Në datën 3 Prill ajo do të festonte 80-vjetorin e lindjes. Adriana Elini- Xhajanka, regjisore e filmit dokumentar u nda nga kjo jetë 24 vite më parë. Ikja në moshë të re bëri prodhimet kinematografike të ndjejnë mungesën e saj. Miqtë dhe kolegët e kujtojnë gjithmonë si një grua të zonjën dhe energjike.

Xhajanka e ka shkelur pëllëmbë më pëllëmbë Shqipërinë dhe prej andej ka sjellë ekranizime me shumë vlerë që sot janë një gur i çmuar në historinë e filmit dokumentar. Njerëzit që kanë bërë histori, me pasionin dhe talentin e tyre ia vlen gjithmonë t’i kujtojmë. Ka disa njerëz që vendosin gjithçka në shërbim të punës së tyre dhe Eleni është një shembull i gjallë i këtij fakti. Ajo i kushtoi kohën, rininë, forcat për të sjelle në art jetën e përditshme, punën dhe njerëzit e thjeshtë. Adriana Elini- Xhajanka është pjesë e asaj plejade artistësh të Kinostudios “Shqipëria Sot”, që la gjurmë me krijimtarinë e saj, në historinë e artit të shtatë, siç cilësohet kinematografia.

Adriana i përket brezit të dytë të regjisoreve të montazhit që filloi punën në fund të viteve ‘50-të, por që me pasion e dashuri për profesionin superoi montazhin, në regjisore të filmit dokumentar dhe që për mëse tre dekada, krijoi vlera të padiskutueshme në art. Xhajanka, u lind në Tiranë në 3 prill 1937 në një familje qytetare e të shquar për idealet e vyera ndaj Atdheut. Mbasi kreu në Tiranë studimet në fakultetin e Histori-Gjeografisë, Adriana do të niste punën e saj të ardhshme, ku do t’i duhesh t’i binte kryq e tërthor Shqipërisë, të shfletonte libra, ngjarje data e personazhe që bënë historinë e këtij populli, duke i përjetësuar ata në celuloid.

Fëmijët ishin pika e dobët e Adrianës ndaj edhe temat që ajo pëlqente të realizonte kishin të bënin me botën e tyre. Ajo ndalonte shpesh me punën e saj edhe te arti popullor e njerëzit e thjeshtë. Në këto tema Adriana pasqyronte botën, shpirtin dhe shqetësimet e saj. Arti i Adrianës ishte i thjeshtë, ai buronte nga vete materiali filmik. Që ta bënte sa më të pasur këtë material Adriana shkonte maleve, staneve duke habitur edhe njerëzit që punonin atje me këmbënguljen për të arritur në film atë qe kish arritur në përfytyrimin e saj. Ajo mendonte se duhet ta prekte vetë terrenin që të nxirrte një material me vlerë në fund të ditës.

Si trashëgimi një “thesar”

“Syri flet më shumë se buza”. Të ndërmendet kjo aksiomë, për këdo që e ka njohur nga afër regjisoren Adriana. Kineastja që të befasonte e mrekullonte me faktin, se si përputheshin tipi, karakteri, kultura e natyra e njeriut, që edhe kur flet, i bulëzon fjala, mendimet me zë të ulët dhe përvetësimi i artit të syrit, siç është kinemaja, pikërisht, nga makineria për montimin e filmit, siç është Moviola, ku Adriana u ul në moshën 20-vjeçare drejt filmografisë së më se 50 filmave.

“Horizonteve të hapura”

“Pagëzimi” profesional i regjisores së re të montazhit është filmi artistik “Horizonte të hapura”, me regjisor Viktor Gjika, skenarist, shkrimtarin e madh Dritero Agolli, simbolikisht edhe një horizont i hapur për kineasten e re.

Adariana ka pasur shumë bashkëpunëtore gjatë punës se saj. Për kinopublicistin Ilia Dede, regjisorja Elini ishte vëzhguese e heshtur. Asaj i ka munguar patetizmi i asokohe për të arritur suksesin e ditës. Prioriteti krijues i kësaj regjisoreje e cila si rrallëkush, bashkëpunonte me skenaristin që në bërthamë të filmit, e deri në zbërthime tekno-regjisoriale, sinkronizimin e tekstit me figurën, por mbi të gjitha, ajo sinkronizonte komunikimin qytetar.

