Ahmet Shqarri
Ahmet Shqarri

Të pathënat e një gazetari sportiv, babait të “Nga njëra ndeshje në tjetrën”

Që prej 35 vjetësh tashmë, ai merret me sport, por nuk është sportist. Ndërsa lojtarët vrapojnë nga njëra anë e fushës te tjetra, ai përcjell emocionet e lojës. Tifozët dhe sportdashësit i tërheq me zërin e tij çdo të shtunë pranë valëve të Radio Tiranës. Ai është babai i emisionit sportiv “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, transmetuar për herë të parë më 2 tetor të 1983, i cili këtë vit mbushi 20 vjeç. Emri i tij është Ahmet Shqarri, pionieri i gazetarisë sportive. Nuk ka ndonjë zë të veçantë radiofonik, apo aktoresk, por tashmë është bërë një nga zërat më të dashur të radios, nga më të paharrueshmit, ashtu si mijëra e mijëra intervistat që ka marrë në këto vite me personalitetet e sportit, ku emocionet më të mëdha kanë qenë, në radhë të parë, të tijat. “Të gjithë më njohin nga zëri, kur rastis të ulem në ndonjë tavolinë dhe bisedojmë edhe ata që nuk më njohin si fytyrë e kuptojnë që jam unë, kjo do të thotë të bëhesh i dashur. Kam takuar njerëz pa fund, personalitete të shumtë të sportit dhe më gjerë, sepse kam marrë pjesë në kampionate botërore, nëpër lojrat mesdhetare. Janë mbresa që nuk harrohen. Të intervistosh kampionët e botës nga afër, të dalësh direkt në transmetim nga Oslo për RTSH-në, janë emocione që nuk mund të përsëriten”, fillon të tregojë me një stil krejt të veçantë, ndërsa në mendje të vijnë sa e sa lidhje të drejpërdrejta që ka realizuar, krah për krah edhe me kolegët e tjerë.
Që nga gushti i ’69-ës, në shekullin e vjetër e deri tani, siç thotë me shaka, kur babai i emisionit “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, filloi të transmetonte, nuk është ndarë më nga ajo karrige.
Mbresat e tij janë të shumta dhe ndeshjet që ka transmetuar janë më të mëdha se kaq, pasi nuk mund të numërohen. Ai kujton se gjëja më e pabesueshme është që emisioni është ndërprerë vetëm njëherë në gjithë këto vjet. “Ishte koha kur studentët kishin paralajmëruar për grumbullime dhe unë atë ditë kisha emision të drejtpërdrejtë, i cili nuk u transmetua atë ditë por më vonë. Mbaj mend që atë ditë u hodh busti i Enver Hoxhës dhe nuk mund të transmetonim, sepse po të mblidheshin njerëzit në stadiume mund të bëhej ndonjë katastrofë. Në ato momente kur unë po diskutoja me drejtorin tim në Radio Tirana, pamë studentët që po zbrisnin nga Liceu. Nuk ka patur asnjë rast tjetër që emisioni të mos jetë transmetuar”. Më shumë se sa të thuash 20 vjet emision, është më mirë të thuash që ky emision është i vetmi në analet e historisë së shtypit shqiptar që ka vazhduar gjatë gjithë kësaj kohe pa asnjë ndërprerje nga dy herë në javë madje edhe tre herë në javë. “Edhe në ato vite të vështira, siç ishte viti ’97 kur u zhdukën gazetat, ne vazhduam. Duhet të themi që është nder për Radio Televizionin Shqiptar që ky emision nuk është ndalur njëherë. Ne festën e organizuar me rastin e 20 vjetorit të tij ishte edhe një kënaqësi e madhe që takova të gjithë radiokronistët. Mund të kisha rreth 18 vjet që nuk i shihja disa prej tyre. Kanë qenë plot gazetarë që në ditët e sotme janë kryeredaktorë, që janë hedhur në fusha të tjera, në politikë, etj, që kanë bërë shkollë në një farë mënyre me këtë emision dhe me mua. Si për shembull Ilir Meta, në vitet 1991, ishte radiokronist dhe më pas u hodh në politikë, u bë Kryeministër, Robert Papa që sot kandidon për Kryetar Bashkie e shumë të tjerë. Jeta ka çudira”, buzëqesh Ahmeti.
