Kur Uaren Bafet-in e pyetën se cili ishte sekreti i pasurisë dhe suksesit të tij, ai tha se lexonte çdo ditë nga 500 faqe për të qenë preçizë. Për fat të keq, nëse ti punon çdo ditë nga tetë orë, ndoshta nuk e ke kohën për të lexuar kaq shumë përgjatë ditës. E rëndësishme është të lexosh, sado pak, sikur edhe vetëm 10 minuta në ditë, pasi leximi të ndihmon në shumë aspekte të jetës. Nga ana tjetër, edhe në kushtet e ngarkesës në punë apo familje, të problemeve dhe situatave stresuese, tashmë ka libra këshillues me një sërë udhëzime për ta përballuar më mirë rutinën tënde. Pesë prej tyre i kemi listuar në listën e mëposhtme, të cilët padyshim do ta ndryshojnë jetën tënde:

“13 gjërat që njerëzit e fortë mendërish nuk i bëjnë” nga Amy Morin

Nuk mund t’i shmangesh dot fatkeqësive në jetë, por mund ta ndryshosh mënyrën se si u përgjigjesh atyre.
A po përpiqesh t’i kalosh dështimet e tua? A po has në vështirësi, të cilat shkojnë përtej atyre që ti ke në dorë për t’i përballuar? Probleme të tilla kanë një ndikim të madh në jetën tonë të përditshme. Morin ndan me ne terapinë e saj më të suksesshme për t’i kaluar vështirësitë që na shfaqen.

“Si të ndalosh së u shqetësuari dhe të fillosh të jetosh” nga Dale Carnegie

Si do të ndiheshe nëse dikush gjatë mbrëmjes së ditës së dielë, do të thoshte se të hënën në mëngjes do të fusnin në një dhomë torturash? A do të shqetësoheshe? Me shumë mundësi, po. Por duhet të kishte një mënyrë se si t’i menaxhoje shqetësimet e tua. Duke identifikuar burimin e stresit që po përjeton, ti do të kesh mundësi ta largosh edhe stresin nga vetja jote. Carnegie vjen me një formulë të veçantë se si t’i përballoni situatat tuaja stresuese.

“Si do ta masje jetën tënde?” nga Clayton M. Christensen, James Allëorth dhe Karen Dillon

Çfarë mendon se do të bënte të lumtur në punë? Ndoshta një pagesë pak më e lartë, apo njëfarë admirimi më i madh nga kolegët e tu. Ndërkohë që arritjet në karrierë mund të jenë të bukura, lënia pas dore e miqve dhe familjarëve mund të jetë shkatërrimtare për një kohë të gjaë, madje në mënyra që nuk do t’i imagjinoje dot.

“Të gjesh elementin tënd” nga Ken Robinson

Je ndjerë ndonjëherë në presion për të jetuar në një mënyrë të caktuar? Shoqëria jonë shpesh na inkurajon të ndjekim një plan të caktuar linear në jetë. Ne supozohet të mbarojmë gjimnazin në moshën 18 vjeçare, të hyjmë në universitet, të ndjekim një karrierë të caktuar profesionale, të martohemi dhe të kemi fëmijë. Këto norma strikte mund të funksionojnë për disa njerëz, por jo për të gjithë ne. Çdokush ka një pasion. Nëse nuk e di se cili është pasioni yt, atëherë ti thjesht nuk e ke gjetur ende atë, ose e ke gjetur, por nuk je përpjekur ta arrish, pasi nuk shkonte paralel me klishetë e shoqërisë sonë. Gjeje mënyrën se si të dalësh nga rregulla të tilla strikte të shoqërisë dhe ndiq zërin tënd të brendshëm në jetë. Ky libër ka për të ndihmuar për diçka të tillë.

“Inteligjenca emocionale” nga Daniel Goleman

A na bllokojnë ndonjëherë emocionet tona? A do të vepronim më mirë, nëse nuk do të kishim emocione dhe do të ishim thjesht krijesa me logjikë e pa ndjenja? A e dije se kur rrahjet e zemrës i kalojnë 100 në minutë, atëherë ke arritur në një nivel të tillë emocionesh që të pengojnë të mendosh në mënyrë racionale? Ndoshta ti i lejon ndjenjat të të udhëheqin më tepër se sa do të doje. Goleman në këtë libër shpjegon se si mund t’i lësh mënjanë emocionet e tua dhe të marrësh vendime më të mira në jetë.