Ishte mesi i prillit 1979. Mbaj mend atë natë, kisha rastis turn i dytë në minierën e Spaçit, ndihmës zjarmëtar tek ish burgu. Historia e shkollimit më kishte përplas ashpër me “stazhin” 1 vjeçar nëpër galeri miniere, duke anashkaluar mësuesinë për të cilën kisha mesuar katër vite në Tiranë në Pedagogjiken e shenjuar për kryeqytetin shqiptar. Mirëpo në vend të merresha me vocrrakët e fillores për t’u mësuar shkrim, këndim e aritmetikë, më duhej të mbaja në shpinë nga magazina e dinamitit e deri në zonën më të largët të burgut-minierë, arkën e rëndë, mbushur me dinamit e kapsolla. Tre turne e njëjta histori. E më pas fillonte “aventura” tjetër, t’i ngjitesha malores së Spaçit e të zbrisja teposhtës së thiktë për në Shmri-në time, perreth dy orë në këmbë. Shkuarje-ardhje 3-4 orë.

Gazetari dhe Shkrimtari Gjergj Marku

Rënia e tërmetit dhe gjumi im

Atë natë kisha punuar turn i dytë. Duke llogaritur rrugën në këmbë, rreth orës 01.00 të natës të dt 15 prill isha kthyer në shpi për t’u kapluar në gjumin e rëndë për shkak të cfilitjes së ditës më parë. E kështu të nesërmen do të zgjohesha, për të pushuar farë pak orë e sërish me ritualin e ngjitjes së malit të thiktë e të teposhtes tjetër për të mbërrit tek ish-burgu ku më priste sërish arka e dinamitit, furnelet dhe galeritë e gjata.

Kur isha turni i dytë, gjumi zakonisht më dilte nga ora 10 e ditës. Por atë mëngjes prilli 1979, ndodhi një zgjim tjetër, krejt papritur. Flija në një krevat të improvizuar me dërrasa, si të ishte krevat marinari në katin e dytë të shtëpisë sonë të thjeshtë. Duhet të ketë qenë pas orës 7 të mëngjesit (dikund 20 minuta), kur një krismë e rëndë më hodhi poshtë nga krevati me dërrasa për të rënë me gjithë jorgan e rraqe në dërrasat e podit të dytë. Pasi e mora veten ato pak sekonda, e kuptova se dicka e rëndë kishte ndodh. Qe tërmet! Dolëm jashtë, shtëpia kishte marrë të çara të thella, por kishte rezistuar, me sa kuptoj muri i gjërë prej gati 1 metër që nga themeli, nuk e kishte lëshuar të tërën. Edhe pse bëmë kërkesa dhe u verifiku në vend, e vetmja ndihmë qenë dy a tre thasë çimento për të mbyll të çarën e murit të vjetër nga themelet e deri në majë të murit me gëlqere.

Me atë paditurinë time, mendoja se duhej të ishte bërë hataja në minierën e burgut. Ndaj sapo shkova atje, bëra pyetjen naive, me idenë se galeritë duhet të ishin përmbytur. Të parin takova Agronin, një minator i shkëlqyer, ish i burgosur nga Fieri, që e mbaja mik me frikë në zemër, pasi ai më mësoi sekretet e nëntokës si rrallëkush. Spjegimi i tij ishte në nivelin shkencor, ndaj ajo që kisha menduar tek shtëpia fill pas tërmetit, paska qenë budallëk me okë.

