Artistët shprehen se sot nuk kanë vlerësimin e merituar nga institucionet. Sipas tyre mungon vëmendja për kontributin që ata kanë dhënë prej vitesh në art, dhe vijojnë ende me shfaqje për publikun. Për aktoren e njohur Aishe Stari sot vlerësimi nga spektatori është i madh, por nuk është ai që duhet nga shteti. Një aktore që ka marrë shumë vlerësime për punën me estradën dhe teatrin, por që sipas saj sot për artin dhe kulturën në vend ka pak vëmendje. Në intervistën për “SOT” aktorja Aishe Stari shprehet se në punën me jetën artistike nuk e toleron mungesën e seriozitetit në skenë, por pohon se dhe shkrirja e estradave nuk duhej të ndodhte. Për aktoren e njohur edhe teatri nuk mund të funksionojë si duhet kur janë bërë shkurtime në organikë për trupat artistike. Ajo shprehet se dhe në qytetin e Durrësit jeta artistike nuk është më si dikur. Aktorja e njohur shpreh keqardhjen e saj që sot askush nuk tregon vëmendje për të marrë në studimin se çfarë po ndodh me jetën artistike. Aktorja Aishe Stari kreu studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, dega e dramës. Më pas filloi punë në Estradën Profesioniste të Durrësit, duke u bërë një nga aktoret më simpatike të kësaj trupe si dhe në mbarë vendin. Luajti mjaft role në zhanre e lloje të ndryshme të teatrit të estradës si në komedi, skeçe, kuplete e parodi. Janë të shumta pjesët që Stari ka lozur në skenë, por për një gjë është e sigurt, tek çdo rol ka dhënë shpirtin e saj. Përveç skenës së estradës, të teatrit dhe emisioneve të radios e televizionit ajo ka luajtur edhe në kinematografi, dhe mban titullin “Artiste e Merituar”.

-Ju keni pasur bashkëpunime me projekte të ndryshme për në skenën e teatrit me shfaqje për të rritur, por vijoni edhe me punën tuaj për fëmijët. Si ka qenë angazhimi juaj?

Në bashkëpunimet me teatrin unë jam e plotë nuk më ka munguar. Unë jam vazhdimisht në aktivitet. Nëse nuk jam për të rritur vijoj me shfaqjet e teatrit për fëmijë. Unë e kam ndërtuar një teatër për fëmijë që e bëj vetë. Në këtë drejtim që e kam veten në dorë se lë bosh, sepse jam dhe natyrë që nuk mund të rri pa punë. Në këtë teatër që unë kam ndërtuar vetë vijoj aktivitetin tim me fëmijët pas programit mësimor që ata kanë. Unë kam dhe pretendimet e mia, sepse mundohem të gjej materiale për ata që të jepen dhe mesazhe që duhet për ata, dhe të jetë e bukur nga ana artistike.

-Dekada me teatrin, estradën, çfarë ju ka dhuruar deri tani jeta artistike?

Puna ime si artiste më ka dhënë një dashuri të madhe që ka spektatori për mua, një gjë që unë nuk ia shpërblej dot. Nuk di si të sillem me njerëzit kur ata më shfaqen me gjithë respektin dhe dashurinë që kanë për mua. Kjo është pasojë e punës sime, e qëndrimit tim, e mënyrës së ndërtimit të marrëdhënies sime me njerëzit, që kanë respekt. Unë si aktore jam munduar që mos ta vë këmbën kot në skenë. Për aq momente sa do dal në skenë të them diçka dhe atë t’ia përcjell me mjeshtëri dhe art.

-Artistët që prej dekadash kanë qenë në skenën e teatrit janë shprehur se mungon vlerësimi nga institucionet, pensionet janë të ulëta. Ju si e shikoni?

