Kapu pas një ideali fisnik që mos të të rrezojnë erërat e kohës.

Fytyra e njeriut paraqitet dhe pasqyrë dhe xham dhe tavan.

S’ka testament më të saktë se sa shëmbëlltyra e jetës që lemë pas.

Pagjumësia është hakmarrja e ditës së mundur.

Duhet ta njohësh nga afër tjetrin që t’i dallosh moshën e shpirtit.

Fjala e miqësisë është më jetëgjatë dhe më e qëndrueshme se fjala e dashurisë.

Dialogu me veten është dialogu me shpirtin që lyp çastin e duhur.

Fati është një mushkë xanxare që vetëm përvoja na e mëson kur t’i hipim e kur t’i zbresim.

Edhe sëmundja kur të bie duhet bërë pjesë e dinjitetit tënd.

Vështirë të thuash se cila është e pabesë, nata apo dita. Nga jashtë duket nata, nga brenda dita.

E panjohura zbulon kureshtje, kureshtja guxim, guximi lëvizje, lëvizja energji, energjia dritë, që e bën të panjohurën të njohur.

Gjeniu rrok kohë dhe hapësira që njerëzit e zakonshëm s’i rrokin dot.

Jeta është e mbushur plot çarqe të ngritura.

Sa mirë e sa keq të të gjejë vdekja me mendje të kthjellët!

Kur artisti nuk vëren më të meta në veprat e tij është në krizë.

Historia tregon se forca për pushtet e individit fiton mbi forcën e turmave.

Në mitologji, dashuria fluturon nëpër qiell, mbi një karrocë tërhequr prej mjellmash, kurse në tokë ajo lëviz mbi një karro tërhequr prej kuajsh.

Çdo zbulim nëpër analet e arkivave është një rreze drite në mjegullën e historisë.

Dashuria si trëndafili, gjithë lule dhe gjemba.

Tirania e burrit është fyerja më e madhe që mund t’i bëhet gruas.

Në jetën bashkëshortore ndodh që njëri luan rolin e Don Kishotit, tjetri të Sanço Panços.

Bukuria e trupit kalon nëpër stina që përsëriten, bukuria e shpirtit s’njeh stinë.

Sikur të kish zemër të përjetshme, dashuria do të ishte e përkohshme.

Për artin natyra s’ka moshë.

Dashurisë i shkon dhe eklipsi i diellit, dhe eklipsi hënës.

Vetëm me kohën nuk matesh dot.

Vetja përgjohet, dashuria jo.

Të gjithëve na pret gjumi i madh.

Vetmisë nuk i vë dot emër.

Kur i humbet të gjitha dhe të mbetet vetëm vetja, ajo mjafton që t’i fitosh rishtazi.

Te plaku bashkohen ekstremet: pleqëria dhe fëmijëria.

Edhe i munduri si fitimtari pas lufte nuk shahen.

Zemrës i bëhet transfuzion, shpirtit jo.

Kërkojmë shkaqet e fatkeqësisë dhe rrallë të lumturisë.

S ’ do t’ ia dinim vlerën jetës, sikur të mos ekzistonte vdekja.

Po u fute në politikë do të jetë politika ajo që do të urdhërojë.

Në politikë mund të fitosh solidaritetin, por humbet pavarësinë.

Po u mate me mediokrin, rrezikohesh dhe ti të bëhesh mediokër.

Vetëm me moshën nuk divorcohesh dot.

Të zhgënjyerit nga jeta e shikojnë jetën si në pasqyra konkave e konvekse.

Kur s’do të mësohesh me të keqen e pandreqshme mund ta pësosh më keq.

Ka dhimbje që të nxjerr lot, ka dhimbje që të nxjerr gjak.

Dhimbja e trupit të djeg, dhimbja e shpirtit të helmon.

Ashtu si deti dhe shpirti, ka baticat dhe zbaticat e veta.

S’është kollaj të dish të projektosh ashtu siç je në kohën tënde.

Lajkat janë sustë kolovitëse që të përgjumin e të largojnë nga realiteti.

Kush bie në dashuri, hyn në një rebus nga del me vështirësi.

Lavdia është perëndia e njeriut në tokë.

Jeta e vërtetë në rradhë të parë është detyrë.

Vetëm kur fëmijët rriten, prindët mund të verifikojnë frytet e punës së tyre.

Në ka gjë më flagrante që s’e qas arti është falsiteti.

Veprat që krijohen kollaj harrohen kollaj.

