Aktori dhe regjisori i talentuar lushnjar Gjergji Lala rrjedh nga një familje me rrënjë të hershme në histori. Një nga të afërmit e prindërve të tij, Vasil Lala, ka pas ndihmuar të kalonte mbi qerre Ismail Qemalin nga njëri krah i një vije ujë në tjetrin në fshatin Bishtçukas, në kohën që ky udhëtonte për të ngritur Flamurin e Pavarësisë në Vlorë.

Edhe prindërit e Gjergjit, Pandoja dhe Zoica, kanë qënë njerëz të njohur jo vetëm në vendlindjen e tyre, në Divjakë, por edhe në Lushnje e më gjërë. Pandoja në vitin 1940 ka pas qënë ushtar në Batalionin “Tomorri”, komanduar nga Major Spiro Moisiu. Kur këtij Batalioni iu dha urdhër që të sulmonte drejt kufirit grek, Major Spiroja veproi në të kundërt të urdhrit.

Dhe ushtarët shqiptarë dezertuan, duke mos pranuar të binin pre e misionit fashist italian. Për këtë “tradhti” të ushtarëve shqiptarë, mes të cilëve, edhe të Pando Lalës, një gjykatë fashiste i mori nën gjykim diku në një fshat të Shijakut. Por qe një gjykim farsë, sepse ushtarët shqiptarë kishin dezertuar të gjithë dhe njëherësh.

Fëmijët e bashkëshortëve të paharruar Pando e Zoica Lala u rritën të mbarë. Djali i madh, Thomaj, arriti të ishte për rreth 13 vjet rresht kryeinspektor i Kulturës në Lushnje. Djali i dytë, Piloja, sot është një nga biznesmenët e mirënjohur të Lushnjes. Ristanka ka pas mbaruar për teknologe ushqimore, djali tjetër, Gjergji, u bë aktor e regjisor i njohur teatri e kinematografie, Sokrati – guzhinier, ndërsa Margarita, vajza e vogël e familjes Lala, ka qënë mësuese.

Nga Ushtria – në Institutin e Lartë të Arteve

I lindur më 6 dhjetor të vitit 1947 në Lushnje, Gjergji Lala do të shquhej për aftësi aktoreske që kur ishte nxënës në bankat e shkollës shtatëvjeçare. Sidoqë bëri mjaft përpjekje për të vazhduar Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, nuk ia doli dot mbanë. Fati e përplasi në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” të Elbasanit. Mbasi mbaroi këtu, Komiteti Ekzekutiv i KP të rrethit të Lushnjes e dërgoi mësues në shkollën shtatëvjeçare të Çermë – Sektorit. Në konkurset letraro – artistike të organizuara midis shkollave të zonës së Çermave grupi artistik i shkollës ku shërbente ky mësues, zinte vendin e parë. Kuptohet, përgatiteshin shumë më mirë falë aftësive të tij.

Në një kohë që bënte përpjekje për të shkuar student në Institutin e Lartë të Arteve, e dërgojnë në ishullin e Sazanit për të kryer shërbimin ushtarak. Gjithësesi, s’i humbi shpresat. Edhe këtu djaloshi nga Lushnja do t’i shpaloste bukur mirë aftësitë e veta artistike. Në veprimtaritë kulturore që organizonte Garnizoni Ushtarak i Vlorës, ky do të bëhej një emër shumë i njohur. Natyra e kishte pajisur edhe me një zë kumbues.

Kryen shërbimin ushtarak dhe… djaloshi lushnjar nuk dyzohet: përgatitet dhe i drejtohet konkursit kombëtar për aktor në Institutin e lartë të Arteve. Juria e përbërë nga aktorë të mirënjohur me kryetar të madhin Esat Oktrova, në mbarim të konkursit e përfshin në radhën e kandidatëve më cilësorë.

Tashmë ai do të ishte bashkëstudentë me Yllka Mujon, Vangjel Toçen e të tjerë, që, kohë më pas, do të bëheshin aktorë të mirënjohur të teatrit e të kinematografisë shqiptare.

