Si rëndom në zakonin tim, po pija një kafe diku nga Liqeni, fill pas Krishtlindjeve, fillim jave, ditë pushimi. Më lajmëroi një miku im se aktori i shquar i teatrit dhe filmit shqiptar, Bujar Lako, kishte vdekur papritur nga një atak kardiak. Jo më tutje se mbrëmë kisha klikuar në Facebook një postim të tij. Kemi qenë studentë në një kurs dhe kemi mbaruar bashkë në Institutin e Lartë të Arteve, në vitin 1972. Ishte shumë herët për ta menduar humbjen e tij, paçka se nga kursi ynë janë shuar disa aktorë, që ndërtuan karriera të suksesshme, si Agim Qirjaqi, Fatos Sela, Mina Koxhaku etj., vdekje të parakohshme, që familjarëve e rretheve miqësore përkatëse u ka dhembur fort, pra dhe mua si shok e mik i tyre. Humbja e Bujarit ishte kaq e beftë.

S’ta rrokte mendja. Hidhërimin tim e bën më gërryes edhe fakti se herë pas here komunikoja me të në Facebook, rrjeti social komod që mundëson shumëçka. U gjenda si i zënë në kurth nga e papritura e lajmit. Afërmendsh, në mendjen time vetiu vërshuan kujtimet dhe nostalgjia që ta ngushton edhe më keq zemrën. Ndonëse s’u bëra aktor për një mijë e një arsye, në vitin e katërt takoi që ishim dublantë të po të njëjtit rol kryesor në një dramë, dhe ajo natyra e tij me vetëbesimin karakteristik dhe përkëdheljen e të gjithëve ne, shokëve të tij të kursit, por dhe të pedagogëve, për t’i falur vullnetarisht “gjethen e dafinës” Bujarit si talent i lindur, i vetëshprehur dhe i sigurt, sikurse edhe Agim Qirjaqit, Fatos Selës e ndonjë tjetri, nuk e kishte bërë kurrë atë një artist delirant. I sigurt në vetvete, ai rrezatonte.

Dhe koha, talenti burimor dhe puna, ia shpërblyen duke e bërë një nga aktorët më të fuqishëm, më origjinalë e më të vyer, sidomos të ekranit, por edhe të skenës. Dhe e dyta, jo vetëm mua, por të gjithëve në atë kohë na mbeti në mendje mbrojtja që ai, tok me të shoqen pianiste, i bënë dashurisë së tyre të sinqertë, të guximshme dhe të dëlirë, e cila theu norma e kode të ngrira e të imponuara, duke blatuar pikërisht ndjenjën e guximit për mbrojtjen e saj, pra të dashurisë. Ishte një akt moral shembullor përballë “shtrigave e shtriganëve” të kohës. Bujar Lako lindi në Korçë, më 9 maj 1946. Pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, dega Dramë, më 1973, filloi punën si aktor në Teatrin Popullor.

Interpretoi aty rreth 17 role të para, ku spikati në shfaqjet “Vizita e inspektorit” e Xh. Pristli (inspektori Gull), “Monserati” e E. Roble (Monserati), “Vdekja e komisionerit” e A. Milerit” (Bif), “Ditë vere” e Mrozhek, “Ariu” e A. Çehovit etj. B. Lako karakterizohet nga një lojë e natyrës psikologjike, me heshtjet emocionale dhe hirin e tij si aktor, me një fjalë përgjithësisht të ngadaltë, të ngrohtë e të rrumbullakosur, sidomos me një përjetim të brendshëm, të përmbajtur dhe dramatik.

Në vitin 2008 krijoi një figurë me identitet të qartë psikik, Marvin, te pjesa me të njëjtin titull të Meri Çiz, me të cilin ai harmonizoi rrafshet instinktive emocionale me ato logjike e qëndrimet racionale, të motivuara sajë një ekuilibri estetik e formal të qashtër, çka krijuan së bashku një modelim aktorial të mençur e inteligjent të vetë personazhit. Dalja e fundit e tij në skenë është ajo në rolin e Peshkopit në dramatizimin e novelës së I. Kadaresë “Kush e solli Doruntinën” (2015), regjisor Laert Vasili, të cilin e luajti brenda gjithë autoritetit kishtar teologjik që personazhi përfaqësonte, pa e ironizuar, zvogëluar apo përdorur rrafshet negativizuese të sarkazmës politike (siç ishte bërë në versionet e mëparshme skenike të kësaj novele), përkundrazi, duke u kujdesur për një format gjithëpo human, sa më pranë të vërtetës filozofike e historike, që shënjon edhe dimensionin mistik të vetë veprës.