Ai vetë është rritur në ambjentet e Radio Tiranës. Historia filloi në vitin e dytë të fakultetit të Gjuhë-Letërsisë, kur do të zhvillohej një konkurs në Universitetin e Tiranës, ku do të zgjidheshin studentët për kursin e parë të gazetarisë në vendin tonë. Dëshira për t’u marrë me gazetari filloi më herët, në vitet e shkollës, atëherë kur kompozoi copëzat e para për gazetën “Puna”. Pikërisht një histori e shkruar në formën e një reportazhi, se si kishin ndihmuar një grua nga një fshat i Librazhdit për të shkuar në Maternitetin e qytetit, sepse në atë kohë nuk kishte qendra shëndetësore, do të bëhej çelësi që do t’i hapte rrugën e gazetarisë. “Kursi ynë ishte më i preferuari nga organizuesit e konkursit, sepse Gjuhë-Letërsia ishte më afër stilit të shkrimtarit. Atëherë kishte një mungesë atmosfere për lirinë e të shkruarit në krahasim me sot, sepse dihet që duhet t’u përmbaheshe disa kornizave të përcaktuara mirë, ku duhet të niseshe dhe ku duhet të vazhdoje. Në atë kohë ishin penat e forta në juri, si Dritëro Agolli, Vangjush Gambeta, Hamit Boriçi dhe unë pata fat që fitova”, shprehet me krenari.
Nuk e kishte menduar ndonjëherë se do të fuste këmbët në Radio Tirana, të cilën të gjithë të rinjtë e apasionuar e shihnin me dylbi. “Radio Tirana ka qenë një nga institucionet më të rregullta, as që e mendoja se mund të hyja aty, ruhej me policë në çdo derë. Nuk e kisha ëndërr të punoja në radio, por të shkruaja. Megjithatë kur fitova, miku im dhe ish-mësuesi im i fiskulturës, Ismet Bellova, i cili është një nga emblemat e gazetarisë sportive shqiptare, pas Andon Mazrekut, më ftoi të jepja inrofmacionet sportive në radio. Kështu, pra edhe mua m’u dha një shans, të cilin unë e ushqeva, i bëra yzmet si i thonë dhe u bëra gazetari i parë sportiv me rrogë në median elektronike. Më kujtohet se Vera Zheji e të tjerë, ato të famshmit, të hershmit, para lajmeve duhej patjetër të firmosnin tek Thanas Nano, i ati i Fatos Nanos, në atë kohë drejtor. Kam ndërruar 30 drejtorë dhe përsëri kam mbijetuar aty brenda sa edhe vetë bëj çudi. Pse kam mbijetuar? Se pasionant mund të jesh dhe të përfundosh keq. Kam qenë i pari që kam përdorur intervistën në rubrikën sportive dhe më pas e huazuan edhe të tjerë gazetarë të kulturës dhe artit. Si gjini njihej, por nuk ishte praktikuar”.
Ishte koha që transmetoheshin ndeshjet edhe jashtë vendit. “Kam transmetuar nga 20 shtete të ndryshme që nga Brazili, Barcelona, Varna, Moldavia, ndeshjet e Kombëtares, që nga Norvegjia e deri në Tunizinë e Saharasë. Dhe kjo në një farë mënyre më ka bërë t’i jap ngjyra trasmetimit, të mos e jap lajmin të thatë, sepse kur gjendesh në Dublin apo në Gjenevë nuk mund të mos të më bënin përshtypje shtëpitë e vogla, jo më shumë se tre kate, si shtëpi kukullash me ato dyer gjithë ngjyra. Në Irlandë, kur kam pyetur pse çdo derë ka nga një ngjyrë të veçantë, më kanë thënë se në ato vende njerëzit pinin shumë dhe vetëm nëpërmjet ngjyrës së derës e kuptonin që ishte shtëpia e tyre. E këto ishin kuriozitete që e bënin më të bukur transmetimin. Kështu pra dilja nga kornizat, ‘stadiumi mbushur plot e përplot’ dhe