Të vendosësh shpirtin në valët e muzikës do të thotë të dalësh në hapësirat e qiellit e të detit.

Puna e mirë duhet të qeshë.

Njeriu vdes, jeta rron.

Vetëm kur arrijmë të kapërcejmë unin tonë hyjmë te njerëzit fisnikë.

Je i ndershëm kur ia njeh vlerat dhe kundërshtarit.

I verbëri më shumë se të tjerët është në shoqëri të përhershme me vetveten.

Stinët e jetës i lemë pas si gjarpri lëkurën e vet.

Nuk është revolucioni që rrezikon jetën e fëmijëve të tij, por janë fëmijët ata që rrezikojnë nënën e tyre.

Vjen një moshë që kujtimet bëhen jetë e dytë e njeriut.

Mençuria dhe urtësia njerëzore e shprehur sinqerisht dhe thjesht kthehet në poezi.

Paraja dhe pozita e tjetërsojnë njeriun.

Grindjet midis feve tregojnë se dhe zoti s’është në gjendje t’i bashkojë njerëzit.

Në qoftë se mirësinë dhe virtytin e ke brenda vetes, s’ke pse e lyp zotin në qiell.

Më keq se vdekja e dashurisë është dashuria e kthyer në indiferencë.

Pse thonë, atij që i bëra mirë, më bëri keq?

Dielli që sheh gjithçka është më indiferenti i gjithësisë.

Njeriu vjen vetëm në jetë dhe ikën vetëm nga jeta.

Shpesh përfytyrimi i burrit për gruan dhe i gruas për bunin përjashtojnë njëri-tjetrin.

Jo çdo njeri ka aftësinë për të qenë vetvetja.

Në qoftë se të vërtetën e thua pa kohë e pa vend mund të kthehesh në një personazh tragjiko-komik.

E vërteta pa guxim, flë.

Kujtimi i fëminisë është ikona që njeriu bart me vete për tërë jetën.

Dashuria është si rëra që të rrëshqet nëpër duar, po s’dite ta mbash.

Ka një kufi gjithnjë që të ndalon të hysh në jetën e tjetrit.

Për njeriun e mirë kemi nevojë të gjithë.

Më e lehtë është të përballosh shumë gra se një grua.

Muzika e të folmeve krahinore përbën polifoninë e gjuhës së një kombi.

Dashuria lulëzon në sy, e në buzë për të lidhur frute poshtë tyre.

Tregon urtësi kur di të mbahesh pas kënaqësive të vjetra edhe kur të joshin kënaqësitë e reja.

Në moshën e dashurisë të gjithë miqësohen me hënën, po më pas e harrojnë.

Sa e varfër do të ishte bota pa iluzione.

Nuk duhet të bëhemi skllav të hijes sonë.

Ka njerëz që dhe me trandafil t’i fshikësh, thonë më vrave.

Sëmundjet nuk kanë festa.

Urtësia është pjesa më e virtytshme e njeriut.

Plaga që hap shpifja, nuk mbyllet kollaj.

Njeriu do të bëhet zot kur të arrijë të komandojë kohën.

Jo të gjendemi në kohë, por ta jetojmë kohën.

Kush qe njëherë i ri dhe nuk deshi t’ia besojë të fshehtat e zemrës poezisë!

Mirë është të vdesësh në kohën e duhur, por këtë kohë s’e ka në dorë askush.

Sikur, sa herë të dashuronin të linim një pjesë të vetes, do të vinte një ditë që s’do të na mbetej asgjë.

Në pleqëri të thellë trupi tkurret e kërruset sikur don t’i afrohet tokës.

Pa harmoni, s’ka art.

Rutina është deti, ku artisti mund të mbytet.

Në jetën bashkëshortore vijat paralele kthehen me kohë në vija spirale.

Roje të ndërgjegjes të kemi veten dhe jo zotin.

Pëlqimi i vetvetes është i pranueshëm deri në atë shkallë sa s’prek të tjerët.

Gazi në fytyrën e njeriut është hir i shpirtit.

Morali i vërtetë i fesë do të ishte ai, kur njerëzit do ta pranonin pa frikën e zotit.

Ajo fytyrë gruaje që rrezaton bukurinë pa shpirt është vetëm lule.

Shumë nga njerëzit e fillojnë jetën nga idealja dhe përfundojnë te materialja.

Pa dramë s’ka art.

Peshën burrit s’ia jep trupi, po fjala.

Nën robëri arti është oaza e lirisë.

