Nga Mark BRUNGA

Plenumi i tetorit i Komitetit Qendror të PKBS-së në vitin 1964 çoi në dorëheqjen e sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PKBS-së dhe Kryetarit të Këshillit të Ministrave të BRSS Nikita Hrushov dhe fundin e periudhës së “shkrirjes së akujve” , ottepel, (1956-1964). Kishte mbërritur një periudhë e gjatë stabilizimi socio-politik, e njohur si “amullia” , zastoj,  (1964-1985).

Në fillim të viteve 60 Bashkimi Sovjetik u përball me vështirësi në rritje, dhe vendimet e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PKBS (që nga viti 1953) dhe Kryetar i Këshillit të Ministrave të BRSS (që nga viti 1958) N. S. Hrushov shkaktuan pakënaqësi si në shtresat e ndryshme të shoqërisë sovjetike ashtu dhe në nivelet më të larta të pushtetit. U përkeqësua situata e furnizimit me ushqime. Në vitin 1962 ka pasur trazira në Novoçerkask. Sulmet e ashpra të Hrushovit ndaj personaliteteve të kulturës provokuan pakënaqësi në qarqet intelektuale. Programi i shkurtimit të armatimeve ngjalli pakënaqësinë e ushtarakëve, veçanërisht në kushtet e përkeqësimit të konfliktit me Kinën, gjë për të cilin krerët partiakë gjithashtu fajësonin Hrushovin. Karakteri i paparashikueshëm dhe “voluntarizmi” i politikës së tij (sidomos grindjet me udhëheqësit komunistë dhe riorganizimet administrative) ngjallën pakënaqësi në emërtesën partiake-shtetërore. Në këto rrethana, rrethi më i afërt i Hrushovit vendosi të largojë Hrushovin nga pushteti.

Hrushovit i pëlqente, mbi të gjitha, të merrte vendime me kokën e vet, shpesh pa u konsultuar me rrethin e tij të ngushtë. Ndërkaq, jo të gjitha këto vendime ishin të menduara mirë dhe të suksesshme. Njeri i rrëmbyer dhe impulsiv, Hrushovi nuk prirej të pranonte kundërshtime, për më tepër edhe kur ishin të kujdesshme dhe të ndrojtura. Ky stil politik u quajt “voluntarizëm”. Forcimi i “voluntarizmit” në politikën e Hrushovit, vrazhdësia e sekretarit të parë në komunikim çoi në izolimin e tij, minuan autoritetin e Hrushovit, si në popull ashtu dhe në udhëheqjen e partisë.

Planet për mënjanimin e Hrushovit u diskutuan që nga pranvera e vitit 1964 në dy grupe  aparatçikësh. I pari – rrethi i sekretarit të KQ dhe pak kohë më parë – të Kryetarit të Presidiumit të Këshillit Suprem L. Brezhnjev. Rrethi i dytë – “komsomolasit”, më të rinj në moshë – Kryetari i Komitetit partiak-shtetëror të Kontrollit A. Shelepin dhe Kryetari i Komitetit të Sigurimit të Shtetit (KGB) V. Semiçastnij (në të kaluarën, të dy udhëhiqnin Bashkimin Komunist të Rinisë të Bashkimit Sovjetik – “Komsomol”). Idenë e shprehur, në biseda private, për rrëzimin e Hrushovit, e mbështesnin zëvendëskryetari i parë i Këshillit të Ministrave A. Kosigin, anëtari i Presidiumit N. Podgornij dhe anëtarë të tjerë të Presidiumit të KQ.

Kundërshtarëve të Hrushovit iu desh të bënin marrëveshje me ministrin e Mbrojtjes mareshalin R. Malinovskij dhe kryeideologun e partisë M. Susllov. Rol kryesor në organizimin e largimit të Hrushovit luajti A. Shelepini. Është vendi të përmendet dhe roli i Brezhnjevit, mbi të cilin binte përgjegjësia kryesore, si në rast suksesi, ashtu edhe në rast dështimi. Secili nga këta njerëz ishte zemëruar për diçka me Hrushovin ose i druheshin karakterit të paparashikueshëm të politikës së tij. Disa figura konservatore nuk mund t’ia falnin Hrushovit demaskimin e Stalinit, i cili për ta si dhe më parë mbetej udhëheqës i madh dhe politikën e të cilit ata e konsideronin të drejtë. Duke shfrytëzuar mundësitë e Komitetit partiak-shtetëror të Kontrollit, Shelepini ushtroi presion mbi anëtarët e lëkundur të KQ-së.

Deri në momentin e fundit mbetej i paqartë pozicioni i të fundmit prej bolshevikëve të vjetër që kishte mbetur në Presidiumin e KQ – A. Mikojan. Ai gëzonte respektin e Hrushovit dhe të të gjithë partisë për përvojën politike. Mikojani ishte kundërshtar i stalinizmit, por “voluntarizmi” i Hrushovit gjithashtu i ngjallte pakënaqësi. Hrushovi u paralajmërua për përgatitjen e largimit të tij nga pushteti. Në veçanti, lidhur me këtë nëpërmjet djalit të Hrushovit, Sergejit, u informua nga Golukovi, ish-shefi i grupit të shoqërimit të kryetarit të Sovjetit Suprem të Republikës Sovjetike Socialiste Federative Ruse (RSSFR) N. Ignatov. Me vendim të Hrushovit Golukovi u takua edhe me Mikojanin, por kjo bisedë nuk pati pasoja.

