Në korrik 1978, grupi folkloristik grek “Kristalis” udhëtoi me autobus drejt Shqipërisë. Gjithë udhëtimi i tyre nga jugu në veri e në kthim shoqërohet nga një ekip shqiptar që e xhiron atë në të gjitha ndalesat e bëra. Sot, kronika në fjalë ruhet në Arkivin Qendror të filmit, si një pikë bashkëpunimi kulturor mes dy vendeve.
Saranda ishte qyteti i parë që i priste, teksa rrugës shiheshin kanali i Butrintit dhe fusha e Vrinës. Pas ndalesës në Butrint te pagëzimorja, shkuan në Gjirokastër ku ansambli dha shfaqje. Ansambli vizitoi muzeun e luftës, dhomën ku lindi Enveri, kalanë e muzeun e armëve.

Një kronikë e kohës që ruhet ne AQSHF, përcjell pamje të përgjithshme të Dropullit, sheshin ku artistët takohen me fshataret dropullite dhe takimin me kryetaren e kooperativës së Grapshit, Krisavgji Zhdallo. Kooperativistet dropullite dhanë shfaqje, grupi i vajzave kërceu ndërsa gratë kënduan derisa autobusi me pjesëtarët e ansamblit grek ju afrua Fierit, e mandej Durrësit ku ata vizituan edhe muzeun me relikte të antikitetit.

Artistët e shtetit fqinj vizituan Shkodrën, uzinën e Telave. Ansamblin grek e priste Sulejman Bushati, kryetar i Komitetit Ekzekutiv te K.P. të rrethit në një takim ku ndodhet dhe sekretari i ambasadës së Greqisë Vasile Simandiraqis. Miqtë përshëndetën me këngën shqiptare “Ti më je si një gonxhe”.
Pas Shkodrës, ansambli grek mbërrin në Laç, Krujë ku njihet me pazarin, viziton kalanë dhe muzeun kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Artistët vizitojnë ekspozitën “Shqipëria sot”, ekspozitën Etnografike dhe jep koncert në Tiranë. Më pas ansambli grek udhëton me autobus drejt Korçës ku vizitojnë ndërmarrjen e prodhimit të qilimave. Artistët ndjekin procesin e punës së tezgjahisteve. Kronika përfshin Janis Parios duke kënduar këngën shqiptare “Trëndelinë” çka pritet me duartrokitje. Ansambli grek kalon në pikën turistike të Pogradecit, Volorekë. Turneu i grupit “Kristalis” i jep fund shfaqjeve dhe kthehet në Greqi. Kronika shoqërohet me pamjet e operatorit Jovan Kondakçi dhe redaktor është Luan Rama.

/GSH.AL