BUZË DETIT
Deti blu
me dallgë shumë,
pulëbardha këtu
ç’do nga unë?

Për guacka erdha,
t’i mbledh një nga një,
të bardha, të verdha,
në çantë do t’i vë.

Mbi tryezën time
do t’i shpërndaj,
do bëj vizatime
me guackat pastaj.

Një lule, një zog
dhe fytyrën e mamit,
një kalë, një maçok
dhe fytyrën e babit.

Krahët i hapa
si në përqafim.
Lashë ndër guacka
nga një premtim

Pulëbardha këtu
ç’do nga unë?
Deti blu,
me dallgë shumë.

Vlorë, 03.11.1999

TOM & JERRY

Tomi dhe Xherri
ç’(ar)miq gazmorë.
Plasi sherri
në oborr.

Vrapon Tomi,
Xherri vrapon,
copërlohet atomi
në emocion.

Dalin nga ekrani,
ku bëhet sikur.
Është dhënë alarmi
të qëndrosh si burrë

Kjo lojë gjithkund
ashtu ne na fton.
Xherr jam unë
e ti je Tom.

Pastaj ti – Visar
e unë – At’jon.
Kupë fitoresh gjithë ar
hëna mbi ballkon.

Së bashku ta lëmë
egoizmin pis.
Tom-Xherr-u-bëmë
të paqes, harmonisë.

HIMN TJETËR, TANI
PËR MARTIRËT
– …që do ia jepja, ashtu si Atjonit, fëmijës më të parë
që do të takoja në rrugë në Shkodër pas meshës së lumturimit… –

A mban kryqi
më shumë se një jetë?
38 martirë,
38…

Ranë mbi baltë,
u ngritëm mbi retë,
38 martirë,
38…

Yje u bënë
pikat e gjakut të nxehtë,
38 martirë,
38…

Kthehen shpirtrat,
i dërgon Qielli vetë.
38 martirë,
38…

Nga ballet e tyre
Goglota zbret,
38 martirë
38…

Nga sytë e tyre
rrjedh agimi i qetë,
38 martirë,
38…

Flatrat e lumturimit
tundin përjetë,
38 martirë,
38…

…fund vjeshte, 2016

LUAJ SA MË SHUMË
Dil, luaj shpesh e më shpesh!
Gola bëj që rrjeta të tundet.
Nëse fitoni, buzëqesh,
por mos u tall me atë që do mundet.

Edhe humbja s’është e keqe,
i jep tjetrit shansin të fitojë.
Rëndësi ka të futesh në ndeshje
që të forcon e do t’emocionojë.

Vazhdo lojën, të tjera, bir,
tenis, shah, shëtitje në park.
Duhet loja, kur është e mirë,
veç jo “kush shurrën hedh më larg”.

Vrapo, vrapo, kaloja vetes,
mos beso se do të merret fryma.
Bëji të gjitha lojat e jetës,
veç mos luani me pështyma.

Të shoh në varkë lumit që rrjedh,
në kanotazh u mëshon lopatave,
teksa qielli nga sipër hedh
vezullime në ngjyrën e patave.

Koha është lumë, – thonë filozofët, –
dhe ti i fatit lundërtar.
Kolonë të bëhesh në mes të shqotës
dhe të digjesh si një far.

Washington, 29.06.2018

RRATHËT DHE NUMRAT
Rrathët në trungjet e pemëve
tregojnë vitet.
Numëroi, numëroi me ëndje
dhe shih si bota rritet.

1, 2, erdhi buzëqeshja e vërtetë,
3,4, u shtuan fjalë të bukura
5,6,7,8…
vite dhe numëra.

Ah, rrathët ashtu nëpër trungje
sa shumë më trishtojnë!
Pse i prenë pemët, gjithë kjo humbje,
blerimet si retë ku shkojnë?

E dua pemën të rritet, të rritet,
të pleksen degët me dëshirat.
S’dua rrathë prerjesh për vitet,
por numra për frutat, me mijëra…

Ç’rrathë hapen të kaltër mbi ujëra
Kur një gur hedhim n’thellësira.
Kështu të hapet, pa urdhra,
Lajmi i mirë dhe vetë e mira.

FLAUTI MAGJIK
Kutia është hapur dhe flauti po pret
frymën tënde që mrekullisht i jep jetë.

Gishtat e tu prej ere ato vrima si plagë
i kthejnë në perla që shkëlqejnë varg.

Pret flauti magjik të ringjallet sërish,
nga yjet të rrjedhin shira melodish.

Flauti qiellor, flauti i tim biri,
flatra zogjsh ngre kaq hijshëm nga hiri.

Petale shumëngjyrëshe shkund sipër nesh,
fluturojnë ndjenjat me kuaj prej resh.

Shshshttt! Qetësi! Një statujë është ngritur,
Flauti nisi vetë që të kumbojë papritur…

Afër mesnatës, 29.06.2018

SORKADHE DRITE
Vendosa të shkoj
te drita më e madhe
që ta ftoj
ja, si një sorkadhe.

A druhet drita?
E ledhatoj me dorë.
Jo më kot prita
te shtegu hyjnor.

Brirë prej rrezesh
te shpella natore.
Pelerina shenjtësh –
mjegulla mbi hone.

Mbi sorkadhe drite,
thashë, do të vij.
Po s’pati mahnitje,
as dhe dashuri,

hiçi shket mbi botë,
në shpirt – zbrazëtira.
Bëhu një pikë lot,
lot që lëshon drita!

TELESKOPI I ATJONIT
Teleskopi im më pret në ballkon,
Sa i heq mbulesën, qiejt m’i afron…

Arusha e Vogël, Arusha e Madhe
Yllësitë varen porsi portokalle.

Ja, Udha e Qumshtit, Kashtë e Kumtrit, ja,
si një klithmë habie një yll se ku ra.

S’mbaron universi, duhet ndërruar lentja!
Luftrat ngjajnë kot, kot edhe urrejtja.

Prapë një meteor ra në dorën time,
Natë misterioze, natë mrekullie!

Por ngrihen avionë, raketa kozmike,
Ëndërr e njeriut, sa larg që ti ike!

Tutje, andej, thellë, ku është përjetësia…
Shpirtrat kthehen prapë, ah, i pret shtëpia!

MOS VALLË KE RËNË
NË DASHURI?
Se ç’të ka kapur një si heshtje,
që duhet të jetë dhe mënçuri.
Të pashë që befas buzëqeshe,
mos vallë ke rënë në dashuri?

Se ç’shkruan dhe menjëherë e fshin
në mur, në derë, por dhe në trup:
Sy të misterit, një shkrepëtimë,
flokë hëne derdhur mbi një sup.

Vazhdimisht bëhesh më i bukur
dhe më i dashur vazhdimisht.
Shenja blu… kush të ka puthur,
jo veç në qafë, por dhe në shpirt.

Po, po, ke rënë në dashuri!
Ah, dashuria s’është rënie,
është ngritje e ylltë, lartësi
në qiejt mahnitës të një ëndrre.

Nga dashuria vijmë në jetë
edhe jetojmë me dashuri.
Fati të jetë si të jetë,
dashuria vetë është përjetësi.