Kur Hrushovi dhe Mikojani shkuan me pushime në Picunda (Abhazi), Presidiumi i KQ-së u mblodh më 12 tetor dhe vendosi të zhvillojë plenumin e KQ në lidhje me faktin se propozimet e Hrushovit për plenumin e nëntorit të KQ të planifikuar më parë “shkaktojnë shumë probleme”. Ky ishte shkak formal për të thirrur Hrushovin në Moskë. Hrushovi ishte izoluar në Picunda. Pasi kuptoi se pushteti i tij po rrezikohej, Hrushovi mund të shkonte me avion në një nga kryeqytetet e republikave sovjetike dhe të përpiqej të siguronte atje mbështetjen e  aparatçikëve  dhe ushtarakëve besnikë ndaj tij. Por rreziku i përçarjes së partisë me pasoja katastrofike për Bashkimin Sovjetik e ndaloi.

Ai iu nënshtrua Presidiumit të KQ. Më 13-14 tetor 1964 Presidiumi i KQ zhvilloi mbledhjen, në të cilën thirrën Hrushovin. Kolegët e Hrushovit në presidium e dërmuan me kritika. Fillimisht Brezhnjevi e kritikoi Hrushovin për çështje të dorës së dytë, por pastaj sekretarin e parë nisën të akuzonin për të gjitha pikat e politikës së tij. Të gjitha këto pretendime përmblidheshin në faktin se Hrushovi kishte shkelur karakterin kolegjial të udhëheqjes, merrte vendimet më të rëndësishme, dhe jo gjithmonë të suksesshme, pa u konsultuar me shokët. Analizën më të detajuar të politikës së Hrushovit e bëri Shelepini, që parashtroi pretendimet, jo vetëm në plan personal, por politik, duke argumentuar se kursi i Hrushovit, drejtohej kundër interesave të popullit sovjetik.

Ai deklaroi se Hrushovi në shumë aspekte trashëgoi autoritarizmin e Stalinit, ndoqi politikë aventureske, përfshirë krizën e raketave kubane dhe ndryshimet e pamotivuara e të shpeshta në bujqësi. Brezhnjevi, i cili vetë kishte shkruar tezat e fjalimit (ka gjasa, duke mos ua besuar një gjë të tillë kaq të rëndësishme, madje ndihmësve të ngushta), tha: “Nëse Ju, Nikita Sergejeviç, nuk do të vuanit nga vese të tilla si etja për pushtet, vetëmashtrim nga personaliteti juaj, besimi në pagabueshmërinë tuaj, nëse Ju do të kishit të paktën pak modesti, Ju atëherë nuk do të lejonit krijimin e kultit të individit tuaj, kurse Ju, në të kundërtën, bëtë gjithçka që të forconit këtë kult”. Në dekadën pasardhëse “kulti i individit” i Brezhnjevit do të tejkalonte atë që Hrushovi ia lejoi vetes.

14 tetor, zëvendëskryeministri D. Poljanskij shtroi hapur çështjen për shkarkimin e Hrushovit nga të gjitha postet. Ky vendim u miratua. Vetëm Mikojani u shpreh pro lënies së Hrushovit në pushtet, por me kompetenca të kufizuara. Hrushovi u mbrojt me kujdes. Duke ngulur këmbë për korrektësinë e vendimeve të tij, në të njëjtën kohë, ai njohu si të ligjshme një pjese të kritikës dhe shprehu gatishmërinë për ta marrë parasysh. Por tashmë kjo nuk mund të ndryshonte vendimin përfundimtar të “problemit të kuadrit”. Për të shmangur telashe edhe më të mëdha, Hrushovi u detyrua të deklaronte dorëheqjen. Deklarimi u bë në plenumin e 14 tetorit të KQ të PKBS-së.

Ndryshe nga viti 1957, kur Hrushovi arriti t’i kundërvihej shumicës së Presidiumit, shumica e KQ-së, këtë herë anëtarët e Komitetit Qendror ishin “përgatitur” nga kundërshtarët e Hrushovit. Ashtu si në vitin 1957, raportin e mbajti M.A. Susllovi, i cili këtë herë denoncoi Hrushovin. Pa u bërë diskutim, u vendos shkarkimi i tij nga postet dhe zgjedhja e L.I. Brezhnjevit sekretar i parë i KQ të PKBS-së dhe A.N. Kosiginit – Kryetar i Këshillit të Ministrave të BRSS. Hrushovi u dërgua në pension. Vendimi i plenumit, duke iu referuar “parimeve leniniste të udhëheqjes kolektive”, pohonte se Hrushovi krijoi “situatë jonormale”, e cila e bën të vështirë kryerjen e detyrave të tyre nga anëtarët e tjerë të Presidiumit.

Burimi: ShkodraWeb.com