kujtoj këtu që dikush e kishte të vetën shprehjen ‘nuk ke ku të hedhësh kokrrën e mollës”. Mbase edhe unë jam bërë i mërzitshëm me perifrazimet e shumta, por secili krijon një stil të vetin, një fytyrë të vetën”. E në gjithë këtë mori transmetimesh natyrisht që ka bërë edhe ndonjë gafë aty-këtu. “Kam një gafë që e mbaj mend shumë mirë. Kur ishim në Barcelonë, stadiumi 120 mijë vendësh ishte mbushur me 35 mijë vetë, që kishin ardhur të shihnin Flamurtarin, nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë e futbollit shqiptar dhe ndeshja përfundoi 0-0. Ishte ndeshja që është dëgjuar më shumë. Atë natë edhe Ahmet Shqarri u bë perandori i Shqipërisë. U kthyem në Tiranë dhe me kaseta e transmetuam të plotë ndeshjen të televizion, sepse të gjithë kishin kuriozitet ta shihnin. Unë që komentoja në mikrofon, në vend që të thoja Geri Lineker, kur ai mori topin, thashë Geri Kuper, aktori i madh i Hollywoodit, në vitet ’30 dhe të nesërmen në mëngjes të gjithë më thërrisnin ‘Ku je Geri Kuper?’. Por këto nuk janë shaka me zarar. Në atë kohë të ndërroje ndonjë emër në politikë dhe diku tjetër ishte më e keqja”.
Ndër intervistat që ka marrë kujton me nostalgji vitin 1986, kur ka takuar Albanon, këngëtarin e famshëm italian, i cili rrinte në një hotel në Gjirokastër dhe kishte ardhur të shihte ku kishte luftuar i ati, sepse kishte nostalgji për ato vite të Luftës Italo-Greke, në grykën e Këlcyrës. Apo intervistën me Franc Bekenbauer, që sot është kryetari i Komitetit Organizator të Kampionatit Botëror 2006, në Gjermani, i cili është quajtur edhe ‘Kajseri’ i futbollit. Apo intervistën me Ibrahim Kodrën, me të cilin ka fituar edhe një çmim në Gazetarinë Kombëtare, nga fondacioni Veliaj. “Në gjithë këtë spektër të jetës sime gazetareske, dua të kujtoj edhe telefonat, që në ato fillime, kur nuk kishte as celular, me një telefon me linjë ajrore ishim të detyruar të punonim. E sa e sa herë na është shkëputur linja, sepse një erë të frynte e hidhte në tokë”. Ndërsa marrëdhëniet me tifozët e ka të vështirë t’i përshkruajë, sepse shpesh herë e kanë bërë nervoz, në momentet e humbjes së skuadrës së zemrës. “Tifozët i bien xhamit, derës, fillojnë të shajnë dhe mbase edhe në trasmetim dalin fjalët e tyre. Na identifikojnë me federatën dhe sipas tyre e kemi ne fajin”.
Futbollisti i tij i preferuar? Në vitet e para si të gjithë edhe ai ka pëlqyer Panajot Panon. “Ai ka qenë futbollisti sulmues më i madh që ka patur vendi ynë. Unë kam kënaqësinë që kam bredhur pas tij për 400 metra me mikrofon në dorë, duke u munduar t’i shkëpus emocione nga ato momente të largimit të tij nga fusha e futbollit, kur ishte së bashku me djalin e tij dhe me një buqetë me lule përshëndeste të gjithë të pranishmit në stadium. Ishte viti 1975, ishte maj. Por ka edhe plot lojtarë të mirë, që kanë qenë mjeshtra të futbollit. Unë kam qenë tifoz me skuadrën që kishte lojtarin më të mirë”. Gazetari sportiv është profesioni në të cilin ka gjetur veten dhe do ta vazhdojë deri sa të ndjehet i fuqishëm për ta bërë. “S’kam reshtur së shkruari dhe së foluri në radio dhe kjo është puna më e bukur që mund të ekzistojë. Edhe pse nuk ka para, kam marrë më shumë prej saj. Milionerët do të jepnin miliona për të parë emrat e tyre diku.Unë do të vazhdoj të bëj gazetarinë sportive, sepse kam akoma forca.