Në këtë drejtim unë e kam vënë trurin në gjumë. E dini pse? Flitet për një pension të veçantë që marrin aktorët që kanë vlera të veçanta dhe ka dhe aktorë që e kanë marrë. Unë për vete që i kam të gjitha vlerësimet, kam dhe ato vlerësime që shumë nga aktorët nuk i kanë si përshembull në takimet zonale apo kombëtare që janë bërë te ne në Shqipëri kam dalë o laurante festivali ose me medalje të artë, ashtu si ka qenë vlerësimi ato vite. Siç ka qenë atë kohë vlerësimi maksimal në këto aktivitete unë e kam marrë vazhdimisht. Por kur vjen puna pensionit të veçantë duhet ta kërkosh, duhet të shkosh dhe të përndjekësh disa njerëz nga pas. Por pse duhet ta bëj unë këtë? Unë këtë gjë nuk e bëj, sepse nëse ka ligj për të dhënë pension të veçantë ata që i kanë në dorë këto gjëra as nuk të japin tituj kot për shokë e për mik as mos të japin pensione për shokë e për mik. Po ti japin në bazë të vlerave që kanë njerëzit. Titujt ti japin pa i shkuar njerëzit nga mbrapa, por në bazë të studimit që ata bëjnë. Ne nuk jemi shtet i madh që nuk njihen aktorët, por është një gjë që ia kanë varur dhe nuk e vlerësojnë. Në këtë drejtim unë jam shumë e pakënaqur. Edhe pse nuk dua të bëj krahasime me të kaluarën, por duke parë me atë që po kalojmë tani duam apo nuk duam i bëjmë krahasimet. Përshembull në teatrin tonë të Durrësit nuk është më jeta artistike siç e ka pasur dikur. Teatri ynë nuk ka më trupë estrade që ka pasur. Teatri ynë nuk ka më teatër kukullash për fëmijët që ka pasur dikur. Nëse nuk jap unë shfaqje për fëmijët e qytetit të Durrësit ata nuk kanë se ku ti shikojnë.

-Pse nuk e ka më këtë aktivitet teatri sipas jush?

Nuk e ka më atë aktivitet sepse i kanë hequr organikat. Ja po ju them që estrada që unë kam punuar gjithë jetën nuk ekziston më si organikë. Kush do ta bëjë estradën? Edhe aktorët, që janë të teatrit të Durrësit aq sa janë, por shumë prej tyre janë nga ata që banojnë në Tiranë. Por si mund të vijnë aktorët që janë me banim të përhershëm në Tiranë për me punuar në Durrës dhe të japin shfaqje? Këtë se kuptoj sepse është shpenzim edhe rruga të paktën. Dikur ne e kemi pasur dy herë në ditë punën, paradite dhe pasdite. Ajo rrogë nuk të del të paguash rrugën jo më të mbash dhe familjen. Në këtë gjendje vlerësimi dhe nënvlerësimi i artistit vjen që nga lart, pra nga shteti.

-Çfarë duhet bërë për këtë gjendje?

Por si do të funksionojë teatri kur ti na ke hequr sot, na ke shkrirë fare? Nuk ekziston më si dikur. Ku është jeta artistike e një qytetit. Pse vijnë fëmijët e Durrësit në Tiranë për të parë shfaqje kukullash? Tirana e ka jetën artistike në teatrot e saj. Ka teatro me disa salla dhe jepen disa shfaqje paralel. Por në Durrës vetëm nëse vjen ndonjë trupë, që mund të japi shfaqje, sepse ndryshe nuk ka. Po them që janë probleme, sepse sot nuk ka se kush i shtrëngon frenat. Më vjen keq që flas kështu, por është një fushë që unë i kam kushtuar tërë jetën. Më vjen shumë keq që teatri është në këtë gjendje. Unë kam menduar që me ardhjen e demokracisë sidomos arti do ecte shumë më përpara. Nuk do të kishte censurë. Por jo vetëm që nuk shkoi përpara, por ne nuk kemi bërë as aq sa bënim para viteve ‘90. Mbase mund t’ju vijë keq që unë flas, por nga e keqja flas kështu për teatrin.

-Ju përmendët estradat, që sot nuk janë më si dikur. Çfarë sollën në jetën artistike ato vite?

