Nga Fatmira Nikolli

Pëshpëritet në qytet se gjoja unë qenkam fanatik i kamufluar. Se gjoja unë qenkam një pseudoateist. Unë jam parimor. Unë të godas. O kohë e zakoneve prapanike që duhen shkelur me këmbë… Unë kam pastruar mjaft dhe vazhdoj të pastrohem derisa ta bëj ndërgjegjen, na, tepsi”.
Ishte viti 1976, kur Bep Shiroka portretizonte një prej roleve më të bukura të karrierës, babain fanatik te filmi “Çifti i lumtur”. Shfaqja kish qenë më herët, një prej komedive më të suksesshme të teatrit “Migjeni” në Shkodër. Si skenograf i saj, ish gjetur ngushtë një ditë, kur në provat që po bënin në skenë, aktori mungonte. Ia kishin dhënë rolit Bepit, sepse veç ai i dinte batutat dhe e kish interpretuar aq bukur, sa prej asaj dite, Bep Shiroka la skenografinë dhe u bë aktor.

41 vite më vonë, Presidenti i Republikës i jep titullin “Mjeshtër i madh”. Nipi i tij, aktori i ri Françesko Sciro (Shiro) ka ardhur nga Italia. “Pas ‘Artist i Merituar’ merr ‘Mjeshtër i Madh’. Nuk dua ta nënvlerësoj, por me a pa titull, ai mbetet Bep Shiroka. Megjithatë, meqë më pyesni, po është një titull i vonuar”, thotë ai. Ndjen keqardhje.
“Aktorët e brezit të gjyshit janë të paarritshëm. Kanë pasur fatin e keq që kanë lindur, jetuar e punuar në komunizëm. Kanë qenë të limituar dhe nuk kanë mundur të kenë jehonë, përndryshe, pa dyshim që talenti i tyre mbetet i papërsëritshëm”. Françesko që jeton e punon në Itali, si aktor në projektet e “Mediaset”-it, ka ardhur enkas nga Roma.
Pat nisur shkollën për infermieri dhe vetëm pas vdekjes së gjyshit, vendosi të lërë zanatin e të ndjekë pasionin e aktrimit.

Mori mbiemrin e tij, Shiroka dhe portretizoi rolet e para në Teatrin “Azione” dhe në serialin e Mediaset “Squadra Mobile 2”. Ka vendosur të bëjë realitet një ëndërr të kahershme. “Ta çoj gjyshin përtej Adriatikut. Aty nuk mundi të shkonte, se jetoi në kohën e gabuar me gjithë talentin që pat. Mbase pretendoj shumë, por do mundohem. Gjyshi im ka vdekur pa interpretuar ato që në Itali quhen pjesët më të rëndësishme, autorët e mëdhenj, sepse këtu më shumë ndaloheshin se lejoheshin”.

E ka ndjekur hap pas hapi që kur ishte i vogël. Kujton ende dhomën e tij në teatër. “Më merrte në prova e më linte te dhoma e tij nën skenë. Mbaj mend kostumet dhe ndonjë skenografi, se si skenograf pati hyrë në teatër. Derisa për një episod që mungoi një aktor futën Bepin se i dinte të gjitha batutat”, thotë Françesku. Bepi ish-i biri i Kol Shirokës, organizatori i parë i karnavaleve në qytet. “E bëri rolin aq mirë, sa e mbajtën dhe mandej pati aq sukses sa e bënë film”.

Kujton se gjyshi sa dilte në skenë, merrte gjithë vëmendjen. Edhe kur kishte role të vogla. E pushtonte publikun, ai burë i gjatë, me zë baritoni. Njësoj, kur lexonte poezi në Radio ‘Shkodra’. Megjithëse numëron 160 premiera në Teatrin “Migjeni” në 40 vite karrierë, ka dy imazhe të pashlyeshme, e të papërsëritshme të Bep Shirokës, babai fanatik te “Çifti i lumtur” me regji të Piro Milkanit dhe xhandarit dallkauk te filmi “Koncert në vitin ’36” me regji të Saimir Kumbaros. E pyes nipin e tij, si ka qenë Bep Shiroka si gjysh dhe jashtë ekranit, më pranë xhandarit a babait? Françesko qesh. Më ngjan se ka marrë prej gjyshit, buzëqeshjen dhe të qeshurën shkodrane, humorin e asaj ane, batutën e Bepit, me të cilën u rrit aty pranë Serreqit.


