Nga Entela Resuli

Nëse ju ka marr malli për të shkuarën, për objektet e përdorura përpara viteve ’90, ka një shtëpi në Tiranë e cila ta nxjerr mallin.

Elton Çaushi ka ndërtuar një muze brenda një vile 300-vjeçare në qendër të kryeqytetit, e cila të ofron mundësinë të kujtosh se si është jetuar në vendin tonë tri dekada më parë.

Kjo vilë është tashmë një objekti i vizituar nga turistët të cilët nëpërmjet koleksioneve të Eltonit mësojnë më tepër për historinë e Shqipërisë gjatë periudhës komuniste.

Elton Çaushi ka lindur në Tiranë.

Ka kaluar fëmijërinë duke luajtur mes rrugicave dhe fushave të shumta që të ofronte kryeqyteti në vitet ‘80. E kujton këtë kohë si ndër më të bukurat të jetës së tij edhe pse kishte varfëri.

Elton Çaushi

Sot ai drejton një kompani që operon ture për vizitorë të huaj, ndihmon media të huaja të zbulojnë, kërkojnë dhe njohin Shqipërinë.

Jo vetëm të huajt e vizitojnë vilën e tij, por edhe shqiptarët. Madje shumica e tyre vijnë enkas për ta parë atë dhe shumë prej tyre i thonë; ah ç’na kujtove!

Kemi biseduar me Eltonin Çaushin, i cili është rritur në Tiranën e para viteve ’90, koleksionon objekte të vjetra dhe punon në fushën e turizmit.

Ai na ka treguar për Tiranën dhe Shqipërinë e fëmijërisë së tij dhe atë sot. Për turistët kuriozë që vizitojnë vendin tonë dhe faktin që të kaluarën tonë në objekte mund ta shesim si atraksion turistik në ditët e sotme.

-Elton, ti ke një lidhje të ngushtë me qytetin ku je lindur dhe je rritur (Tiranën), si ka qenë fëmijëria jote?

Si e shumicës prej nesh, ka qenë e mjerë, por e lumtur. Ne atë që ishin te mira materiale ne kemi qenë jashtëzakonisht të varfër. I mbani mend pantallonat e arnuara, bukën e lyer me sheqer e ujë, lodrat e rralla. Por kemi patur lojëra, shume shoqëri e në rastin tim, një qytet (qendrën e Tiranës) pa makina e më shumë pak banorë që e njihnin njëri-tjetrin. Qyteti ishte një park i madh lojërash e ne nuk ngurronim ta përdornim atë si të tillë. Kemi patur plot mundësira për aktivitete në natyrë dhe ‘domosdoshmërinë’ për të shpikur zbavitje të të gjitha llojeve. Grupe fëmijësh prej 15 apo 25 vetash nuk ishin aspak të rrallë në atë kohë. Unë kam lindur ne 1976 meqë ra fjala e jam rritur në vitet 80-të në një Tiranë shumë të ndryshme nga ajo e sotmja.

-E mban mend Tiranën e atyre viteve…çfarë kujton më tepër?

– Kujtoj parqet kudo rreth qendrës. Pas shkolle në luanim në parkun pas Pallatit të Kulturës, luanim futboll në sheshin e vogël pas tij. Ishte fantastike të rriteshe në një atmosferë ku ndërkohë që ne ‘zhgërryheshim’ mbi e nën pemë apo luanim futboll, dëgjonim artistët e Operas apo të Ansamblit të bënin prova apo ndalonim lojën sa të futej Xhaxhi Ismaili (Kadare) në pallatin e tij. Mbaj mend se ishim me solidarë – kur vinin drutë te një shok apo familje të moshuarish, mobilizoheshim e jepnim një dorë.

Më kujtohet se qyteti ishte pa makina e të luaje me ‘targa’ bënte sens. Më kujtohet se njerëzit visheshin bukur të shtunave pasdite apo të dielave paradite. Më kujtohet vlera e një ëmbëlsire apo akulloreje – nuk ishte diçka që ndodhte përditë e për ne kishte një shije shumë të “fortë”.

Më kujtohen gjithashtu zënka fqinjësh më të rritur të cilat shkaktoheshin sepse apartamentet 50 metra katrorë ndaheshin në familje prej 9 apo 12 personash, të mëdhenj të lagjes që kishin tentuar të arratiseshin e familjet e tyre e ‘pësonin’ keq. Më kujtohen biseda nën zë me shokët e shoqet e ‘besuar’ për filmin e mbrëmshme te “Jugosllavi” apo te “Italioni”.

Kam shumë kujtime. Nuk është e lehtë t’i radhisë të gjitha në një bisedë. Një pjesë janë tragjike, një pjesë komike. Sidoqoftë fëmijëria ime nuk ka qenë e mërzitshme e Tirana nuk ka qenë një qytet dhe aq i keq për t’u rritur në të.

-Për çfarë u shkollove?

Kam studiuar Gjuhë të Huaja në Shqipëri e në Zvicër. Kam studiuar Turizëm dhe kam një master në Studime të Zhvillimit të Qëndrueshëm nga Universiteti i Gjenevës. Gjithmonë më kanë interesuar gjuhët e huaja, historia, gjeografia, letërsia. Nga një anë sepse isha i prirur për to e nga ana tjetër me duhet të pranoj se kam qenë tërësisht i pa gatuar për Shkencat Ekzakte.