Mjeshtër i të folurit skenik, e vendosi emrin mes më të mirëve

Mbas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, Gjergji Lala caktohet aktor në trupën e Teatrit “Bylis” të Fierit.

– Në Fier gjeta një kastë të shkëlqyer aktorësh, që të krijonin mjedis të ngrohtë për të punuar me pasion, – ka pas treguar aktori lushnjar.

Gjatë periudhës shtator 1975 deri shtator 1988; plot 13 vjet, Gjergjin e shikojmë në shumë role, disa prej të cilave ishin të planit të parë. Te drama “Shpërthimi” e shkrimtarit Maku Pone luan rolin e Luanit, ndërsa te “Dallgë në rritje” të shkrimtarit Tashko Lako është në rolin e Trifonit.

Si dhe të tjerë, ky aktor lushnjar do të duartrokitej nxehtësisht nga spektatori fierakë, dhe jo vetëm nga ky, sidomos për lojën e bukur në rolin e Hodo Ruzhajt në dramën “Gjemimi i atij dimri” të shkrimtarit Teodor Laço.

Kohë më pas, rolet e këtij aktori do të vinin njëri mbas tjetrit, të gjitha të realizuara me aftësi të spikatura artistike. Kështu, ai do të harmonizohej mjeshtërisht me lojën e të tërë kolegëve të vetë në dramat “Fundi i sinoreve” të Maku Pones, “Shpagimi” të Ilir Bezhanit, “Një letër e humbur” të Karaxhales etj.

Vitet do të kalonin dhe pjekuria aktoreske e Gjergji Lalës do të vinte në rritje. Tashmë ai do të shkëlqente në rolet që do të luante në dramat “Në prag të jetës” të shkrimtairt Dhimitër Xhuvani, “Plagë dhe plumba” të Teodor Laços, “Balladë për një grua” të Dritero Agollit, “Zgjimi” të Bashkim Kozelit etj

Sikundër tërë të tjerët, duartrokitje korri nga spektatori për rolin e babait të Avni Rustemit në dramën “Dy krisma në Paris” të Sheri Mitës e Pëllumb Kullës etj

Në vitin 1988 Gjergji emrohet regjisor pranë Shtëpisë së Kulturës të rrethit të Lushnjës. Ç’është e vërteta, ai do ta zgjonte këtë Shtëpi Kulture, duke vënë, njëra mbas tjetrës, dy pjesë interesante. Njëra, e shkruar nga vet ai sipas romanit “Krushqit janë të ngrirë” të Ismail Kadaresë, dhe tjera – një komedi e Sheri Mitës me titull “Merr atë që të do zemra”. Të pritura shumë mirë nga spektatori lushnjar, i ardhuri nga Fieri e përligji me punë detyrën që i qe besuar.

“Mihal Gramenoja” i Myzeqesë

I lakmuar edhe prej regjisorëve të artit filmik, Gjergji Lala nisi e vazhdoi të ftohej përherë e më shpesh për të luajtur në vepra të ndryshme të kinematografisë shqiptare. Në vitin 1978 thirret për të luajtur rolin e Xhemës, (djalit të Maksutit), në filmin “Tokë e përgjakur”. Sidoqë episodik, ky rol të mbetet në kujtesë për plastikën aktoriale. Një vit më pas i besohet të luajë rolin e Gjergjit te filmi “Nusja dhe shtetrrethimi”. Edhe në këtë rol spikat aftësia e këtij aktori për t’u harmonizuar natyrshëm dhe artistikisht me lojën e të tërë trupës aktoriale.

Mjeshtëria aktoreske e Gjergji Lalës e shënoi kulmin e vetë në vitin 1979 me rolin e Mihal Gramenos te filmi “Liri a vdekje” me skenar të Vath Korreshit, me regji të Kristaq Mitros e Ibrahim Muçajt dhe me muzikë të Kujtim Laros. Shtypi i kohës do të shkruante me superlative për këtë figurë historike (Mihal Gramenos) realizuar me mjeshtëri të lartë artistike. Aq shumë ngjiti kjo figurë në ndjenjën e artdashësve, sa shumë syresh nisën ta identifikonin këtë aktor si Mihal Gramenoja i Myzeqesë.

