Nga Admirina PEÇI

Pr, ostitutat dhe fëmijët e rrugës konsideroheshin në vitin 1946 si një kërcënim i moralit publik dhe si një problem që do të gjente zgjidhje vetëm nëse hapeshin “shtëpitë korektonjëse” dhe “shtëpitë e izolimit”. Koçi Xoxe, Ministri i Brendshë i kësaj periudhe e analizon hollësisht gjendjen emergjente të shkaktuar nga këto dy kategori “të rrezikshme”.

Ai propozon hartimin e një ligji të posaçëm që do të t’i çelte rrugë hapjes së institutive të korektimit dhe izolimit për fajtorët e kësaj kategorie (fëmijët nën 18 vjeç dhe prostitutat).

Për ti paraprirë hartimit të këtij ligji Koçi Xoxe shkruan një “raport justifikonjës” ku analizon sipas tij shkaqet që kanë çuan këtë degjenerim dhe masat urgjente që duheshin marrë.

Propozimi i tij gjen përgjigje të shpejtë nga Kuvendi Popullor, i cili pas 9 ditësh e miraton këtë ligj, zbatimin e të cilit, më vonë do ta kishte në dorë vetë Minsitria e Brendshme. Më poshtë i sjellim të plotë të dy këto dokumente (propozimin e Koçi Xoxes dhe dekret ligjin e miratuar nga Kuvendi Popullor me 26 dhjetor 1946.

Raport -justifikonjës
Në konditat e reja shoqërore, krijimi i shtëpive të korektimit dhe t’izolimit, paraqet rëndësi të veçantë; shoqëria jonë trashëgon nga e kaluara e hidhur plot vese që shtrihen në vagabondazh, korrupsion dhe vepra të tjera në kundërshtim me rendin dhe moralin publik.

Për luftimin e çdukjen e këtyre veseve, pushteti i vjetër nuk është preokupuar kurrë ndonjëherë dhe s’mund t’ishte ndryshe, pse klikat antipopullore, që kishin në dorë atë pushtet, jo vetmë që nuk çanin kokën për moralin dhe shëndetin publik, por përkundrazi nxitnin dhe krijonin vet konditat e zhvillimit t’imoralitetit e të degjenerimit ndër masat e gjera të popullit. Sot pushteti popullor, i cili ka marrë si barrë që të fshijë dhe të shërojë rrënjësisht të gjitha sëmundjet e së kaluarës, shtron si problem kryesor luftimin dhe çdukjen e këtyre plagëve shoqërore.

Nga ana tjetër dyke marrë parasysh se ngjarje dhe faje të ndryshme kryehen edhe nga ana e fëmijëve të lënë pas dore nga prindërit ose kujdestarët e tyre ose nga ata që dyke mos patur banesë të caktuar, enden andej këndej dhe merren me vepra imoraliteti, mashtrime, vjedhje, etj, shpesh herë në mënyra të organizuara më së miri, sa vetëm në kohët e fundit ka qenë e mundur të zbulohen nga organet e policisë popullore, lind nevoja e grumbullimit të tyre në shtëpi të posaçme, e edukimit dhe e përmirësimit për t’i kthyer në shoqëri si element të vlefshëm.

Përveç kësaj fëmijët e kësaj kategorie nën 18 vjeç, dyke qenë të moshës më të vegjël, nuk janë dënuar dhe janë deklaruar të pafajshëm nga ana e gjykatave, gjë që i inkurajon dhe në mungesë të shtëpijave të korrektimit i le të lirë në ndjekjen e udhës së kriminalitetit dhe të përhapjes së tij në moshën e re.

Përsa i përket prostitucionit, megjithëse është i ndaluar dhe luftohet sistematikisht, përsëri ekziston, pse shumë femra e kanë bërë profesjon dhe, në një mënyrë ose tjetër vazhdojnë fshehtas udhën e korrupsionit dhe jetës parazitare.

Për t’i prerë hovin prostitucjonit parashikohet krijimi i shtëpive të korektimit dhe izolimit, në të cilat do të grumbullohen të gjitha prostitutat; këtu do të zhvillohet një punë e frytshme edukimi dhe do të krijohen kurse profesionale, në mënyrë që paralelisht me edukimin të krijohet ndjenja e punës dhe e jetës së ndershme.

Projektligja parashikon edhe marrjen e masave administrative (këshillim, largim të detyrueshëm nga vendbanimi i tij) kundër gjithë atyre prindërve ose kujdestarëve që nuk kujdesen për jetën dhe sjelljet e fëmijëve të tyre ose që vet ata i shtyjnë në udhën e korrupsjonit.

Në këto rrethana u përgatit dhe paraqitet projektligja e bashkëlidhur.

Burimi: ShkodraWeb.com