Nga:Raimonda Shundi Dervishi.

Artistët në përgjithësi dhe aktorët në veçanti, kanë të zhvilluar ndryshe nga profesionistët e tjerë anën ndjesore ose atë që quhet “empati”. Të qënurit aktor është në radhë të parë të vlerësosh njeriun, të vuash prej tij dhe me të, dhe t’i flasësh me gjuhën të cilën nuk e shprehin fjalët.

Në një botë ku nxitet ndryshimi i shpejtë dhe konsumizmi, duket sikur jo vetëm koha nuk mjafton asnjëherë, por ndjejmë se as ne nuk mund të jemi mjaftueshëm kurrë. Dhe vërtetë, një njeri i vetëm, i cili përpiqet me mish e me shpirt të konkurojë me të gjithë për të fituar, vetëm që të hyjë në një konkurencë tjetër akoma më të vështirë, nuk mjafton më, në fund, për veten e tij. Të menduarit se ne jemi thjesht një gur i parëndësishëm në mes të një humbëtire tokë, është ajo që na shtyn të luftojmë edhe më fort me të njëjtat mënyra të pashpresa. E për t’i dhënë kuptimin gjithë vuajtes sonë, është artisti.

Aktori vjen dhe na shtrin dorën e tij, na e mban të shtrënguar fort me tonën dhe na ul në karriken e sallës, por mund të jetë edhe në kolltukun e shtëpisë sonë. Pastaj na ul dritat dhe na lejon të marrim frymë thellë, për tç kuptuar se ajo frymë që buron është e trupit tonë, dhe se zemra nuk ka pushuar po ashtu së rrahuri. Dhe në momentin që fillojmë të ndjejmë peshën e trupit tonë me gjithë forcën e tij, të shtyjë mbi atë karrike a kolltuk, ai na shpalos përpara gjithë brendinë e shpirtit, të kuruar nën kujdesin e një stafi të tërë. Duke parë mjeshtërinë e lëvizjeve dhe përpjekjeve të dikujt që e njeh më mirë se kushdo rëndësinë tonë, shohim se sa shumë jemi përpjekur ne gjatë gjithë kësaj kohe për t’I kuptuar ato.

Shohim se në fund kemi patur të drejtë, që jemi ndjerë ashtu si mund të jemi ndjerë. Jemi njerëz. Dhe s’do të ndjehemi kurrë vetëm, kur të mund të shohim se në fakt, edhe të tjerët janë po ashtu të tillë. Dhimbjet nuk i përjetojmë vetëm ne, ashtu si dhe gëzimet e gjithë nuancat e tyre. Vetëm se nuk kemi mundur t’i kuptojmë. Por nuk ka problem! Në një botë kaq të madhe, secili mund të bëjë diçka që ne nuk mundemi; të gjithë jemi të ndryshëm. Por vetëm kur bashkohemi si individë të mëvetësishëm, mund të kuptojmë se nuk mund të jemi kurrë të lumtur nëse luftojmë për të mbijetuar. Kur jemi në grup, apo kur shohim një grup në skenë, shohim të pasqyruar unitetin, atë që mban më këmbë të gjithë universin. Shohim njëri-tjetrin. E shohim gjithë potencialin e pashtershëm të vetes sonë.

Nuk ishte një aktivitet midis teatrove në rrugë zyrtare. Jemi rreth vitit 1991, ku ambasadat kishin më shumë se 6 muaj që kishin sistemuar të larguarit nga vendi I shqipeve. Qe një ftesë private nga një mik Kosovar i cili pati dëshirën të sillte aktorët e dashur Shqiptarë në perëndimin e madh të zhurmshëm. Në këtë grup ishte Trebicka, Ndrenika, Xhepa, Fitim Makashi, Pandi Siku, Xhemil Tagani, Edmond Budina e Naun Shundi me regji të Gëzim Kame, Pali Kuke, Kacinari, Selim Ishmaku etj.

Shfaqja do të shëtitej në disa nga qytetet e rendësishme Gjermane si Mynihu, Berlini e Frankfurti dhe qe menduar si një shoë ku si teatri ashtu edhe koncerti miksoheshin së bashku. Aktorët tanë të karikuar me kënaqësinë se po mundeshin të shijonin jo vetëm Gjermaninë, por edhe blerjet e dëshiruara, bëri që t’i përfshinte vëzhgimi i gjithçkaje përreth. Mendohet se si ishin kushtet të cilat i kishin lënë në Shqipërinë e trembur, ku ajo pak gjë që qarkullonte ishte produkt i realizuar me forcat e tyre: ushqimi, makineritë, fabrikat, argëtimi. Uria ndaj gjithçkaje mbizotëronte duke tredhur lirinë e futur në skutat personale.

Grimcat e lidhjes me botën e zhvilluar, vetëm sa shtonin etjen për ëndrrën e lirisë. Kjo ishte dëshira e gjithkujt, të kishte mundësi të prekte vetë atë çka nuk patën fatin ta preknin gjatë gjithë mankthit shumëvjeçar diktatorial. Aktorët bënin artin e tyre brenda 28 mijë metrave katrorë të Shqipërisë.