Spekter – Nentor 2003

Nga epoka e njeriut të kalitur dhe sportistit revolucionar deri sot, si ka mbijetuar në radio “dinozauri” i gazetarisë sportive, Ahmet Shqarri. Së shpejti mbush 800 emisione, 100 prej të cilave në “Radio +2”

Shqarri, “dinozauri” i fundit i sportit shqiptar

Ishte koha e parullave të llojit “Sa më të fortë fizikisht, aq më i fortë atdheu”, dhe as gazetarët e sportit nuk mund ta nisnin intervistën me sportistin e radhës pa kujtuar “porositë e shokut Enver” dhe sloganin e atdheut të fortë me njerëz të fortë fizikisht. Sporti jo vetëm që nuk i shpëtonte regjimit, por duhej t’i shërbente atij. Nuk mund t’i shmangej predikimit ideologjik as një gazetar i ri sportiv që sapo kishte marrë në dorë mikrofonin në 1969-ën. Anipse bëhet fjalë për Ahmet Shqarrin, zërin më pasionant të radios ende sot në Shqipëri.
Me gjithë hyrjet e detyruara me propagandë për kalitjen e njeriun të ri në intervistat e tij, Ahmet Shqarri nuk qe kurrë as sekretari i dalluar i rinisë, as anëtari i PPSH-së. Madje, me gjithë eksperiencën e gjatë, nuk qe kurrë as shef dhe as drejtor. I pari gazetar i mirëfilltë sportiv në Shqipëri, i mbetur i tillë edhe pas 37 vjetësh në këtë profesion.
Kur pret të celebrojë 800 emisionet e karrierës së tij të gjatë në radio, ndërsa 100 syresh sapo i ka mbërritur në mikrofonin e tij të dytë, në “Radio +2”, Ahmet Shqarri preferon të tregojë moshën profesionale, por jo atë biologjike. A nuk thuhet që njerëzit krijojnë një imazh të pandryshuar për ca figura të dashura, që mbeten pa moshë? Pothuajse të njëjtin e gjejnë Ahmet Shqarrin ndjekësit e tij edhe në një poster publicitar, që për herë të parë në jetën e tij e servir si imazh dhe jo si zë. Bëhet fjalë për një fotografi të tij si imazh publicitar për “Radio +2”, afishuar në disa “billboard-e” të vendosura në rrugët e Tiranës këto ditë.
Ky gazetar, tashmë klasik i radios dhe sportit shqiptar, nuk e priste që njerëzit ta ruanin kaq mirë në kujtesë, kur vëren edhe vetë se si po harrohen madje edhe sportistët më me emër të kohës së tij. Megjithatë, ka edhe nga ata që befasohen kur e dëgjojnë ende në radio: Akoma gjallë qenka ky? Shqarri nuk mërzitet as me këta të fundit. A nuk do të thotë kjo që është paksa mitik dhe një lloj legjende e gjallë? Megjithëse janë të shumtë zërat e rinj që kanë vërshuar në radio, do t’u duhet kohë derisa të kenë ngjyrën e pashlyeshme të një zëri si ai i Shqarrit. Por ndoshta nuk është edhe aq çështje zëri sesa pasioni. Pastaj zëri pasionant i Ahmet Shqarrit nuk ka sesi të harrohet nga ata që ngushëlloheshin me sportin e vendit gjatë fundjavave të varfra të viteve 80.
Tani duket sikur sporti i vendit ngushëllohet me Shqarrin! Megjithëse për ndonjë ndeshje në stadium qëllon të mos ketë më shumë se 5 tifozë, Shqarri bërtet sikur të kishte 50 mijë, revoltohet, gëzohet dhe, çuditërisht, dëgjohet. Sidomos në makina, por edhe nëpër shtëpi si dikur, pasi do të ketë mbetur në secilën prej tyre nga një nostalgjik i futbollit shqiptar ose, së paku, ndonjë nostalgjik i Shqarrit. Megjithatë, kohët e fundit edhe vetë Shqarri është bërë kritik i ashpër i sportit shqiptar. Të shtunën që shkoi nuk la gjë pa i thënë Albert Xhanit, presidentit të Partizanit, i cili përgëzoi tifozët të cilët ndërprenë ndeshjen Besa-Elbasani, duke hedhur objekte në fushë. “Si mund të ndërpritet një ndeshje?” – bërtiste Shqarri. Po kaq i revoltuar duket edhe kur flet për pazarllëqet që bëhen me futbollin në Shqipëri, gjë që, sipas tij, ka bërë që futbollit t’i largohen tifozët, të cilët nuk kanë se si të mos e kuptojnë që kompeticioni nuk është i pastër.