Ndërkohë që projektimi im në Turizëm ka nisur në fillim të viteve 90-të e mbase dhe më parë. Dhe studimet e mia janë zhvilluar paralel me këtë “ëndërr” që tashmë është bërë realitet.

-Ndërkohë, sot jemi këtu për koleksionet e tua. Na trego diçka më tepër, kur ka lindur ky pasion për koleksionin?

Ka ardhur gradualisht e krejt natyrshëm. Prej vitesh kisha ruajtur disa objekte të rëndësishme të historisë personale dhe familjare. Për shkak të punës sime dhe udhëtimeve të shumta në Shqipëri dhe rajon, objektet erdhën duke u shtuar, diku të falura, të “lypura”, të blera, të gjetura. Pasioni ka ardhur duke u shtuar, po kështu njohja, interesi dhe ekspertiza për një pjesë të tij. Kam qenë pothuaj në kufijtë e obsesionit në disa momente. Tani jam “qetësuar” dhe e shoh me gjak më të ftohtë.

-Çfarë koleksionon më tepër?

Asgjë në veçanti e në fakt unë nuk mund të quhem koleksionist i mirëfilltë. Një koleksionist ka një pikësynim e një drejtim, çka nuk ka qenë kurrë ambicia ime. Më kanë interesuar objektet me histori. Që tregojnë momente të rëndësishme apo të parëndësishme. Me kohë shumë prej tyre marrin një tjetër kuptim dhe kjo më intereson shumë. Mendoj se kam një numër të mirë produktesh nga ndërmarrjet artistike të epokës së komunizmit, plot botime të rëndësishme etj.

-Ke trashëguar diçka nga familja nga këto objekte?

Po disa prej tyre kanë qenë objekte të familjes sime, të miat personale apo të të afërmve të mi.

-Më pas, objektet e tjera si ke arritur t’i gjesh, a ka qenë e vështirë?

Në disa raste po, në plot raste jo. Ka disa ‘cepa’ të qyteteve tona ku dikur tregtoheshin pa ndonjë vëmendje të madhe objekte të periudhës komuniste sidomos. Tregtarët e tyre në Tiranë, Gjirokastër, Korçe apo Krujë filluan të më njohin e në disa raste dhe me telefononin duke shpresuar që kishin diçka shumë interesante për mua. Në plot raste ishte kështu e në plot raste jo! Ka disa objekte të cilat i kam parë, kam vazhduar rrugën e pastaj jam penduar qe nuk i kam marre. Obsesioni arrinte deri aty sa të mbyllja sytë në darkë e t’i kisha ende përpara meje. Diku ja kam dalë që t’i kem, diku jo!

-Ju banoni në këtë shtëpi që keni vendosur koleksionet, apo e keni kthyer thjesht në muze?

Kjo shtëpi është zyra e Albanian Trip, të cilin unë drejtoj e me të cilin çoj përpara projektin tim në turizëm. I përket familjes Kashari, një familje me histori të rafinuar e me pinjollë të cilët janë miqtë e mijë personale. Nuk banoj këtu por në të njëjtin apartament të periudhës së komunizmit ku kam lindur e jam rritur (sigurisht të rinovuar e shumë më të këndshëm se dikur), fare pranë Sheshit Skënderbej.

-A kanë kuriozitet të huajit kur që në një farë mënyrë “lexojnë” të kaluarën e vendit tonë nëpërmjet këtyre objekteve?

Sigurisht që tragjikomeditë që ilustrojnë këto objekte i kuriozojnë vizitorët e huaj. Ato janë mënyra shumë të mira për të ilustruar vuajtjet dhe kënaqësitë tona të pak viteve më parë. A nuk është një furnelë vajguri e përdorur për të gatuar në banjë diçka për të qarë e për të qeshur në të njëjtën kohë!? A nuk është sapuni Venus që rrinte mes rrobave më të zgjedhura të dollapit të mamave tona për të qarë e për të qeshur në të njëjtën kohë!? A keni lexuar ndonjëherë në rreshtat e revistës Ylli apo botimet New Albania të pak viteve më parë!? Aty ka plot material që të bën të mendosh e të kuptosh më mirë atë që ka ndodhur e që nuk duhet të ndodhe më.

-Për çfarë pyesin më tepër ata?

Meshkujt pyesin për armët dhe femrat pyesin për kostumet. Ka pyetje nga më të ndryshmet. Ata dëgjojnë shumë dhe shpesh komentojnë se si në vitet 70-të apo 80-të dëgjonin Radio Tirana në gjuhë të ndryshme. Vetëm se tekstet e folura ishin aq të çuditshme (në përmbajtjen logjike) shpesh perceptimi për Shqipërinë ishte si një vend që nuk ekzistonte në këtë botë.

-Jo vetëm koleksionet, por edhe objektet e tjera të së kaluarës, si bunkerët për shembull, a i kuriozojnë të huajt, dhe a mund të shndërrohen këto në atraksione turistike?

