Nga Agim Xhafka

Ka vite e vite që une e thërras gjigand. Kur e dëgjoi atëherë, duke qeshur më tha: “ç’janë këto zmadhime, mor Gim”. Por ja që sot thuajse gjithë kombi e thërret kështu. I tillë është ai në teatër, në film, por edhe në kafe e në shoqëri.

Ata që nuk e njohin mirë po u them se ky burrë simpatik është mjaft i zgjuar. Është edhe hokatar i madh. Pret e përcjell humor herë me buzë në gaz e herë me të qeshura të forta.

Bert Ndrenika ka një jetë krijuese mbushur me mijëra role. Nëse do ishte ushtarak dhe do i jepnin dekoratë për çdo heroizëm, sot duhej të kishte kostumin e dhjetë se nëntë të parat do i kishte dingaz me medalje e me nishane.


Berti të gëzon sa herë e takon. Mbase nuk e ke parë prej vitesh, por ai të trajton sikur dje mbasdite ishe me të në ndonjë shfaqje, ekspozitë a promovim libri.


Për ca vite ne kemi punuar së bashku. Unë kam qënë producenti i tij në mjaft premiera. Dhe kemi pasur një koordinim kaq të sinqertë sa të dy kujtojmë me nostalgji ato mote.


Foto, një kafe me Bertin. U çmalla,por dhe u ndjeva mirë që ai burrë duket rinor, flet djalosharçe dhe qesh e qesh si një fëmijë…

Burimi: Gazeta Shqiptare GSH.AL