Shqarri pranon edhe vetë se ka 15 vjet që nuk shkon më në pallat të sportit dhe me nostalgji kujton kohën kur volejbolli, peshëngritja, qitja apo basketbolli i mbushte plot pallatet e sportit në Shqipëri. “Tani jo vetëm ato, por edhe stadiumet mbeten bosh, saqë shpesh jam i detyruar të komentoj ndeshje “të vdekura”. Nganjëherë nuk është e lehtë t’i ngjallësh ato”, – rrëfen Shqarri. Vetë, gjithmonë e ka thënë, që nuk është tifoz i një skuadre të caktuar, por me ato skuadra që kanë lojtarë të mirë. Modeli i tij në prezantim ka qenë qysh herët Xhani Miná, i cili intervistonte Maradonën në kohën kur Shqarri komentonte nga brenda gardhit komunist të Shqipërisë së izoluar.
Si një zakon i vjetër, të dielave nuk lë kurrë t’i shpëtojnë programet sportive italiane, nga të cilat është nxitur të fusë risi në programin e vet mitik “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, edhe atëherë kur risitë nuk shiheshin me sy të mirë. Në fakt, për sjellje risish është nderuar edhe me çmimin kombëtar “Andon Mazreku”, pikërisht “Për risi të pasqyrimit të finaleve të botërorit”. Shqarri ka qenë i pari që ka futur intervistën direkte në programin e tij, ashtu si edhe komentet e drejtpërdrejta, në një kohë kur gjithçka regjistrohej për t’u kontrolluar dhe censuruar në kohë. Shqarri ia rrëmbeu këtë përjashtim regjimit dhe arriti të ndiqte në kohë reale gjithçka që ndodhte në fushat sportive në të njëjtin moment, sikundër bën ende sot në “Radio +2”.
Duke rrëfyer veten, Ahmet Shqarri zbulon edhe një sekret të vogël që duket i pabesueshëm për këdo që e ka ndjekur me sa pasion flet për sportin, që e ka dëgjuar të japë shpesh receta për formën e mirë fizike dhe të vrapuarit, që e ka parë edhe të rendë pas lojtarëve për t’u rrëmbyer prononcimet apo emocionet e çastit siç i quan ai. Nuk është marrë asnjë ditë me sport në jetën e tij Ahmet Shqarri. Gjithmonë ka gjetur një justifikim për t’iu shmangur atyre marshimeve apo aksioneve të shumta për mbjelljen e ullinjve, por edhe sportivitetit pa ideologji brenda. Dhe ende nuk ka vendosur të merret me sport, ndoshta edhe ngaqë nuk e ka ekzagjeruar aq me peshën.
Kanë kaluar 37 vjet që kur nisi punën në radio, pjesën më të madhe të të cilëve i ka kaluar në Radio Tirana, të cilën e braktisi vetëm përpara tre vjetësh për mikrofonin e radios “+2”, ndryshim që në fillim i është dukur i vështirë, por një test i domosdoshëm për të provuar pikërisht se fansat i kishte sërish me vete dhe megjithëse nuk ka atë sistemin që kishte krijuar në radion e dikurshme shtetërore, ka një emision që ndiqet edhe më shumë. Edhe pse, siç thotë edhe vetë, ndonjëherë këput edhe mufka. “Kjo ndodh sepse rrëmbehem nga pasioni për atë që po flas. Por nuk jam ndjerë kurrë kaq i lirë, kam hequr dorë edhe nga të gjitha kornizat dhe sigurisht që ndonjëherë këpus edhe mufka”. Por komunikimi i tij mjaft i lirë me korrespondentët sportivë nga rrethet, të cilëve në fakt nuk ua kursen as “të sharat” kur vonojnë rezultatet, duket se për disa është një arsye më shumë për ta ndjekur programin “Gol” në “Radio +2”, edhe duke qeshur.
Megjithëse nuk është në kohën e bilanceve të jetës së vet profesionale, e cila siç tregon vetë, nuk ka pse të mos vazhdojë ende gjatë, Shqarri i ka disa pengje të vogla, pasi, siç tregon ende, nuk ka arritur të ndjekë të paktën një herë në jetë finalen e një kampionati botëror dhe nuk e ka shijuar kurrë spektaklin e lojërave olimpike, sepse nuk ka pasur mundësinë t’i ndjekë kurrë drejtpërsëdrejti këto lojëra nga vendi ku zhvillohen.

