Turma shpirtërash që kalëronin mërinë dhe hakmarrjen, u gjendën përballë ” Malit prej bronzi “, aty, në sheshin “Skëndërbej”!
Aq shumë vite të frikësuar, aq shumë vite të përdorur si kavie në laboratorët e errët të komunizmit. Më në fund u trimëruan!

Dikush hodhi në qafën e bustit të bronztë litarin e urrejtjes! U dëgjuan brohoritje gëzimi, por edhe mosbesimi! Një diktator i vetëkthyer në Perëndi, me litar në qafë?! Kjo dikur as që mund të mendohej! Atëherë, edhe mendimet hetoheshin!
Qindra duar e zemra të pranishme, por edhe mijëra të tjera që nuk ishin atë ditë ftohtë Shkurti, tërhiqnin me hakmarrje atë litar urrejtjeje! – U lëkund, – thirri dikush! Po. U lëkund. Më fund, diktatori i bronztë u lëkund! Atëherë turma e ekzaltuar, mblodhi të gjithë fuqitë e fjetura 50-vjeçare, tërhoqi me zemër!

U dëgjua një zhurmë e madhe, jo vetëm në shesh, jo vetëm në Tiranë, por në gjithë Shqipërinë, në Europë e më tej…
Diktatori RA. Diktatori vdiq për herë të dytë! Këtë herë vdiq prej vërteti, pasi lotët e njerëzve nuk ishin më lot hidhërimi!

Sa shumë pluhur ngriti ai bust i bronztë! Aq shumë sa, edhe pas 28 vitesh, pluhuri i tij ua prish ajrin e pastër shqiptarëve! ”

| Gert Vlashi |