Shkrimtarja Adelina Mamaqi për dekada me radhë botoi libra me poezi, tregime, fabula, përralla. Me një krijimtari të pasur Adelina Mamaqi e cila vijon dhe sot ajo është një nga personalitetet e letërsisë shqipe. Edhe pse aktivitetin e saj letrar e nisi me poezinë për të rritur në vitin 1963 me librin “Ëndrra vashërie “, po në të njëjtin vit u botua dhe libri i parë me poezi për fëmijë “Bubi i vogël”, duke u bërë edhe poetja e parë e letërsisë sonë për fëmijë. Në konkurset letrare librat janë vlerësuar me çmime të para, dy herë vlerësim me titullin “Naim Frashëri”, prezantim në Antologjinë Botërore të Poezisë për Fëmijë, por dhe në Antologjinë e Shkrimtarëve më të njohur shqiptarë. Adelina Mamaqi shprehet se edhe pse bazat janë të letërsia për fëmijë sot fatkeqësisht mungon vëmendja që duhet nga institucionet. Në intervistën për “SOT” autorja e njohur e letërsisë për fëmijë shprehet se është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës që mos të lërë në harresë autorët e kësaj krijimtarie. Jo vetëm që duhet ti japë vendin që meriton letërsisë për fëmijë, por dhe të ketë sponsorizime për autorët. Orizi i milingonave (poemë), Bregu i kaltër (vjersha), Goni trazovaçi (poemë), Fishekzjarrët (vjersha), Klloçka dhe kotelet (poemë), Si thoni ju ? (vjersha humoristike), Kaltëroshi tekanjozi (poemë), Një zog gëzimi (vjersha), Mësoi Adi shkronjën A, janë vetëm disa nga titujt e librave që mbajnë emrin e njohur të autores Adelina Mamaqi.

-Sot diskutohet jo pak letërsia për fëmijë, sipas autorëve mungojnë vlerësimet, promovimet. Sa shqetësuese është për ju kjo situatë?

Unë kam fatin e mirë që nuk kam botuar librat me paratë e mia. Por letërsia për fëmijë tek ne nuk është e vlerësuar sot. Para viteve ‘90 ka qenë shumë e vlerësuar dhe ka pasur autorë që kanë hedhur themelet e kësaj letërsie si Odhise Grillo, Bedri Dedja, Xehavt Beqaraj e mjaft të tjerë dhe tani është krejt e nënvlerësuar. Madje thonë disa kritizerë që ne nuk kemi letërsi për fëmijë. Kjo nuk qëndron. Më vjen keq që librat e autorëve shqiptarë nuk kanë sot mundësi të botohen edhe jashtë vendit. Më vjen keq që poezia dhe përrallat tona për fëmijë janë të panjohura dhe jashtë Shqipërisë. Ne kemi shkrimtarë, që mund të na përfaqësojnë denjësisht edhe jashtë vendit.

-Për ju në politikat që ka Ministria e Kulturës sa vëmendje i ka kushtuar autorëve shqiptarë?

Nuk ka qenë sa duhet ndihma për autorët shqiptarë në letërsi. E para Ministria e Kulturës duhet ti kushtojë më shumë vëmendje autorëve shqiptarë të letërsisë për fëmijë me politikat e saj. E dyta, nëse unë mora tani një pension të veçantë ka dhe të tjerë që duhet të marrin këtë vlerësim.

-Autorët shqiptarë të parën që përmendin janë dhe mungesat e sponsorizimeve për botime?

Sigurisht që një Ministri Kulture në politikat e saj me librin duhet të ketë sponsorizime për ata autorë me vlera dhe për librat e tyre që të botohen. Por janë dhe konkurset që mungojnë, mund të zhvillohen edhe takime për letërsinë, që sigurisht do të ndihmonin jo pak për krijimtarinë letrare. Dikur ne kishim organizime me simpoziume të letërsisë për fëmijë dhe sot nuk zhvillohen më. Kemi një shoqatë të shkrimtarëve për fëmijë, që sado të punojë nuk gjen mbështetje. Ministria e Kulturës të ingranojë në programet e saj letërsinë për fëmijë, ti japë vendin që meriton. Bazat hidhen që tek letërsia për fëmijë.