Duke mos qenë në “perimetrin e rre, zikut”, në fshatin tim por dhe pothuaj në tërë Mirditën e kaluam shumë më lehtë se atje ku ishte vatra kryesore, pikërisht në Shkodër. Erdhi shtatori, dhe mua sërish, si të ma kishin shënuar ne ditën e lindjes, më nisën për mësuesi në matematikë dhe fizikë pa as dhe një mundësi zgjedhjeje tjetër. Këtë vit, do pranoja, pa patur shteg tjetër. Kësisoj në shtator përfundova në Shkodër. Pikërisht atje ku ishte dhe “zemra” e tërmetit shkatërrues. Mbaj mend Bahçallëkun, ku po ndërtohej i gjithi, po dhe fshatra të tjerë, ndërsa qyteti ishte mbajtur mirë. Mbaj mend se shtatorin nuk e filluam në auditore, por në punë fizike, si kontributorë në zhdukjen e pasojave të tërmetit. Dajçi do të ishte stacioni ynë. Dhjetra shtëpi ishin pothuaj në çati, kur u angazhuam dhe ne studentët rishtarë e të tjerë. Punuam fort në mes qindra vullnetarëve të tjerë të ardhur pothuaj nga e gjithë Shqipëria.
Po sjell një info nga dokumentet e kohës, informacion që për shkak të centralizimit të pushtetit të informimit asokohe, populli mbarë nuk e kishte. Dhe më dukej se flinim ma te qetë!….

Të dhëna nga dokumentat e asaj kohe:

Më 15.4.1979 ora 07.19 një tërmet shumë i fortë me magnitudë 7.25 sipas shkallës Rihter ndodhi 130 km në veriperëndim të Tiranës, me epiqendër në detin Adriatik. Intensiteti i tërmetit në epiqendër ka qenë mbi 9 ballë sipas shkallës MSK-1964. Është ndër tërmetet më të fortë të regjistruar në këtë shekull në territorin e Ballkanit.
Në territorin e vendit tonë, në bregun e lumit Buna intensiteti i tërmetit ka qenë rreth 8 ballë. Tërmeti shk, aktoi 35 të vd, ekur dhe 176 të plagosur në rrethet e Shkodrës dhe të Lezhës. Në këto dy rrethe u shkatërruan 1730 shtëpi banimi dhe u dëmtuan 5115 shtëpi banimi, objekte ekonomike dhe social kulturore. Dëme u shkaktuan edhe në rrethet Krujë, Pukë, Dibër, Tropojë, Mat dhe Mirditë. Lëkundjet e këtij tërmeti u ndjenë në të gjithë territorin e vendit tonë, si dhe në gjithë Jugosllavinë, Greqinë Veriore, në Bullgari, në Itali, në Austri dhe në Gjermaninë jugore. Tërmeti shoqërohet me shumë pas goditje. Deri në orën 21.00 stacioni qendror i Tiranës ka regjistruar 206 pasgoditje, disa nga të cilat kanë patur magnitudë mbi 4.0. Më e forta nga to ndodhi në orën 15.43 me magnitudë rreth 6, sipas shkallës Rihter; lëkundjet e kësaj goditjeje janë ndjerë edhe në Tiranë.

Nga njoftimet e Degëve të Punëve të Brendshme rezulton se në Shkodër veç të vrarëve e të plagosurve janë dëmtuar 80 % e shtëpive të zonës së Velipojës, Bushatit, Barbullushit, në zonën e Dajçit dhe në fshatin Pentarë janë rrënuar krejtësisht 80% e shtëpive. Janë dëmtuar rëndë banesat e pikave kufitare Reç, Pulaj, Rushkull e Pentarë, kurse në efektiv nuk ka asnjë dëm. Në Lezhë ka dalë jashtë përdorimit furra e bukës të qytetit, është dëmtuar depoja e vjetër e ujit të pijshëm të qytetit, rrjeti elektrik dhe ai i ujit, ndërsa në fabrikën e letrës kanë ndërprerë prodhimin dy reparte.
Në Rrëshen ka patur 3 të plagosur, 3 shtëpi të shkatërruara dhe 40 të dëmtuara. Në Krujë është plagosur një person, janë dëmtuar 10 shtëpi dhe është dëmtuar lehtë ura e Matit (qarkullimi vazhdon normalisht). Në Mat janë dëmtuar 26 shtëpi. Në Dibër janë dëmtuar krejtësisht 7 shtëpi, ndërsa të tjera janë dëmtuar pjesërisht (midis tyre 8 objekte social kulturore). Është dëmtuar lehtë godina e p.k. Milninë dhe e pikës në hapjen në Fushë Çidhën.
Kanë ngordhur 5 kokë dhi.

