Liza Vorfi u lind në Gjakovë, më 29 nëntor të vitit 1924, është aktore e njohur shqiptare dhe u nda nga jeta në Tiranë më 30 janar 2011.

Në 1932 familja e saj shpërngulet në Tiranë. Aktivitetin artistik e ka filluar qysh në vitin 1939 si këngëtare në Radio “Tirana”.

Gjatë viteve 1939-1943 vazhdoi studimet në Itali në konservatorin e Romës dhe më pas në Pizaro. Në vitin 1945 ka ardhur në teatër si aktore. Rolin e parë e interpreton në pjesën “Gjido”.

Gjatë karrierës së saj ka zhvilluar mbi 60 role, si: Elmira tek “Tartufi”, Dezdemona tek “Otello”, Dorina tek “Borgjezi fisnik”, Beatriçja tek “Shërbëtori i dy zotnive”, Dona Luçia tek “Karnavalet e Korçës”, Marta tek “Cuca e maleve”, Mara tek “Përmbytja e madhe” etj. Ka interpretuar me sukses edhe në filmin artistik.

Ishte rreth 16 vjeç kur në prag të pushtimit të Shqipërisë nga Italia, këndon për herë të parë në mikrofonin e Radio Tiranës. Edhe këtu si kudo tjetër e shoqëronte i ati. Kujton fare mirë këngën e parë që ka kënduar aty, “Si dukat i vogël je”, një këngë e vjetër  kosovare, që ka ngelur në kujtesën e dëgjuesve të atyre viteve.

Interpretimi i këngës në fakt u pëlqye mjaft nga dëgjuesit dhe kjo gjë bëri që Liza të ketë në repertorin e saj edhe mjaft këngë të tjera shkodrane e kosovare.

Në vitin 1940, Liza fitoi bursë nga shteti për studime në Itali për kanto, fillimisht në konservatorin e Romës, ku fitoi të drejtën për kanto si dhe për balet. Menjëherë më pas, ajo studio edhe për dy vite të tjera në konservatorin “Giaccomo Rossini” në Pesaro, me bursë nga shteti shqiptar.

Me kapitullimin e Italisë, në fund të vitit 1943, i gjithë grupi i studentëve kthehet në Tiranë. “Më telegrafoi im atë që të kthehesha. Shpejtuam të ktheheshim se edhe kishim frikë, ishim dy vajza atje. Jemi kthyer menjëherë me Behije Çelën. Madje lashë librat e mi në Pesaro…”, kujton sot Liza.

Pas kthimit nga Italia, drejtori i Radio Tiranës, Gjergj Bubani, e fton Lizën të punojë në radio, tani me statusin e një këngëtareje profesioniste. “Në Tiranë kam vazhduar të punoj në radio, madje jepnim dhe koncerte në natyrë”, kujton Liza punën e atyre viteve.

Sot nga inçizimet e Lizës në Radio Tirana nuk ka mbetur asgjë, e megjithatë Liza renditet me dinjitet krahas figurave shumë të shquara që interpretuan me profesionalizëm këngën popullore në atë kohë, si Jorgjie Truja, Tefta Tashko Koço, Marie Kraja, etj.

E lindur për t’u bërë aktore

I formuluar në mënyra të ndryshme, ky është konstatimi i shumë njerëzve për karrierën si aktore të Liza Vorfit. Në Romë ajo pat shkuar të studionte kanto, e megjithatë ra në sy.

Portreti i saj i veçantë, timbri i zërit, plastika, forca e brendshme e saj, një vajzë e bukur, e talentuar, me dhunti të spikatura për artin…. Pikërisht këto cilësi, bënë që gjatë studimeve për kanto në Itali, Lizës t’i propozohej angazhimi në Cinecita të Romës, si artiste filmash…

Nuk e kishte menduar asnjëherë, i pëlqente si ide, por duhej të konsultohej me të atin. Por i ati mendonte se Liza duhej më parë të mbaronte studimet e pastaj të vendoste për fatin e saj. Dhe fati ishte dhënë që ajo të bëhej aktore. Me kthimin në atdhe, gjatë angazhimit në Radio Tirana, Liza u bë pjesë e programit “Ora gazmore”.

Në fakt ajo edhe në vitet e luftës u angazhuar në pjesët skenike që jepeshin në godina të ndryshme, si kinema “Nacional”, apo kineteatri “Kosova”. “Doktor pa dashka”, “Fshatari zotni”, “Njeriu që pa vdekjen me sy” dhe pjesë të tjera të vogla u inskenuan nga ata njerëz që më vonë do të ishin themeluesit e Teatrit, si: Mihal Popi, Mihal Stefa, Enver Dauti, Xhevat Serezi, Behjije Çela, Liza Vorfi, etj.

Këto iniciativa përbënin inskenimet e para private në kryeqytet.

Pas çlirimit, në vitin 1945, me krijimin e Teatrit Profesionist të Shtetit, drejtori i teatrit Xhemal Broja e ftoi Lizën të punojë si aktore e parë.