“Nuk ka qenë ndryshe nga si e njihni ju. Ka qenë si e kanë njohur përmes ekranit. Person i thjeshtë dhe i përulur”, thotë Françesko Shiro, që tani pas diplomimit, në Romë luan Shekspirin.

Kujton se e donte shumë Shkodrën. “E ka dashur aq shumë sa ka refuzuar të vijë në Tiranë kur e kanë kërkuar. E kishte pikë të dobët”.
A ishte si babai fanatik i “Çiftit të lumtur”? Françesku mendohet një hop për të risjellë në vëmendje një imazh që ruan balancat mes artistit, shkodranit, fanatikut, hokatarit, gjyshit, njeriut të mirë që dinte të bënte babanë dhe shokun në familje.
“Gjëja më interesante te roli i gjyshit si babai fanatik ishte se batutat, shumica ishin të improvizuara. Sigurisht kishte një skenar, por gjyshi nuk e ndiqte. Kjo dallohet vende-vende, kur Tinka qesh si me habi. Më ka thënë se kanë qenë një ekip fantastik gjatë xhirimeve”.

Përtej rolit, Bepi ishte si në rol edhe në jetën e përditshme. “I jepte vendit si fanatik, por ishte produkt i kohës e vendit që jetoi. Ka pasur talent aktorial. Pluton Vasi më thoshte se, gjeniu ‘Çarli Çaplin’ në Ballkan ka qenë Bep Shiroka. Në fakt, i kam parë me sy kritik rolet e tij dhe kam gjetur pikërisht Çarli Çaplinin tek ai, te rolet e tij në teatër e film”.
Kishte – thotë nipi – një ndjeshmëri që e kanë artistët e mëdhenj.
“Stefan Çapaliku mendon se gjyshin e kish thirr Zoti për atë punë, për aktrimin”.
Pas daljes në pension, Bep Shiroka u mor me pikturë. Si ish-skenograf, diç prej talentit mbeti ngulitur në mendjen e tij dhe kur koha qe e pakufi, ai pikturonte natyra të qeta, peizazhe, lule.

“Doli në pension shumë herët. Jo se kishte nevojë se qe shumë i ri, por se kundërshtoi statutin e teatrit ‘Migjeni’. U revoltua se nuk mbeti më askush në teatër”, kujton nipi.
Për filmin “Koncert në vitin ’36”, Françesk Shiro thotë se gjyshi tallej me “policët” e kohës, që nga një anë nuk i pyet njeri e nga ana tjetër, me më të vegjlit, silleshin si pashallarë.

Kujton batutat e filmit dhe qesh.
Ajo mimikë shprehëse e Shirokës mbetet e paharrueshme, si te polici/xhandari edhe te babai. 100 emocione ia lënë vendin njëri-tjetrit, 100 mimika të 100 gjendjeve, prej hutimit, në nervozizëm, prej shefit në vartësin që përulen deri në dysheme.
“Saimir Kumbaro i pat propozuar një rol tjetër, por ai deshi këtë. E dinte se këtë e bënte më mirë”.

Kish interpretuar së pari drama “Nora e Kelmendit”, ajo me titull “Histori Irkutase”, dramat “Dasme me Flamur”, “Franku i V-të”, etj. Luajti më vonë rolin e Bajraktarit në filmin “Besa e Kuqe” në vitin 1982, rolin e babait të Bardhylit në filmin “Kur hapen dyert e jetës” si edhe te filmi “Historiani dhe kameleonët” me regji të Saimir Kumbaros.

NË GJURMËT E GJYSHIT
Njësoj si gjyshi, edhe Françesk Shiro(ka) luan në teatër e në film, në Itali, ka luajtur me regjinë e Valentino Villas dhe Cosimo Alema, në një rrugë që e nisi te Qendra Eksperimentale e Kinematografisë në Romë me Giancarlo Ganinin.
Në Tiranë do të shfaqet në shtator në filmin “Ndërkombëtarët” me regji të Pluton Vasit, ku ka rolin e Leandros.
Françesku është djali i një prej dirigjentëve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Aleksandër Qytezës, më herët nëndrejtor i “Prenk Jakovës” e shef muzike te Shtëpia e Kulturës.
Gishtat e hollë e të gjatë flasin për një pianist. “Vetëm pesë vite kur isha i vogël. Dy vite në kurse private e tri në shkollën e muzikës me zysh Edlira Bardelin. Më pas, erdhi 1997, ikëm nga plumbat dhe nuk munda të luaja më”, thotë Françesku./Gsh.al