Mjafton të shohësh filmografinë e Adrianës, sidomos, filmat portret, si, “Mjeshtri dhe nxënësi e tij”, ku portretizohet shpikësi i radios së parë shqiptare e themeluesi i prodhimeve radioteknike e televizive, si dhe tjerë filma: “Me ndërtuesit e Muzeut Historik Kombëtar”, “Fanfarat e të vegjëlve”, “Dritë në Koman”, “Furrnalta” , “Arti i lashtë, mjeshtër të rinj” etj.

Kjo regjisore do të vendoste në celuloid, jashtë autocensurës, jetën e njerëzve të thjeshtë, duke portretizuar figura me botë shpirtërore, me bashkëkohësi, si dëshmi e kohës në atë atmosferë totalitare. Kinoregjisorja Elini ka shfrytëzuar të gjitha mjetet shprehëse të filmit portret, për të zbërthyer përvojën e dobishme të më të përparuarve, “kyçin” e punës kërkimore shkencore, shpikjeve dhe racionalizimeve të bashkëkohësve që i sillnin të mira materiale shoqërisë së kohës.

Breza të tërë kineastësh, autorë të skenarëve letrare dhe teksteve të filmave dokumentarë kanë bashkëpunuar me kinoregjosoren Adriana, këta janë Angjelina Xhara, Vllasova Musta, Fatbardha Demi, Shpresa Vreto, Kliton Gilani, Kolec Traboini, Luan Rama, Ilia Dede, Bashkim Hoxha e operatorët Agim Fortuzi, Sokrat Muça, Ferdinat Karuni, Ibrahim Kasapi, Ilia Terpini, Niko Treni Agim Zeneli.

Një medalje si regjisorja më e mirë

Regjisorja Elini konkurron me dy filma portret: “Ju përshëndes” “Mjeshtëri dhe nxënësit e tij”. Ndërsa në vitin 1984, trofeun e rrëmben filmi i saj “Ç`do vijë- një vizatim” me skenar të Shpresa Vretos, ku Adriana fiton medaljen e regjisores më të mirë të festivalit të filmit. Ndërsa në vitin 1987 filmi portret për figurën e piktorit, arkitektit, kineastit Kole Idromenos, do të fitonte çmimin e tretë në Festivalit të Filmit Dokumentar. Ndërsa sot ky film po kërkohet nga studio e huaja për t’u ridimensionuar me teknikat bashkëkohore, për vlerat e veçanta që mban realizimi regjisorial i tij.

Lako: Adriana, faleminderit…

Natasha Lako, shkrimtare, skenariste, ish-drejtore e Arkivit Shtetëror të filmit shqiptar, në vlerësimet që ajo ka publikuar në botimet e saja, jep konsiderata për kinoregjisoren Elini -Xhajanka. “As Adriana vet nuk ka qenë shumë e ndërgjegjshme për thesarin që na ka lënë, në atë imazh analitik dhe të durueshëm. Pa këndvështrimin e saj, nuk do të kishim ato portrete njerëzish, ato plane të jashtëzakonshme. Për këtë sot i themi: Faleminderit!. Por sot njerëzit nuk janë aq koshientë për të parë çfarë gjurme jete na ka lënë këndvështrimi i Adrianës“, shkruan Lako.

Arti si kujtim

Sot ajo do të ishte duke festuar ditëlindjen e saj të tetëdhjetë. Në këtë përvjetor i mungon miqve e familjarëve. Regjisorja Adriana Elini, është nga ata njerëz që kanë fatin të kujtohen për punën e tyre të vyer, ndaj, por emri i saj dritëson në filmat dokumentare të shfaqura në ekrane, sepse ekrani është qepalla e syrit të kineastes, të artit të syrit, që na ka lënë mesazhe në jetëgjatësi dhe rezonancë vlerash historike e njerëzore.