Në Durrës në qytet janë dëmtuar rreth 80 ml mure rrethuese shtëpish, linja telefonike Manzë-Ishëm është ndërprerë, ndërsa në shkollën industriale të ndërmarrjes së peshkimit janë rrëzuar 30 ml mure rrethuese. Në Kukës është plagosur një person dhe janë rrëzuar disa oxhaqe (në Bushtricë), ndërsa në fshatin Arrëz u rrëzua një depo plehu kimik dhe disa oxhaqe. Deri në orën 21.30 datën 16.4.1979 stacioni qendror i Tiranës ka regjistruar gjithsej 513 pasgoditje të tërmetit të datës 15.4.1975.
Pasgoditja më e fortë ra në orën 11.04 me intensitet në qendër 7 ballë MSK-1964, në Shkodër 6 ballë, ndërsa në Tiranë 3 ballë. Nga studimi i shpërndarjes së hapësirës së pasgoditjeve të tërmetit të datës 15.04.1979 rezulton se aktiviteti sizmik zë në zonë thuajse lineare me gjatësi rreth 100 km përgjatë bregdetit Adriatik, rreth 20-30 km larg bregut, nga Ulqini deri në Hercegovinë. Lëkundjet sipas mendimit tonë, do të vazhdojnë dhe për një kohë relativisht të gjatë.

Në Shkodër, kur Enveri më kaloi afër, pothuaj dy metra!…

Ka qenë ditë tetori (19 data), kur pasojat e tërmetit ishin eleminuar. Ishin ndërtuar shtëpi të reja, më së shumti të tipit elbasançe siç quheshin, njëkatëshe, për rreth 100 mijë njerëz të prekur nga tërmeti. Ndërsa më i privilegjuari në arkitekturë ishte Bahcallëku, ku shtëpitë ishin bërë në shumicë dykatëshe, tip vile për kohën, me nga dy e tre hyrje në to. Një zonë e sistemuar, sa kur e shikoja me miq të mij studente, thoja, si nuk na ra tërmeti dhe ne, e të jetonim në këtë lloj “parajse”!
Mitingun e parë Enveri e bëri aty. Ndërkohë ne studentëve na ishte përcaktuar vendi tek qendra përballë ish-bashkisë së sotme. Aty ishte improvizuar edhe podi i mitingut. Kurrë nuk më kishte rënë ta shihja të Madhin e vendit nga afër, veç përmes ekranit të tv dhe në foto nëpër revista e gazeta. Një grup të madh studentësh meshkuj, na kishin caktuar si “vijën e pare” të mitingut, ku duhej të ruanin dhe rregullin për të mos u shtyrë deri në buzë të tribunës.

Mbaj mend duatrokitjet frenetike dhe brohorimat, në castin kur AI, ia kishte bef për në drejtim të tribunës. Instiktisht kthehem nga tribuna, kur m’u dy metra afer, kaloi Enveri. Për të qenë i sinqerte, ato momente më kaluan mornica të forta në gjithë trupin, dhe m’u duk sikur një “fuqi hyjnore” më kishte pushtuar nga hipnoza dhe sygjestioni. Edhe sot e kam të fiksuar me trupin e bëshëm e të gjatë dhe hapat e rëndë, por mbi të gjitha sytë, nuk kisha parë asi sysh-ë, si dy gogla qelqi të stërmëdha, me ngjyrë të blu-jtë drejt kobaltit.
Vite më vonë do kuptoja se ky De, mon i marrosur në vetizolim, kishte një fuqi të mbinatyrshme për të kaluar situatat në dy plane, për të të “cof unit” si popull, por që transmetonte shpresë të diktuar, edhe pse të dhu, nshme, për të të mos “cof” nga kat, astrofat!…

gj.marku

Ne foto, viti 1979 ne Shkoder, me shokun tim te shkolles Shaqirin.