-Shoqata e shkrimtarëve për fëmijë ju pohoni se nuk gjen mbështetje nga institucionet. Pse po ndodh kjo sipas jush?

Nuk po arrij dot ta kuptoj dhe nuk e di pse po ndodh kjo lënie në harresë nga institucionet. Kur isha unë kryetare dikur shoqatës atë kohë ishte nënkryetar Pandeli Koçi, i cili ishte shumë aktiv dhe ne kemi shkuar në institucione, kemi trokitur dhe në derën e Ministrisë së Arsimit. Bëhej një komision për të zgjedhur librat për fëmijë në shkolla dhe aty nuk kishte asnjë autor për fëmijë. Pra në ministri si atëherë dhe sot kur bëhen komisione të letërsisë mungojnë ata që duhet të jenë aty për të dhënë ndihmën e tyre. Nëse unë nuk isha atë kohë në atë komision as Pandeli Koçi të paktën të ishte autori Xhahid Bushati, por kjo që ndodh nuk është e drejtë. Unë kam dëgjuar në televizion një kritik që ka mohuar letërsinë për fëmijë, dhe në një intervistë e kam ftuar këtë zotëri që të thotë kur ka qenë i vogël ka lexuar libër për fëmijë. I kam thënë që të lutem të na shkruash ndonjë libër për fëmijë dhe na jep një shembull se si të shkruajmë ne autorët e kësaj krijimtarie. Pra ta gjykojnë letërsinë për fëmijë ata që nuk kanë shkruar për fëmijë dhe nuk e njohin kjo nuk është e drejtë, por e shikoj si tendencioze.

-Numëroni 60 libra në krijimtarinë tuaj. Por ju keni dhe ribotime që i keni sjellë në kohë?

Librat që janë ribotuar nga unë pas viteve ‘90 i kam sjellë në kohë dhe hapësirë për fëmijët e ditëve tona. Përshembull në librin“Hedhin valle bletët” unë kam vënë aty televizorin apo internetin. Në kohën që u shkrua libri nuk kishte internet dhe jam përpjekur ta sjell në kohët e sotme që ti lexojnë fëmijët.

-Në këtë krijimtari që ju pohoni se nuk po gjen sa duhet mbështetje nga institucionet, ju jeni shprehur se kemi pak emra të rinj të kësaj letërsie?

Kemi sot emra autorësh që përpiqen si Xhahid Bushati, Pandeli Koçi etj, që shkruajnë por më vjen keq që sot duke qenë e nënvlerësuar letërsia për fëmijë nuk po dalin dot firma të reja në këtë krijimtari, kemi pak autorë të rinj. Më vjen mirë që sot kemi një autore si Rovena Rrozhani që shkruan sot dhe ka një perspektivë. Unë e kam ndjekur që kur kam qenë te revista “Mrekullia” dhe ajo më ka pëlqyer, vijoj ta ndjek krijimtarinë e saj. Rovena është mjaft serioze dhe është shkrimtare, që e njeh psikologjinë e fëmijëve dhe ka dhe shumë fantazi. Ne kemi botuar sëbashku dy libra që janë subvencionuiar nga Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Shëndetit Mendor “Tutu mëson të dëgjojë” dhe “Kush e shëroi elefantushin” ky i fundit është pritur mjaft mirë në Mal të Zi dhe ka pasur një promovim në Ulqin, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Kulturës në Mal të Zi. Por Rovena Rrozhani ka tregime të mrekullueshme në krijimtarinë e saj. Është një Rovenë që shkruan sot letërsinë për fëmijë nga emrat që janë të rinj që po hyn në këtë krijimtari. Në problemet e kësaj krijimtarie mua vjen keq dhe çfarë po ndodh në panaire libri. Më vjen keq nuk japin çmime të letërsisë për fëmijë. Pra ai stimul aq pak që i jepet letërsisë për fëmijë i bën dhe frenim firmave të reja të kësaj krijimtarie.

