Është e thjeshtë ta kuptosh sa e ka peng Parashqevinë: “E mori në qafë Hollivudi,” thotë ai plot me keqardhje.

Kompozitori Agim Krajka, një ndër ata që i ka vënë vulën këngës së re shqiptare, është ndër zbuluesit e parë dhe përkrahësit e mëdhenj të talentit të jashtëzakonshëm të Parashqevi Simakut.

Ai e mban mend momentin kur ajo i trokiti në derë dhe kërkoi që ta dëgjojë: “E mrekullueshme. Ajo u bë shkak që unë të kompozoja disa nga këngët e mia më të zgjedhura,” pohon kopozitori i shquar në një intervistë për suplementin ‘Unë gruaja’. Për Agim Krajkën nuk kanë fare rëndësi lidhjet e saj personale gjatë kohës së diktaturës, çka është bërë temë debatesh në media për këngëtaret e viteve ’70 dhe ’80.

Kompozitori flet edhe për fakte të panjohura nga 6 muajt e parë të këngëtares në SHBA, ku ajo u strehua pikërisht në familjen e tij. Bashkë filluan të japin koncerte nëpër lokale. Pastaj lindi ëndrra hollivudiane e Parashqevisë.

Krajka është absolutisht i bindur se Shqipërisë vështirë do t’i vijë një talent si Parashqevia, me një zë aq i bukur, aq i kontrolluar, aq emocional. Këngëtarja ishte një mbajtëse e emocioneve të këngës, iu jepte emocione edhe kur nuk i kishin.

 

Është hapur një debat këto ditë mbi këngëtaret “big” të viteve ’80-’90, që disa prej tyre nuk i kanë merituar çmimet e para që u janë dhënë. Një ndër to, është përfolur edhe Parashqevi Simaku. Cili është vlerësimi juaj për këtë këngëtare?
Unë nuk po nisem nga çmimet, por nga portreti artistik i Parashqevi Simakut. Vështirë është që t’i vijë Shqipërisë një zë aq i bukur, aq i kontrolluar, e aq emocional, aq sa Parashqevi Simaku. Ka qenë një përjashtim. Parashqevia ishte tmerrësisht mbajtëse emocionale e këngës. Shpeshherë kishte edhe këngë që në thelb nuk kishin aq emocion, por Parashqevia arrinte t’u jepte jetë. Për mua është një nga zërat më të rrallë që ka pasur Shqipëria, për aq sa e kam njohur unë. Deri tani nuk i ka ardhur një zë i tillë vendit tonë, në të ardhmen nuk e di a do t’i vijë…

Si jeni njohur me Parashqevi Simakun?
Që në fillimet e saj, pasi kishte bërë pak emër në Kavajë e Durrës, erdhi një ditë në derë dhe më tha: Jam Parashqevi Simaku, të lutem profesor, a mund të më dëgjosh njëherë? Ishin vitet ’80. E dëgjova. E mrekullueshme. Ajo u bë shkak që unë të bëja disa këngë shumë të zgjedhura. Një nga ato ka qenë “Sonet për veten”, ia kisha shkruar vetes sime, me poezi të Jorgo Papingjit. Për mua, kur e mbaroi këngën Parashqevia, ishte një simfoni… Parashqevia ishte e pavetëdijshme sa gamë të madhe kulturore kishte për zhanret e muzikës që ishin në Shqipëri. Ajo e këndonte muzikën e lehtë a thua se ishte e specializuar, por ama të nesërmen këndonte “Qamilen” dhe të rrëqethte mishin. E “qante” edhe muzikën tiranase, ndërkohë që këngëtarët e tjerë nuk merrnin kurajën ta këndonin, përveç Afsa Zyberit. Parashqevia e zotëronte skenën. Si anën vokale, por edhe emocionale. Ishte unike, sa kohë këndoi në Shqipëri. Ah, gjërat e tjera pastaj që thuhen, jo jeta private e saj, jo lidhje me këtë apo atë, mua nuk më duhen fare. Sepse lidhjen nuk e shpiku ajo, as zgjidhjen. Ishin emocionet e moshës, të rinisë dhe ajo kishte të drejtë që të zgjidhte një simbol shpirtëror dhe kjo gjë nuk ka pse të ngatërrohet me muzikën. Sepse i shoh këngëtaret e sotshme, kanë një shkallë të madhe degjenerimi vokalisht. Nuk po mbahen aspak me vokal, por me shalë, të pasme e me gjoks silikoni. Ndaj sa vjen dita dhe i rritet vlera një këngëtareje si Parashqevia, Lindita Theodhori, për të mos shkuar deri te Vaçe Zela e ikona të tjera të skenës. Ato këngëtare që kanë qenë asokohe, nuk e merrnin kollaj emrin “këngëtare”, as të dilnin dot në festival, as të merrnin çmime, sepse kishte një kontroll gati barbar në të gjitha drejtimet. Këngëtaret që arrinin të dilnin në festival ishin si ato pikat e vajit të futura në një fuçi të madhe me ujë, që dilnin në sipërfaqe. Dhe Parashqevia ishte një pikë vaji…

A ka marrë ndonjëherë çmime të pamerituara?
Unë mendoj që nuk ka marrë asnjëherë çmim të pamerituar. Madje, ajo nuk ka marrë çmime që ka merituar. Kjo, po. Unë e kam mbajtur edhe në Amerikë, ndenji gati 6 muaj te shtëpia ime, në vitin 1990. Dhe ajo vuante nga diçka, sepse një pjesë të rëndësishme të trurit e kishte bosh për probleme të tjera./voal.ch/