“Rekordet” e Ahmet Shqarrit

20 vjet
Në radio që nga viti 1969, por për 20 vjet Ahmet Shqarri ka vijuar të njëjtin emision, “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, në të njëjtin pozicion, pa ndryshuar kurrë as zyrë, as karrige. Të njëjtin format emisioni e vazhdon tashmë në “Radio +2”, ku vetëm mikrofonin ka ndryshuar.

1 herë
Vetëm një herë në 20 vjet e ka ndërprerë emisionin. Bëhet fjalë për ditën kur u rrëzua busti i Enver Hoxhës, kur nuk ka dalë në transmetim, sepse po të mblidheshin njerëzit në stadiume mendohej se mund të bëhej ndonjë katastrofë. Emisioni bëhej dy herë, madje edhe tri herë në javë.

’97
Edhe në vitin e mbrapshtë ’97, kur shtypi dhe mediet u ndalën, emisioni i Ahmet Shqarrit jo.

30 drejtorë
Kaq është numri i drejtorëve që e kanë zënë dhe lënë pas në Radio Tirana. U ka mbijetuar të gjitha ndryshimeve për 35 vjet.

20 shtete
Kishte një kohë kur Ahmet Shqarri transmetonte edhe nga jashtë vendit. Dhe ka transmetuar nga 20 shtete të ndryshme si Brazili, Barcelona, Varna, Moldavia, Norvegjia apo Tunizia.

800 emisione
Kaq është numri i emisioneve që Ahmet Shqarri thotë se mbush së shpejti në transmetim, ndërsa 100 prej tyre sapo i ka plotësuar edhe në “+2 Radio”

Rrëfimi se si e ka nisur karrierën
“Ëndrra ime nuk ka qenë radio, por gazetat”
Në vitin e dytë të fakultetit të Gjuhë-Letërsisë, kur do të zhvillohej një konkurs në Universitetin e Tiranës, Ahmet Shqarri zgjidhet për të ndjekur kursin e parë të gazetarisë në Shqipëri. Por kishte provuar të shkruante artikuj që në shkollën e mesme, për gazetën “Puna”. “Atëherë kishte një mungesë atmosfere për lirinë e të shkruarit në krahasim me sot, sepse dihet që duhet t’u përmbaheshe disa kornizave të përcaktuara mirë. Në atë kohë ishin penat e forta në juri si Dritëro Agolli, Vangjush Gambeta, Hamit Boriçi dhe unë pata fat që fitova”, – rrëfen Shqarri. Megjithatë, nuk ka pasur ëndërr radion, por të shkruarit dhe ishte ish-mësuesi i tij i fizkulturës, Ismet Bellova, një nga emblemat e gazetarisë sportive shqiptare, pas Andon Mazrekut, siç shprehet Shqarri, që e ftoi të jepte informacionet sportive në radio. Në 1969-ën, për herë të parë, në radio dhe që nga 1983-shi në transmetim të drejtpërdrejtë me “Nga njëra ndeshje në tjetrën”.

Belina Budini – Shekulli 29-03-2006