Përmendet me shumë respekt për vlerat e saj si mësuese, si metodiste dhe si qytetare tepër fisnike. Lindi në një familje qytetare intelektuale, me traditë shekullore në arsim. Mësimet e para i mori në Durrës dhe më pas, me ndërmjetësinë e atdhetarëve elbasanas, shkollën fillore e të mesme në Grac të Austrisë dhe në vazhdim në Vjenë për pedagogji e psikologji shkollore. Ka punuar si mësuese në arsimin fillor në Grac dhe për dy vjet edhe në Vjenë.

Në vitin 1920 kthehet në Shqipëri dhe emërohet drejtoreshë shkolle në Shkodër. Në vitin 1921 punon si drejtoreshë e shkollës Femërore në Tiranë. Në vitet 1922-1938 punon drejtoreshë e shkollës fillore “Drita” në Elbasan. Në vitet 1938-1944, drejtoreshë e shkollës foshnjore “Emin Haxhiademi” Elbasan. Prej vitit 1944-1951, shërbeu si mësuese në shkollën 7-vjeçare “Naim Frashëri”. Është e para vajzë e shkolluar jashtë shtetit nga Elbasani në fushën e pedagogjisë e psikologjisë shkollore; e ndoshta e para në vendin tonë për arsim të specializuar.

Është shquar gjatë tërë karrierës së saj në fushën e mësimdhënies, si metodiste e didakte, duke punuar me përkushtim shembullor për futjen e metodave të përparuara, duke i dhënë përparësi, që në ato vite, punës së pavarur e krijuese të fëmijëve. Ka qenë gjithmonë e palodhur dhe në ndihmë të mësuesve të tjerë. Zotëronte disa gjuhë të huaja dhe si rezultat i kësaj dhuntie përkthente literaturë të huaj pedagogjike dhe me to ndërtonte punën për punë metodike me kolegët mësues.

Ka botuar shumë shkrime për probleme pedagogjike në shtypin e kohës. Në historikun e Arsimit elbasanas dhe në opinionin qytetar, zonja Agni Todhri, siç është thërritur dhe vazhdon të kujtohet edhe sot e kësaj dite, ka mbetur si një zonjë e nderuar, një Personalitet i shquar i arsimit kombëtar, duke zënë një vend të nderuar në librin “Elbasani-Enciklopedi”.

Burimi: Elbasaniad.org