Aktorja

Pa frikë mund të thuhet se Liza është pionierja e parë që vuri gurin themeltar në interpretimin e grave në mbarë kombin. Roli i saj i parë vjen në vitin 1945 me pjesën “Xhido”, vënë në skenë nga regjisori jugosllav Bozha Nikoliç, një personalitet i artit serb të kohës.

Ai, duke parë lojën profesioniste të Lizës do të shprehej asaj kohe: “Je një aktore ndërkombëtare”. Madje ai kërkoi nga Ministria e Kulturës që ta lejonin Lizën të inkuadrohej në Teatrin e Beogradit.

Mirëpo Sejfulla Malëshova, ish- ministër i kulturës i asaj kohe do të kundërshtonte: “Nuk mund ta japim, pasi Liza është aktorja më e mirë që kemi”. Po kështu as babai i Lizës nuk ishte dakort që ajo të aktronte në shtetin fqinj.

Sidomos për arsyen se ai dhe familja e tij ishin larguar nga Kosova, vetëm e vetëm që t’i shpëtonin sundimit serb. Menjëherë pas kësaj, Liza bëhet protagoniste në shumë pjesë të tjera, ku interpreton me sukses në role kryesore si tek “Lidhja e mrekullueshme”, “Mbrëmja e madhe”, “Nën gështenjat e Pragës”, “Portreti”, “Tartufi”, “Çështja ruse”, “Karakteri moskovit”, “Zëri i Amerikës”, etj.

Desdemona që e la pa gjumë

Tashmë e afirmuar si aktore merr përsipër dhe realizon figura të vështira të dramaturgjisë botërore. Pati fatin të sillte e para në skenën shqiptare figura të shquara të artit botëror, si Desdemonën në tragjedinë “Otello”, të Shekspirit. Desdemona e saj mbahet mend si një interpretim virtuoz.

Falë talentit dhe të dhënave aktoriale të veçanta dhe cilësore, ajo i dha teatrit shqiptar, një Desdemonë adoleshente, të ëmbël dhe të padjallëzuar…

Madje në enciklopedinë sovjetike të kohës figurojnë emrat e Loro Kovaçit dhe Liza Vorfit në rolet përkatëse, (Otello- Desdemona), si interpretimi i parë i tragjedisë shekspiriane në Shqipëri. Por ky rol nuk ka qenë i lehtë për t’u realizuar.

“Roli që më ka lodhur më shumë, kujton Liza, ka qenë Desdemona. Kisha vajzën e dytë disa muajshe dhe isha e dobësuar dhe mjaft e lodhur. Kam interpretuar edhe me temperaturë të lartë, pasi pjesa duhej të mbaronte në kohë e s’mund të lija pa punë gjithë trupën e aktorëve”. Regjisori Kricko thoshte shpesh me zë të lartë: “Liza ka lindur bashkë me finesën”.

Rolet

Janë rreth 80-90 role të saj, në skenë dhe në ekran, po që së bashku ndërtojnë një portret fisnik të një artisteje që jo gjithmonë ka marrë atë që meriton. Liza është shquar për një lojë të vërtetë skenike, për një interpretim realist e për figura të goditura artistikisht.

Personazheve ajo u jepte jetë nga jeta e saj, u jepte mirësinë, dashurinë dhe urrejtjen, vështrimin e saj të thellë. Roli i fundit i Lizës është roli i Marës tek “Përmbytja e madhe” e Kolë Jakovës, një ndër rolet më të dashura për të. “Në këtë rol jam ndjerë sikur të isha vetë Mara.

Por më e pabesueshmja ishte kur shkuam në Prishtinë. Spektatorët qanin në sallë, ndërkohë që unë s’përmbahesha në skenë. Më vinte edhe turp, por kur njeriu përpiqet ta përmbajë veten, ndodh edhe më keq: kalon në ekstrem”, kujton Liza.

“Përsa i përket roleve jam e larmishme, vijon ajo. Unë kam luajtur edhe role që nuk kanë fare klasicitet, si përshëmbull nënën e Shkurte Pal Vatës, Marën tek “Përmbytja”, Martën tek “Cuca e maleve”, role që s’kanë asgjë të pqrbashkët me Elmirën e “Tartufit”, apo Desdemonën e Shekspirit.

Janë krejt tjetër gjë. Figurën e malësores dhe të mirditores, aq më tepër e kam për zemër, se edhe unë jam gege, jam e atyre anëve, i njoh mirë. Por  e kam thënë dhe e them se s’dua të vdes pa luajtur nënën kosovare, atë nënë që ka parë fëmijët e vet dhe një sërë fëmijësh të tjerë të helmuar; ka parë djalin, vëllanë, shokun, mikun, të sakatuar e që ka provuar drama të rënda në jetë”.

Edhe në filmin artistik Liza  ka interpretuar me nivel disa figura të arrira, duke filluar nga filmi “Fortuna”, 1959, e deri tek “Kthimi i ushtrisë së vdekur, 1989.