Kënaqnin shijet pas kontrolleve dhe ideologjive tipike të sistemit. Ata ishin të vetëdijshëm për situatën, por kjo gjendje duhej menaxhuar me atë çka mundeshin: lirinë artistike në kufijtë e censurës. Dëgjuan një lajm të gëzuar për mundësinë e prekjes së një realiteti të privuar siç ishte ajo e vajtjes në Gjermani, pa funksionarë që tu diktonin apo t’i kontrollonin. Aktorët por edhe nje grup kompozitorësh e muzikantësh, përgatitën valixhet dhe udhëtimi drejt së panjohurës qe adrenalinik. Është e natyrshme të kuptosh lëmshin që iu krijua artistëve pas ndalesës në qytetin e parë Gjerman, Mynih, ku sapo zbritën nga autobusi i lodhur Shqiptar, u hasën me vitrinat plot me teknologji ftuese. Atëherë televizorët me ngjyra ishin kaq të pakët, saqë një pjesë as që i njihte. Por atje çdo gjë duhej paguar vetë, përfshirë edhe nevojat fiziologjike. Është mbajtur gjatë mend loja që Robert Ndrenika i bëri Xhepës ndërkohë që ata po përpiqeshin të mos paguanin WC-në, duke vaditur një nga bahçet e qytetit. Ndrenika hyri në rol dhe i ulëriti si një polic gjerman, gjoja, në një Gjermanisht të sajuar, për ta ndaluar veprimin . Reagimi qe ai që mund ta mendojmë. Kolëgët ndërprenë procesin dhe gazi I shakatarëve nuk pushonte.

Me tren deri në Trieste 
Në Trieste nuk erdhi trageti pasi plasi lufta në Bosnje.
Nga Teatri Kombëtar grupi i aktorëve dhe muzikantëve (si Alfred Kaçinari) u nisën me autobuzin e Teatrit Popullor. Një autobus i lodhur nga dekoret dhe lëvizjet e trupës modeste të teatrit. Ishte i vetmi mjet për grupin, por edhe një relike shqiptare që i ndiqte në hallakatjet e jashtme. Por pas lëvizjeve të shumta, autobusi nuk ia doli dot ta çonte grupin deri në Shqipëri gjatë rrugës së kthimit pasi edhe artistët ishin disi më të ngarkuar se në momentin e largimit.

Pa mbarritur në Itali, autobuzi u prish. Ndaj vazhdimi u bë me tren. Si mund të mos sfiliteshe me tren kur N.Sh tërhiqte edhe televizorin me ngjyra që nga Gjermania. Shitësi kur e mori vesh se aktori do e nxirte jashtë Gjermanise produktin e tij, e këshilloi që me të dalë nga kufiri, të fuste një zarf që i dha në postën e pare që do t’i dilte, pasi shteti i tij stimulonte me metoda shpërblyese dyqanin prodhues, plus zbritjes në çmim që shitësi bujar i bëri. Tërheqja e televizorit ishte mjaft bezdisëse për një udhëtim kaq të gjatë dhe gjatë kohës që u vendosën në tren, vendi ku ai u la qe korridori. Udhëtarët ankoheshin sa herë që u duhej të kalonin. Pali Kuke, mjaft simpatik për formën korrekte që ka, atyre u përgjigjej në Shqip duke u buzëqeshur sharjet më tipike shiptare, “se – ky televizor moj ti ashtu-sheeee po shkon në një vend të varfër!” Kalimtarët teksa shihnin portretin e gëzuar dhe xhentil, nuk i kuptonin sharjet që ai i adresonte pas bezdisë së tyre fodulle.

Gjermania 
Kosovari i cili u tregua iniciator të sillte artistët në vendin e tij të banimit, jetonte në Berlin. Ai me të mbërritur, i këshilloi aktorët të mos bënin diskutime me zë të lartë, të mos hynin në apartamentin e tij të gjithë njëhërësh se ishte mundësia e raportimit nga komshinjtë në polici, të kontrollonin plehrat para se t’i hidhnin se edhe ato kontrolloheshin. “Kujdes nga Gjermanët se janë popull vëzhgues dhe spiun!” Aktorët flinin në një apartament të gjithë njëherësh si në një kapanon ushtrie. Problem ishte edhe ushqimi. Një ditë teksa u kishte tepruar nje kuti sardelesh, u duhej edhe bukë qe ta shoqëronin darkën e lehtë. Nisën një nga aktorët i cili doli vullnetar për ta blerë në supermarket. Dhe vërtetë. Ai vjen me një bukë të paketuar në qese, të butë si pambuk. Kur hapet qesja, shpërthen era e vaniljes… ishte kek!

Qenë një pjesë kujtimesh prej një nga grupet e para të artistëve, të realizuara jo siç funsiononin turnetë tipike midis binjakëzimeve institucionale. Kjo metodë ishte me format miqësor, format të cilin aktorët edhe ashtu me sikletet qe u serviri ilegaliteti, kishin mrekullinë që sot nuk e shohim më: atmosferën e bashkëpunimit në grup. Aty gjithësecili nga aktorët ishte familja e tjetrit. Të gjithë mbulonin dhe zbavisnin kolegun, ndaj ky material përpos shijes që të sjell vetëm e shkuara e çuditshme ku problemet e të ngrënin, të borxheve për të blerë diçka për t’ia çuar familjarëve, afron në vëmendje ndryshimin e të qenurit i izoluar. Le ta bëjë vetë lexuesi diferencën se cila ia vlen. Rrofshin artistët. Në atë turne, një pjesë e mirë e grupit mbeti atje për të mos u kthyer më mbrapa.

Burimi: AktoretShqiptare.info