Nuk ka më estradë dhe nuk mund të flitet sot, më duket se është harruar dhe emri. Pse të hiqej estrada? Ka qenë një gjini që e ka dashur shumë spektatori. Ka qenë një gjini që punonte shumë me 4 apo 5 premiera në vit. Por pse u hoq? Por e përsëris çdo gjë çalon nga lart në institucionet tona. Se di se i shkurtuan trupat artistike. Unë vetë pata fatin e madh që punova me estradën ato vite kur punohej. Nuk i përkas kësaj periudhe që të rri të pres orarin e punës në kafe. Jo. Unë kam qenë në atë kohë kur punohej paradite dhe pasdite që jepeshin shfaqje, bëheshin turne. Kemi marrë kënaqësinë e madhe të spektatorit. Ngaqë unë dhe shokët e mi jemi mësuar të punojmë sistematikisht, unë vijoj dhe punoj edhe tani si dikur. Unë punoj dhe jap më shumë shfaqje për fëmijët se sa japin të rinjtë sot.

-Ju jeni aktore shumë e vlerësuar e estradës, po sot çfarë ndodh sipas jush me humorin?

Mua më pëlqejnë përpjekjet që bëjnë aktorët sot. Ata mundohen, janë aktorë të talentuar, por nuk është kollaj të bësh humor. Gjinia e humorit është më e vështira për tu bërë. Nuk është puna të dalësh të bësh tjetrin me qesh me forma të papëlqyeshme, por a ka mundësi ta bësh të qeshësh edhe duke folur seriozisht, edhe ti japësh nga ana artistike, ta edukosh tjetrin edhe me qëndrimin tënd, edhe batutën që bën, pra ka shumë gjëra. Nisma të sjellësh humor çdo javë që shikoj aktorët është pak e vështirë dhe unë i uroj shumë sukses. Mua sot ata në Tv Klan me pëlqejnë, por ka dhe të tjerë që nuk ia fal kur shikoj jo seriozitetin në shfaqje, kur nga nxitmi që i nxjerrin premierat shpesh harrojnë batutat dhe e kalojnë me të qeshur, ose përdorin ndonjë fjalë vulgare apo banale. Nëse jam një aktore me shkollë nuk do ia lejoja vetes sime, që në publik të thosha fjalë të tilla. Por unë uroj të eci gjinia e humorit, sepse e do spektatori. Njerëzi e ndjekin sepse humorin e ka kanë dashur gjithmonë, por nuk duhet të shfrytëzojmë atë që na duan dhe mos të tregojmë seriozitet. Ne duhet të japim shfaqje sa më me kulturë, sa më të bukura, merret problematika që i intereson spektatorit.

-Si ka qenë për ju roli me serialin “Familja”?

Zakonisht në filmat që kam luajtur gjatë viteve të fundit kanë qenë në sensin humoristik. Unë jam ndjerë mirë dhe me trupat e aktorëve, dhe me regjisorët që kemi bashkëpunuar mirë. Kanë qenë të talentuar, por dhe trupa e aktorëve ka qenë e përshtatshme për mua. Unë aty ku jam mundohem të jap atë që duhet me dhënë, atë që kam dhënë gjithmonë në punën time. Në filmin më të fundit që kam qenë ai me titull “Familja” ishte një material që mua më pëlqeu dhe e bëra me kënaqësi.

-Ju folët për probleme, si e shikoni punën e Ministrisë së Kulturës në jetën artistike?

Çfarë do të them unë është kot. Nuk do të na dëgjojë njeri. A e ka marrë ndonjëherë në analizë teatrin Ministria e Kulturës? Përshembull sa zhvillohet sot kritika për shfaqjet e ndryshme? Përpara ‘90 ne kemi pasur kritikë për çdo shfaqje që jepnim, me Adriatik Kallullin dhe të tjerë që ishin profesorë seriozë dhe me kulturë. Shikonin shfaqjet dhe i bënin analizat me kënaqësi që të bënte të reflektoje kur lexoje kritikën e tyre në gazetë. Tani ku ka kritikë artistike për shfaqjet? Sa punë bëhen dhe dalin në skenë, por pastaj? Edhe vetë ata që e bëjnë punën nuk e dinë se ku janë sepse nuk ka një sy që ti shikojë dhe ti vlerësojë apo korrigjojë. Kur është bërë një analizë e përgjithshme që ta marrë shteti në studim? Po nuk i bie ndërmend kujt te ne. Për ne i ka rënë në mend vetëm për ti vënë gërshërët që mos të paguajnë shumë artistë. Ministria jonë, por se kam parë ndonjëherë që të vijë te ne në Durrës. Ministria është ajo që i drejton frenat dhe duhet ti dëgjojë gjërat dhe ti shikojë konkretisht.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/