar
Shkodra gjatë viteve të pushtimit italian në vitet ’40-të shekullit të shkuar

Nga Armand Plaka

Sot, në TV shohim shpesh jo vetëm të bëhet thirrje nëpër reklama për të blerë polica të sigurimeve të detyrueshme të automjeteve, por kemi hasur shpesh edhe në ankesat apo thirrjet e drejtuesve të kompanive të sigurimeve, mbi domosdoshmërinë e shtimit të gamës së sigurimeve, duke i ndërgjegjësuar qytetarët shqiptarë mbi sigurimin jo vetëm të makinave, por edhe të jetës, shtëpisë, pronës etj.

Ndërkaq, në SHBA, pas përmbytjeve të fundit, u theksua fakti se një përqindje jo e vogël shtetasish në Teksas (konkretisht) i kishin shtëpitë të pasiguruara, çka e rrit barrën e shtetit për t’i dëmshpërblyer, për të mos folur për situatën në vendin tonë në raste të ngjashme, duke e bërë problemin e dëmshpërblimeve, një legjendë më vete që kalon dorazi nga qeveria në qeveri.

Po ashtu, kemi lexuar, parë e dëgjuar edhe raste ekstreme, të denja për rekordet “Guiness”, kur ekscentrizmi dhe pasuritë marramendëse bëjnë që ndonjë zonjë “e çartur”, të sigurojë jo vetëm jetën e pronën, por edhe qenin, macen, gjarprin, koalën, apo dhe thonjtë, flokët, gjoksin e buzët e silikonosura.

Sidoqoftë, nuk m’a kishte marrë mendja se qysh në vitet ‘40 të shekullit të shkuar, shoqëritë e huaja ( më konkretisht, ato italiane që operonin në bashkëpunim me ato shqiptare) të sigurimeve do të gjenin terren deri në Shqipëri për të shitur produktet e tyre me paketë të plotë, në një vend si ky i yni, pikërisht në një kohë vështirësish ekonomike që t’i dikton vetë lufta, e që jo vetëm në atë kohë, vlerësohej masivisht si “një vend i prapambetur agrar” ku normalisht, tradita dhe mentaliteti i kohës do ta bënin këtë mision të pamundur madje edhe për vende shumë më të zhvilluara.

Një reklamë e zakonshme, vendosur në faqet e fundit të njërës prej revistave të përmuajshme letrare-artistike e politike të kohës, në fund të pushtimit italian, është pikërisht ajo që m’a zgjoi tërësisht vëmendjen rreth këtij fenomeni, kur pashë se gama e produkteve që ofroheshin, ishte shumë mbresëlënëse.


Reklama marrë nga revista LEKA, e shkurtit 1943

Nuk e di, nëse këto produkte bliheshin nga shqiptarët, nga sa e kush prej tyre, pasi kjo kërkon një hetim më vete, por fakti se reklama porositej, për të paguhej, do të thotë se ky treg paskësh ekzistuar.

Kjo e shton edhe më shumë listën e paradokseve, e ndoshta edhe të pikëpyetjeve në lidhje me një kohë shumë të afërt të historisë sonë, për të cilën shpesh kemi gjykuar bardhezi, duke i rënë shkurt e thënë prerazi: “koha e luftës” apo “e pushtimit italian”, pa parë në të plot elementë të qenësishëm, të cilët përbëjnë edhe themelet e ekonomisë së tregut, çuditërisht, në një stad shumë të zhvilluar.

Për më shumë shihni reklamën marrë nga revista LEKA, e shkurtit 1943, ku në krye figuron emri i një kompanie të madhe sigurimesh italiane, themeluar në Triesten (në atë kohë, akoma nën Austro-Hungari) e vitit 1838, e që në Shqipëri vinte nëpërmjet aktivitetit tregtar të Vëllezërve Prennushi në Shkodër.

Në reklamë, veç të dhënave shumë të sakta mbi kapacitetet financiare të firmës italiane, shpërndarjen nëpër filiale, numrit të NIPT-it, fondeve të sigurisë dhe statusit juridik të saj, shihen fare qartë edhe produktet që ajo ofronte edhe për tregun shqiptar./njekomb.com/