Profesori hyri në klasë dhe mbi tavolinë vendosi një kavanoz të madh.

Me të filluar ora, nga çanta nxori disa gurë të mëdhenj dhe i futi në kavanoz. Kur nuk mbeti më vend në kavanoz, pyeti: “A është mbushur kavanozi?” 

“Po.” u përgjigjën nxënësit që gjendeshin në klasë. 
Pasi mori këtë përgjigje, profesori nxori disa gurë të vegjël, i futi në kavanoz dhe përsëri i pyeti nxënësit: “A u mbush kavanozi?” 
Nxënësit të cilët këtë herë fituan një këndvështrim tjetër të situatës, u përgjigjën: “Jo.” 

Këtë radhë profesori nxori një enë të vogël të mbushur me rërë dhe e hodhi në kavanoz, natyrisht rëra e mbushi pjesën e zbrazët të kavanozit, dhe përsëri pyeti: “A u mbush kavanozi?” 
Të gjithë nxënësit u përgjigjën me një zë: “Po.” 

Atëherë Profesori tha: “Ky kavanoz paraqet jetën tuaj. Copat e mëdha të gurëve janë familja, fëmijët, shëndeti, shokët dhe gjërat tjera të rëndësishme për ju. Gurët e vegjël janë gjërat më pak të rëndësishme për ju si puna, shtëpia dhe makina. Ndërsa rëra simbolizon gjërat e vogla fare. Nëse në kavanoz së pari do të hidhnit rërën, nuk do të mbetej vend për gurët e mëdhenj dhe gurët e vegjël.”

 Pastaj shtroi këtë pyetje që secili duhet t’ia bëjë vetes: “Cilat janë copat e mëdha të gurëve në jetën tuaj? A i fusni ato të parat në kavanoz? Mos vallë e mbushni kavanozin me rërë, ndërsa copat e mëdha i lini jashtë?”

Burimi: islamgjakova.net