“Teatri më ka tërhequr më shumë se kinematografia, se aty emocionet janë të gjalla dhe publiku ndihet më shumë, ndaj gjithnjë teatri ka qënë në vendin e parë në jetën time. Por, persekutimi i përhershëm s’më lejoi asnjëherë që të vlerësohesha siç duhet”, kujton Liza me dhimbje.

Një jetë e vështirë, por nënë e lumtur

Në vitet e karrierës, ku ka investuar plot vullnet e pasion drejt përsosmërisë së artit të saj, ka kaluar edhe momente tepër të dhimbshme, që e kanë përndjekur gjatë gjithë jetës. “Artiste në skenë, por edhe në jetë. Nikoqire me duar të arta dhe nënë e përsosur.

Liza edhe momentet e vështira i kalonte me dinjitet”, kështu ruhet në kujtesën e Roza Anagnostit, aktorja Liza Vorfi. Vuajtjet e Lizës filluan që kur të fejuarin e saj, Emil Shirokën, e futën në burg në vitin 1947. Ata ishin njohur dhe dashuruar, ndaj Liza kishte vendosur ta priste duke besuar në pafajsinë e tij!

Ndërkohë Liza pushohet nga puna për herë të parë. Pas rreth një viti i shoqi del nga burgu, pa as asnjë motivacion, por i paralizuar dhe i shkatërruar nga sistemi nervor. Megjithë presionet e shumta për ta lënë, pasi ai i përkiste një shtrese tjetër shoqërore (rridhte nga një prej familjeve nga më të vjetrat dhe aristokratike të Shkodrës), ajo vendosi të martohej me të.

Liza ende s’e kish kuptuar se ai nuk do të ishte më njeriu që kishte njohur ajo. Ai doli nga burgu i transformuar, i tjetërsuar, njeri i ashpër, i egër dhe i dhunshëm. Në vitin 1951 jeta e Lizës e lidhur me familjen e të shoqit, do të tronditej përsëri.

Ngjarjet e ambasadës sovjetike (ku u pushaktua Pjerin Guraziu me 22 të tjerë), bënë që Liza të pushohej nga puna për herë të dytë…Si rrjedhojë edhe martesa nuk shkoi gjatë. Pas shtatë vitesh durim dhe përballje me një jetë jo të rregullt, Liza kërkoi divorcin.

Ishte viti 1957 dhe ajo, megjithëse me tre fëmijë të rritur, largohet prej të shoqit dhe shkon tek familja e të atit. Është kjo familje që u kujdes pa pushim për Lizën dhe fëmijët e saj në vite. “Liza ka qenë gjithnjë një grua korrekte në punë, shoqëri e jetë. Me gjithë diferencën e moshës, ajo nuk krijonte distancë, as si aktore, as si grua. E dashur, e dhëmbshur, plot jetë dhe alegri, ajo kishte punë e jo fjalë pa bereqet”, kujton sot Roza Anagnosti.

Megjithëse me një jetë të vështirë, Liza ka qenë shumë e lumtur si nënë. Ajo ka rritur tre fëmijë, fëmijë që kanë ditur t’i bëjnë ballë vështirësive të jetës. Sot vajzat, Tolfi e Emilia, dhe djali Shani, janë martuar dhe kanë fëmijët e tyre. Ndaj Liza ka shumë nipër e mbesa…Që të gjithë ata tregojnë dashuri të madhe për gjyshen e tyre.    

Pengu dhe dekorata

Nëse ka një peng jeta e saj, ai lidhet me profesionin, aktrimin. Ajo kujton se regjisorët në shumicën e rasteve rolet kryesore ia caktonin asaj, por njerëz meskinë e me pushtet, e luftonin, për hir edhe të biografisë. Artistja e madhe kujton me keqardhje kur mori urdhërin për të dalë në pension, rreth moshës 50- vjeçare.

Ajo dhe disa kolegë të saj “u përcollën” në pension, edhe pse asnjëri prej tyre nuk e dëshironte një gjë të tillë. Ajo doli në pension dhe kontributi i saj i madh në teatër u harrua. U harrua që i kishte sjellë aq jetë asaj skene.

Për çudi, në hollin e Teatrit Kombëtar, s’para gjen ndonjë fotografi të personazheve që ajo ka ngritur në skenë, e kjo për aktoren përcjell jo pak keqardhje…”Fotot e mia janë djegur, janë hequr e shkatërruar”, thotë aktorja.

Por fatmirësisht gjithë ky pluhur i harresës nisi të shkundej nga pak, kur para ca kohës, Presidenti e nderoi me urdhërin “Naim Frashëri i Artë”, duke rindezur buzëqeshjen në portretin e aktores ikonë. 

Material i përgatitur nga Faqja Na Ishte Dikur në kujtim të aktores Liza Vorfi. U përdorën materiale edhe nga Revista Shqip, Wikipedia dhe google. Naishtedikur.info – 30 Janar 2020