Pa hequr dorë për asnjë çast nga trupa e Teatrit “Bulis” e Fierit, aktori lushnjar vazhdoi të luante role në vepra të ndryshme kinematografike. Kështu, në vitin 1981 luajti rolin e Petrit Kasimatit në filmin “Në prag të lirisë”, atë të sekretarit të Partisë në filmin “Gjurmë në kaltërsi”, të xhaxhait te filmi “Shtëpia jonë e përbashkët”, të Halimit te filmi “Nje emër midis njerëzve”, të Beharit te filmi “Koha nuk pret”, të gjykatësit te filmi “Kush vdes në këmbë”, të një partizani te filmi “Lumi qe nuk shteron” etj., etj.

“Ambasador” i artit kinematografik shqiptar në Itali

Mbas vitit 1995, si për shumë artistë të tjerë, edhe për aktorin lushnjar u bë e vështirë. Tepër e vështirë. Duke mos gjetur rrugë tjetër, atëhere e pa më të udhës që të merte rrugën e mërgimtarit. U hodh matanë detit dhe shkoi e zuri vend në Frozinone, diku në periferi të Romës.

Kur ke vizion, natyrisht edhe talent, shpirti nuk të fle rehat. Gjëndur në këto rrethana, aktori lushnjar nisi ta shpalos veten nga njëri mjedis në tjetrin. Dhe ngjet pastaj sikundër thonë: ujë që buron do të rrjedhë dhe diku do të shkojë.

Që me lëvizjet e para, aktori myzeqar nisi të bjerë në sy të njerëzve të artit e të kulturës, pra, edhe të regjisorëve të asaj bashkie. Dhe disa syresh nuk vonuan ta aktivizojnë për interesat e tyre kulturore e artistike. Tashmë mërgimtarin e ardhur nga Shqipëria do ta gjejmë të aktivizuar deri edhe si aktor në role të ndryshme skenike apo kinematografike. Kësisoj, dalëngadalë e fare thjesht mërgimtari do të bëhej një lloj ambasadori i artit shqiptar në Itali.

Në vitin 2002 do të luante një rol jo pak të rëndësishëm në filmin “Il Papa buono” me regjisor R. Tognazzi, ndërsa në vitin 2004 do të aktivizohej në filmin “L’orizonte degli Eventi” me regji të D. Vikarit. Dy vjet më pas do të ishte pjesëtar i kastës së aktorëve italianë në filmin “Don Mateo” të regjisorit E. Marketti. Në po këtë vit do të luante në filmin “Luomo della carita” të regjisorit A. Di Robilant, si dhe në filmin tjetër “La squadra”.

Shpirti i ndezur prej artisti Gjergjin e ardhur nga Shqipëria e mbante përherë të lidhur mbas artit. Mbase diku mund të nxirte ndonjë Euro më shumë, por ky nuk mund ta kuptonte veten larg e, ca më shumë, jashtë artit. Ishte kjo arsyeja që vazhdoi të kontribuonte aktivisht në fushën e kinematografisë.

Në vitin 2008 është pjesëtar i trupës që realizon pjesën kinematografike “La medicina generale”, ndërsa një vit më vonë është figurë artistike te filmi “La nuova squadra”.

I mbetur rob mbas pasionit të hershëm si aktor, Gjergji do të vazhdonte të aktivizohej në pjesë të ndryshme filmike, edhe pse tashmë përherë e më rrallë. Kështu, në vitin 2011 do të ishte aktor në filmin “Gli equlibristi” të regjisorit I. di Matteo, në vitin 2014 do të kontribuonte në filmin “La traiettoria degli aquiloni” të regjisorit D. Forcano.

Mbresëlëlënëse janë rolet e këtij aktori në pjesën filmike “Il sapore del sale” të regjisorit N. Gharbi, dhe në atë me titull “Scappo casa” të regjisorit E. Lando.

Burimi: AktoretShqiptare.info