-Si është sot për ju bashkëpunimi botues dhe autorë?

Më vjen keq që sot ka botues, që marrin libra të huaj i sjellin në shqip me një çmim vetëm 1 mijë lekë të vjetra libri, por vlerat që ka janë të diskutueshme. Marrin libra të huaj dhe i përkthejnë dhe keq. Janë sot me përkthime skandaloze, që nuk e njohin gjuhën shqipe, i marrin dhe ilustrimet dhe nuk paguajnë asnjë lek dhe kanë fitime. Që letërsia të kthehet në biznes është mëkat. Për botuesit më vjen keq që sot e kanë kthyer letërsinë në biznes. Nuk them që mos të botohet letërsia e huaj, sigurisht që nuk duhet të mungojë dhe të kemi botime, kujtoj që dikur ka qenë e botuar “Liza në botën e çudirave”, “Pinoku”, etj, por sot e kanë kollaj përkthimin dhe injorojnë letërsinë tonë shqipe për fëmijë.

-Ministria e Kulturës ndan çmime kombëtare për letërsinë. Keni vërejtje?

Kam vërejtje, sepse nuk i japin vlerësimin që duhet te këto çmime kombëtare autorëve të letërsisë për fëmijë. Duhet që të ketë më shumë vëmendje te çmimet kombëtare. Kemi sot kritizerët që bëjnë vlerësimin, juritë që edhe pse nuk i njoh kush janë por shikoj se si veprojnë, që nuk e di pse dhe për çfarë arsyesh e bëjnë por një qëllim e kanë që nuk tregojnë vëmendje.

-Në letërsi jeni poetja e parë për të rritur me librin “Ëndrra vashërie”. Libër i vitit 1963, i cili u botua më pas dhe në Kosovë. Jeni shprehur se ishte një debutim i guximshëm dhe i suksesshëm për ju?

Unë kisha filluar të botoja më parë se të dilte libri me poezi, që në moshën 16 vjeç që dikur. Poezinë e parë e kam botuar në gazetën “Bashkimi” me pseudonim burri sepse pata frikë se mos nuk ma botonim. Më pas te “Zëri i Rinisë” botova me emrin tim. Unë kisha botuar poezi për dashurinë dhe u mirëprita në familje, në opinion dhe redaktor ka qenë i ndjeri Llazar Silliqi dhe ruaj konsideratën për të. Libri bëri bujë atë kohë që më pyetët dhe unë isha vetëm 23 vjeçe me librin “Ëndrra vashërie”. Isha një poete e re që merrte guximin të shprehte ndjenjat e dashurisë femërore në atë kohë. Libri u botua dhe në Kosovë, ku edhe atje u prit shumë mirë atë kohë.

-Në të njëjtin vit botohet dhe libri “Bubi i vogël”, duke u bërë edhe poetja e parë e letërsisë sonë për fëmijë. Pse nga krijimtaria për të rritur ju kaluat te letërsia për fëmijë?

Kam botuar libra për fëmijë dhe gjithmonë jam përpjekur të jap maksimumin tim. Jam ambicioze, sepse dua të jap më të mirën time. Por poezia ime për të rritur ishte shumë lirike. U mirëprit në fillim sepse unë isha vajzë ë re, por me atë lirizëm më pas nuk do mirëpritej dhe e ndërpreva. Por unë të gjitha ato që shkrova i kam në sirtar dhe i kam për librin që dua të botoj.

-Gjatë këtij viti në krijimtarinë tuaj me letërsinë a do të kemi libra të rinj?

Në 2018 unë do të kem libra për të botuar, sepse kam në kompjuter libra që presin.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/