Kanë kaluar 44 vite gati nga ajo ndeshje por për ata që e kanë parë me sytë e tyre, apo të tjerë që e kanë dëgjuar nga rrëfimet e më të mëdhenjve, duket diçka e pamundur. E kemi fjalën për ndeshjen e famshme të basketbollit në mes ekipeve të meshkujve të Vllaznisë dhe Partizanit, luajtur në vitin 1975 në Shkodër.

Ka mbetur në memorien e të gjithëve sepse Vllaznia me tre lojtarë e mbylli ndeshjen me fitore ndaj Partizanit!!! Po, po, me tre lojtarë ekipi shkodran ka fituar përballë pesë lojtarëve të ekipit të kuq.

Duket diçka e pamundur por ja që ka ndodhur kështu. Ka qenë Kupa e zhvilluar në Shkodër me rastin e 50 vjetorit të nisjes së basketbollit në këtë qytet, që mblodhi në pallatin e sportit të tij katër ekipet më të mira të vendit, Vllazninë, Partizanin, Dinamon dhe 17 Nëntorin.

Ndeshjet u zhvilluan me sistem rrethi teksa ditën e parë Dinamo fitoi ndaj Partizanit, më pas Vllaznia ndaj 17 Nëntorit, po ashtu edhe ndaj Dinamos ndërkohë që Partizani mundi 17 Nëntorin dhe ky i fundit u mund edhe nga Dinamo. Në këtë mënyrë, fituesja e kupës do të dilte nga çifti Vllaznia- Partizani.

Sfida mësohet të ketë patur shumë emocione, por njëkohësisht edhe tension. Si rrjedhojë dy arbitrat e ndeshjes kanë dhënë shumë personale, aq sa shtatë minuta para fundit, Vllaznia ka mbetur në fushë vetëm me tre lojtarë:

Ekipi shkodran do të luante në këto minuta pikërisht me basketbollistët Mehdi Bajri, Agim Haliti dhe Rajmond Rasha, të cilë janë në foton e këtij shkrimi te bere menjehere pas kesaj ndeshje dhe fitores se Kupes nga ana e tyre. Trajner i Vllaznisë në atë ndeshje nderkohe ishte Bujar Golemi.

Të përballoje Partizanin e famshëm të asaj kohe vetëm me tre lojtarë, dukej e pamundur për më tepër që kundërshtari i asaj kohe kishte në përbërje emra të tillë të shquar si Mushi, Papavangjeli, Kuqo, Zaçe etj.

Gazeta “Sporti Popullor” e datës 23 shtator 1975 kur shkruante për këtë Kupë, ne fakt e anashkalonte nje fakt te tille. Ne asnje rresht, nuk permendet kjo gje, megjithate ajo ka mbetur ende e fresket tek protagonistet e asaj ndeshje, por edhe tek tifozet shkodrane.

Në ato minuta kur Vllaznia mbeti me 3 lojtarë, ajo udhëhiqte me 12 pikë dhe treshja Bajri- Haliti-

Rasha ka luajtur në mënyrë të përkryer. Për 5 minuta rresht ato kanë luajtur përballë 5 kundërshtarëve, ndërkohë që në dy minutat e fundit të ndeshjes, edhe Partizani ka mbetur me 4 lojtarë ngaqë një tjetër lojtar i tij plotësoi numrin e personaleve.

Vllaznia ia doli ta ruante avantazhin dhe në fund ka fituar me rezultatin 83-75 duke merituar kështu edhe kupën e vënë nga organizatorët. Një fitore që ka entuziasmuar pa masë tifozët shkodranë të pranishëm në pallatin e sportit.

Duke folur në lidhje me këtë ndeshje, njëri nga protagonistët e asaj fitoreje-

Rajmond Rasha e kujton me nostalgji ende edhe sot pas kaq shumë vitesh. “Ende edhe sot e kësaj dite e kujtoj me nostalgji atë ndeshje e cila ka mbetur besoj jo vetëm në memorien time, por të të gjithë shkodranëve. Fituam 3 përballë 5 lojtarëve të Partizanit dhe kuptohet që emocionet ishin të mëdha.

Si ia dolëm? Mehdi Bajri ka bërë një ndeshje të shkëlqyer. I fortë në të dy tabelat, ia ka dalë të zotërojë shumë topa në duelet me kundërshtarët, ndërsa

Agim Haliti i shpejtë depërtonte dhe shënonte. Unë ndërkohë mundohesha të shpërndaja lojën ashtu si duhet dhe për rrjedhojë ia dolëm të fitojmë. Diçka e paharruar që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë dhe nuk ka ndodhur as më prapa në basketbollin shqiptar”.

GJERGJ KOLA/Shkoder.info