Poezi të tjera të zgjedhura nga krijimtaria e shkrimtarit në vite. Botohen në shenjë kujtimi, respekti dhe nderimi me rastin e 2-vjetorit të largimit nga jeta.

Dy poezi të vitit 1988; jo shumë i largët si vit; në prag të këmbimit të sistemeve. Këto dy poezi janë mesa duket të fshehura e të pabotuara. Janë vitet e kritikës së tregimeve Nipi Plangprishës apo Martesa e papritur e Pasho Velçanit (1986).

Lutje natyrës

Natyrë,
Ftomë në gjirin tënd ngaherë,
Merrmë e prishmë prehje e paqe,
Thirrmë në vapë e në shi, në zheg e në erë,
Se s’dua të ble farmacive ilaçe.

Natyrë ,
Hiqmë nga farmacitë një orë e më parë ,
Ndamë nga diagnozat e shtira,
Që na caktojnë ca njerëz të marrë
Me frymë të ndotura dhe të pështira…

Natyrë,
Këto farmaci janë të shpikura në jetë,
Ato në vend të ilaçeve kanë fjalime të paketuara,
Që i pimë për t’u bërë të qetë
Ndaj halleve të trazuara…

Natyrë,

Të lutem, më bëj një të mirë,
Më hiq nga kjo botë, farmaci e pështirë!…

1988

Të lindet fëmija
Të lindet fëmija, pa emrin ia gjejmë brenda një dite!
Po prapë kjo s’është një punë aq e lehtë,
Se emrin njeriut ia vemë ta mbajë me vite,
Se emrin njeriut s’ia ndërrojmë si shkronjēn në letër.

Për nënën emri ka pak rëndësi në çastet e dhimbjes,
Madje dhe mendja tek emri s’i vete,
Mbi nënën ngrihet flaka e lindjes,
Dhe flaka e merr me vete.

Po prapë emri s’është një punë aq e lehtë,
Se vjen pas një flake që del nga zemra dhe hyn në zemër,
Ndaj nëna kërkon që fëmija në jetë
Emër të ketë dhe të bëhet me emër …

1988

***

Mblidhen harabelët”,e 135-a në radhë , mes të shumtave poezi të viteve ‘80 , dorëshkruar në një fletore shkrimi me logon Rilindja-Prishtinë.

Vajza e shkrimtarit mendon se nuk është botuar asnjëherë, “mbetet për ta verifikuar gjithsesi”, pohon Elona Agolli .

Mblidhen harabelët
Mblidhen harabelët vetëm me një cicërimë,
Mblidhen tufë e çepkasin grimëza e fletë,
Pastaj të gjithë largohen e krahët në gjeth fërfërijnë
E çukasin me sqepat e mprehtë.

Si mblidhen harabelët e vegjël pa ftesa?!
Si shkojnë secili pa urdhër në punët e tyre
Dhe s’duan as lajmërime , as shkresa,
Dhe s’kanë nevojë për shefa e përgjegjësa zyre?

Ne, njerëzit , bëjmë mijëra shkresa me vula
Me mijëra firma me shkronja si vemje,
Me mijëra zarfa me numëra e pulla
Dhe prapë mezi na shtyjnë këmbët në mbledhje.

Çudi! harabelët bëjnë në shesh miting menjëherë
Pa shkresa , vetëm me një cicërimë
Dhe janë në mbledhje plot shend e verë,
Ndërsa ne , njerëzit , mërzitur mbledhjeve rrimë.

1985