Viti i Ri ishte një nga festat tradicionale që festohej në Shqipërinë e para vitit 1990. Ishte koha kur edhe telefonat ishin të rradh në qarkullim për të shpërndarë urimet. Atëherë nuk kishte celular, rrjete sociale, Whatsapp apo viber për të uruar njëri- tjetrin. “Mjeti” më i përdorur ishte kartolina.

Në mendjet tona janë fiksuar kartolina standarte, ku shihej “Shqipëria socialiste”, gra dhe vajza “të lumtura” apo imazhe të partisë në pushtet e të udhëheqësit të kohës. Në fakt, sot kemi “zbuluar” një grimcë realiteti tjetër, të paktën në pjesën e kartolinave që qarkullonin në Shqipëri në vitin 1973.

Ishte pragndërrimi i viteve- 1972 po i linte vendin 1973, plot 46 vjet më parë. Një baba i uronte ditëlindjen djalit të vet. Ajo që bie në sy është pamja e katolinës, ku duket një nga personazhet e famshme të SHBA-ve “reaksionare” si miushi Xherri (Jerry).

Ai tërheq një karrocë ku është ngarkuar pema e vitit të ri dhe poshtë tyre urimi tradicional “Gëzuar vitin e ri”. Në pjesën e pasme të kartolinës, lexohet N.SH.BOTIME NAIM FRASHËRI TIRANË. Pra, për fëmijët duket se regjimi bënte një përjashtim para 46- viteve, edhe pse çdo gjë amerikane konsiderohej “e mallkuar”.

E për të hyrë pak më në thellësi të kartolinës, i veçantë është edhe urimi në vetvete dhe shkrimi mbi letër. Sidomos sot, kur të gjithë kemi harruar të shkruajmë me lapës, duke përdorur vetëm tastierat e celularëve, laptopëve apo tabletave. E në fund, një pyetje që nuk besojmë se mbajmë mend përgjigjen: Kur e keni dërguar katolinën e fundit…?! /ShkodraWeb/