Në vitin 1978 do të miratohej vendim i Këshillit të Ministrave për përdorimin e ujit të pijshëm me një regjim të rreptë kursimi.

Referuar këtij vendimi aparatet lokale duhej të kryenin një studim për nevojat e ndërmarrjeve për ujë dhe të merrnin masa për furnizimin normal të popullsisë. Po ashtu, për ndërmarrjet parashikohej që të përdorej ujë industrial, pra që nuk përdorej për konsumin e popullatës.

Në vitin 1980 ndërmarrjet do të detyroheshin që të zëvendësonin ujin e pijshëm me ujë që vinte nga puset hidrogjeologjike, rezervuaret, puset brenda ndërmarrjeve etj.

Vendimi përcaktonte ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të ujit të pijshëm nga rrjeti i ujësjellësit për ujitjen e kopshteve vetjake dhe për larjen e autoveturave.

Vendimi shoqërohej nga detyrimi për ministrinë e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore që deri në vitin 1980 të prodhonte 40 mijë matës uji që do të vendoseshin në qytete.

Me qëllim kursimin e ujit të pijshëm, vendimi përcaktonte normat e përdorimit të ujit të pijshëm ku për përdoruesit familjarë norma ishte 100 litra në ditë për frymë. Për çdo tejkalim të normave aplikoheshin çmime më të larta e të diferencuara që në thelb synonin të dekurajonin kalimin e normës.

Në funksion të këtij qëllimi, në çdo ndërmarrje komunale të vendit do të krijohej pozicioni i punës së Inspektorit të Posaçëm që kishte të drejtën e ushtrimit të kontrollit për kursimin e ujit të pijshëm në çdo ndërmarrje, institucion, kooperativë apo repart ushtarak.

Kreshnik Kucaj/scan-tv.com