53 vjet më parë do pushkatohej nga regjimi komunist një prej penave poetike më të talentuara, Trifon Xhagjika; emri i të cilit rri në krah të dyshes Leka/Blloshmi e të Havzi Nelës, si njerëz që e paguan me jetë antikomunizmin e tyre të shprehur në vargje, nganjëherë të fshehur mes rreshtash e nganjëherë qartazi fare, por që sistemi jua kapi me sensorët e tij për t’jua ndalur dorën më pas..edhe frymën.

Mbante titullin kapiten, pasi ishte ushtarak në detyrë. Dhe gjithashtu njihej për një formim intelektual klasi; gjë e cila shpërfaqej në një urrejtje të pashoq ndaj komunizmit.

Për këtë arsye, renditet ndër më kurajozët njerëz kur i është shqiptuar dënimi me vdekje, duke thënë frazën e famshme se “Kundër këtij sistemi do të qëlloja me artileri”.

Ja ç’shkruhet për të në librin memuaristik “Trëndafilat e Përgjakur” më autor Neim Pashën:

Në verën e vitit 1963 e arrestojnë dhe mbas një hetuesie shumë të rëndë, me vendim të nr.5, datë 06.12.1963 të Gjykatës së Lartë, Kolegji Ushatarak mbas akuzës për tradhëti, vepra terroriste, agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, e dënojnë me vdekje, pushkatim, konfiskim të pasurisë, heqjen e të drehtës elektorale për 5 vjet kohë (!!), heqjen e dekoratave dhe gradës kapiten.

Në fjalën e fundit, para trupit gjykues dhe popullit që po e ndiqte me habi dhe indinjatë dënimin e poetit dhe letrarit Trifon Xhagjika, ai shprehet: “Kundër këtij sistemi do të qëlloja me artileri”. Antikomunizmi i tij unikal përfundimisht u firmos ditën kur iu komunikua dënimi me vdekje.

Natën e datës 23, duke u gdhirë dita e 24 dhjetorit 1963, e pushkatojnë. Ishte vetëm 31 vjeç. S’dihet se ku e pushkatuan. Për ironi të fatit, varri i tij nuk dihet akoma.

Ndër krijimet me lapidare të Xhagjikës, prej atyre që e morrën në qafë, ishte dhe “Atdheu lakuriq”, një aludim i kulluar për një Shqipëri që ai e shihte shembshurisht duke lënguar nën komunizëm:

Nuk mundem. Nuk mundem. Nuk mundem.

E pashë atdheun lakuriq, (vetëm pa miq e shokë).

Mundohej të këpuste një degë dafine. Nga lavdi e shekujve.

Atdhen e dija të rritur! Por sa i vogël qenka!

As nëj degë nuk e këpuste dot. E mora për dore. Ta rris në zemrën time.

Vëllezër!

Po e kërkuat Atdheun, e kam unë

Ndihmomëni të qesh, ndihmohmëni të gëzoj!

Atdheu është lakuriq.        

Trifon Xhagjika është dekoruar me medaljen “Martir i Demokracisë” me dekret të ish-presidentit Berisha në vitin 1993. Po ashtu është shpallur dhe “Qytetar Nderi” i Tepelenës, vendit prej nga ishte, me motivacionin si ndër disidentët e parë politikë dhe letrarë të Europës Lindore./Njekomb/