Patjetër që po. Ato janë mjerimi ynë i viteve të shkuara. E gjithë trashëgimia jonë ushtarake dhe industriale zgjon shumë kuriozitet mes vizitorëve Perëndimore sidomos të atyre që kanë jetuar nga ‘ana tjetër e Murit’ Luftën e Ftohtë.

-E kot t’i shkatërrojmë, kur nga ato mund të fitojmë shumë, apo jo…

Nuk mendoj se Shqipëria e sotme ka ende nevojë të këtë 170 apo 500 apo 700 mijë bunkerë, një Metalurgjik gjigant si ai i lenë nga koha e bashkëpunimit me Kinën etj. Por një pjesë e tyre mund të konvertohen më kujdes në atraksione të rëndësishme që mund të gjenerojnë të ardhura për komunitetet përreth tyre e për ekonominë Shqiptarë në tërësi. Duhet të hapim sytë e të shohim se ç’bëjnë më to fqinjët tanë ish Jugosllave, Hungareze, Gjermano Lindore apo Ukrainas. Ka me mijëra raste ripërdorimi të këtyre siteve, me sukses e me ‘bereqet’.

-Po shqiptarët, sa kurioz janë?

Shumë. Plot nga njerëzit që vijnë këtu reagojnë: ah ç’na kujtove! Me shumë se sa kurioze, janë reagues ndaj këtyre objekteve duke qenë se të gjithë ne të lindurve në ato vite apo para tyre, jemi ‘bashkëfajtore e bashkëvuajtës’ në ta.

-Cili është objekti më i veçantë që ke në këto koleksione, që ti e konsideron si diçka me vlerë?

Me vlerë shpirtërore më shumë se sa monetare: një pjesë e një ambalazhi metalik të viteve të Luftës së Dytë Botërore. Është pjesë e një arkë të madhe që Ushtria Britanike përdorte për të parashutuar ndihma për misionet Britanike dhe rezistencën në Shqipëri dhe në të gjitha vendet e pushtuara nga Nazistët në atë periudhë.

-A ta ka ndihmuar koleksionimi në punën që bën?

Po shumë. Njoh njerëz të cilët shpesh më dhurojnë objekte të familjeve të tyre (nganjëherë me njëfarë nënteksti: – Ky qenka i çmendur:), udhëtoj në vende ku objektet janë ende në apo pranë familjeve. Objektet e botimet më kanë ndihmuar të mësoj më shumë e të tregoj më mirë. Vizitorët janë shumë të interesuar për historitë personale që mbartin me vete objektet. Ato histori që zor se i gjen në guida, botime, faqe interneti apo wikipedia.

-Cili ka qenë objekti yt i preferuar në fëmijëri dhe që e ke sot në këtë shtëpi?

Mendoj se është koleksioni i pullave. Mes pullave ne dikur udhëtonim, pasuroheshim me histori,detaje dhe ngjyra. Pullat kanë qenë në një farë mënyre një dritare lidhëse me pjesën tjetër të botës komuniste, kapitaliste dhe atë ekzotike. Mbase disa prej nesh e mbajnë mend vlerën që mund të kishte në rrethet e fëmijëve një pullë e ardhur nga Kenia-Uganda-Tanganika apo Mauritania, Ceyloni etj. Ato kanë qenë elementët (së bashku me letërsinë sigurisht) që më kanë infektuar që në fëmijëri me pasionin për udhëtimin, të pazakontën, të ndryshmen.

-Duke nisur nga puna që bëni, si mendoni, a jemi një vend që kemi perspektivë në fushën e turizmit, çfarë duhet të vlerësojmë më tepër?

Sigurisht që po. Ne jemi aktualisht kampionët Europiane mbase të ekzotizmit. Kemi një mundësi të jashtëzakonshme që të zhvillohemi mirë në këtë drejtim. Mendoj se duhet të vlerësojmë pasurinë natyrore që na është vënë në dispozicion e të kuptojmë që me të mund të ushqehemi mirë, gjatë dhe në mënyrë të qëndrueshme. Ta dimë mirë që nuk habisim njeri me qiellgërvishtës dhe beton, as me ushqim Italian apo dhoma me jacuzzi. Ajo që ne na bën të veçantë është natyra, fauna, flora, polifonia, sazet, historia, e kaluara e vështirë dhe e ardhmja Perëndimore, njerëzit dhe mikpritja e skalitur në traditë, kujdesi e dëshira për t’u veshur mirë e për të ngrënë shëndetshëm, afërsia me njëri tjetrin, karakteri ynë Mesdhetar, agimet e perëndimet e këtij vendi. Mendoj se me fare pak kujdes, mendje të hapur dhe eksperiencë ne duhet të mbetemi Shqipëria mikpritëse dhe e pa cenuar nga globalizimi, ndotja, etja për të ‘modernizuar’ pa fre e pa mendim. Ne i kemi gjithë të mirat. I vështrojmë por nuk i shohim ndonjëherë. Na janë hapur sytë goxha shpejt dhe mirë por mbetet ende për të patur kujdes e për të punuar.

Burimi: GazetaDita.al