Vrasja e ndërgjegjes është dënimi që i jep vetes njeriu i

ndershëm.

Ka dashuri që çelin ngadalë si kaktuse,t ka dashuri që çelin menjëherë si trandafili.

Dashuria i ngjan tunelit, pas të cilit njeriu e gjen ose e humbet vetveten.

Të dish, ku mbaron e mundshmja dhe ku fillon e pamundura, ja çelësi i urtësisë.

Të gjitha dhimbjet janë motra, bija të zemrës njerëzore.

Nga mendja çmendemi, nga zemra vdesim.

Të fshehtat në çift, kur grumbullohen me kalimin e kohës, ngrenë mure të padukur.

Mungesa e dashurisë e egërson njeriun.

Kur banaliteti hedh hije mbi hijeshinë e gruas, ajo zhflevtësohet.

Mjeku sigurisht di më shumë se i sëmuri, po i sëmuri e mban të fshehtën që ai mundohet të zbulojë.

Gëzimi dhe trishtimi njerëzor s’kanë nevojë për përkthim.

Ka njerëz që lëshojnë dritë, ka njerëz që marrin dritë.

S’është problem të qëndrosh mbi këmbët e tua, por të mbahesh pas shpirtit tënd.

S’ka faj dielli në qoftë se ti ke ftohtë nën të.

Vdekjen do ta kemi më të lehtë, po të mësohemi me të, para se ajo të na marrë.

Madhështinë nuk ia japim ne vetes. Është ajo që na e jep.

Dashuria ka fytyrë të ndërrueshme, miqësia të qëndrueshme.

Ruaje mikun nga dhimbja jote.

Njeriu është gatuar dhe me kohën e vet. Sa mund të ekzistojë pa gjak, aq mundet pa kohë.

Natyra e plak njeriun natyrshëm.

Punët e vogla janë themeli i punëve të mëdha.

Lajkat mjegullojnë të vërtetën.

Ka njerëz që nuk rrojnë dot pa kundërshtarë.

Pse duhet të pritet vdekja që një njeri të cilësohet i pavdekshëm?

Gjithë urtësia e të diturit është se tërë jetën ai mbetet nxënës.

Bukurinë e urtësisë nuk mund ta kuptojë e sodisë njeriu i çfarëdoshëm.

I lumtur është ai që në pleqërinë fizike arrin të sfidojë pleqërinë intelektuale.

Ka politikanë që kujtojnë se historia është një levere e cila mund të lahet ose të njolloset si duan ata.

Fjala e keqe përhapet si era e keqe.

Bashkëshortët duhet të rilindin që të korrigjojnë mëkatet ndaj njëri-tjetrit.

Varet prej nesh në se e bëjmë veten qiell ose burg për shpirtin.

Në dritën e gëzimit duket relievi i bukurisë njerëzore, në hijet e vuajtjeve ndihet forca shpirtërore.

Më thuaj si dashuron, të të them se ç’zemër ke.

Kur i hapesh gjithkujt s’të mbetet asgjë për vete.

Në pleqëri sendi më i urryer i grave është pasqyra.

Bukuria nuk ngopet, edhe kur e sheh veten nëpër pasqyra paralele pafund.

Lirinë e gjen më shumë në botën artistike se sa në botën tokësore.

Për artistin më e rëndësishme është të vrojtojë e të përjetojë se sa të merret me studime.

A ka zemër zoti që përjetësisht shikon gjithë ato vuajtje njerëzore dhe përjetësisht mbetet indiferent.

Në mes metaforës së gëzuar të jetës dhe metaforës së trishtuar të vdekjes vërtitet mikrokozmosi i secilit.

Edhe merimanga jep një mesazh njerëzor tek punon me ngulm në heshtje.

Atë që sheh syri i artistit, nuk e sheh syri i zakonshëm.

Ka mendime që vijnë me krahët e fluturës, po ka të tjerë që lypin krah shqiponjash.

Harmonia fisnikëron shpirtrat e shqetësuar njerëzorë.

Në librat e mëdhenj lexuesi ndien dritën e syve të autorit.

Vuajtjet me kalimin e kohës kthehen në vlera morale.

Gëzimi është qiell, trishtimi është pus.

Mendimi yt është shtylla ku mbahet vetja jote.

Sytë janë dritaret e shpirtit që shkëlqejnë nën dritën e dashurisë dhe të inteligjencës

Edhe në dashuri, e para është fjala, pastaj veprimi./Gazeta Dita