Ishte pikërisht ajo “impozancë” e bukur që aktori kishte në skenë që na habiti, sikurse mençuria e tij në konceptimin “ndryshe” të personazhit për të ofruar një qasje sa më objektive të këtij kleriku të lartë, brenda një dimensioni, madje, psikologjik e qytetar, ku shfaqej ankthi. Më së shumti, B. Lako u shqua në kinematografi si një nga aktorët më të suksesshëm të saj me mbi 30 role.

U bë shpejt i njohur në rolin e Mistos në filmin “Në fillim të verës”, 1975, pastaj me rolin e Martin Krekës në filmin “Përballimi”, 1976, me të cilin u nderua me “Medaljonin e Festivalit”. Në filmin “Gjeneral Gramafoni”, 1978, realizoi me hijeshi dhe ndjenjë rolin e Halit Beratit, rol me të cilin fitoi kupën e Festivalit të Filmit. Aktori realizoi një shkrirje e njësim mjeshtëror të vetes me veprimet, ojnat dhe teknikën e të luajturit në instrument, për t’iu përgjigjur personazhit të tij (një klarinetisti të talentuar të muzikës popullore shqiptare). Kjo u arrit jo thjesht dhe vetëm në anët fizike e mimike, por në tërësinë e të jetuarit dhe të përshtaturit me rolin.

Në filmin “Dora e ngrohtë” ai krijoi një figurë ekspresive, vepruese, të kahut negativ, ndryshe nga prirja e tij e deriatëkohshme për të sendërtuar përgjithësisht role pozitive, njerëz të qetë, të vetëpërmbajtur, me një siguri të brendshme, si dhe figurat e heronjve. Mbresëlënës ishte interpretimi i aktorit në rolin e Tunxhit në filmin televiziv “Udha e shkronjave”, 1978, me të cilin fitoi çmim të veçantë në Festivalin I. Me këtë rol ai paraqiti nëpërmjet detajeve kuptimplote të rrafshit mimik e plastik, syrit zhbirues e të mbushur me emocion, si dhe përvijimeve të holla psikologjike figurën e një fshatari patriot, besnik, syçelët e të ndershëm.

Një tjetër rol i mishëruar me hijeshi dhe vërtetësi ishte ai i Mujo Bermemës, në filmin “Ballë për ballë”, 1979. Me qetësinë e brendshme, portretin, zërin e ngrohtë dhe gjestet e përmbajtura, B. Lako dha figurën e një ushtaraku të lartë të flotës detare, që e zotëronte mirë veten dhe u përgjigjej me gjakftohtësi e dinjitet provokimeve të ardhura nga kundërshtarët politikë. Me këtë rol u nderua me “Medaljonin e Festivalit”. Në vitin 1987 realizoi dy figura interesante, drejtorin te filmi “Telefoni i një mëngjesi” dhe Ferdinandin te filmi “Vrasje në gjueti”, më pas, më 1989, gjeneralin te filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, me të cilin është shpallur “Aktori më i mirë” në Festivalin e Filmit 1991.

Rishtazi te ky rol, falë qetësisë së tij të brendshme si aktor, vetëzotërimit dhe ritmit të lartë psikik të veprimit, ai ndërtoi një kontrast të fortë e domethënës midis fillimit impozant e autoritar të këtij hierarku të huaj ushtarak, nga njëra anë, me fundin pa lavdi të misionit të tij tinëzar, nga ana tjetër; tashmë një njeri depresiv, i pushtuar nga nervozizmi, nga rrëmbimi, deri edhe nga qëndrimet irracionale me humbjen e drejtpeshimit.

Në vitin 1995 ai luajti në filmin “Amiko” e Zhan Zhak Zyk, produksion francez. Duhen përmendur edhe role të tjera, që kanë mbetur në kujtesën e shikuesit si: Luigj Gurakuqi, filmi “Nëntori i Dytë”, 1982; këshilltari, filmi “Vendimi”, 1984; tenente Moruçi, filmi “Gurët e shtëpisë sime”, 1985; babai, filmi “Gabimi”, 1986; Kujtimi, filmi “Binarët”, 1987. Sa i takon kinemasë, ai ka një portret të hijshëm, vështrim zhbirues, përdor gjeste të kursyera, e zotëron ekranin, veçanërisht në plan-portret, por, kur situatat bëhen tejet dramatike dhe fitojnë ngarkesa psikike; ose kur personazhi gjendet në zgripin e një traume të fshehur a një rrethane të skajshme të natyrës ekzistenciale, shpesh fataliste – atëbotë loja e tij bëhet shpërthyese, merr temporitëm të shpejtë, madje arrihet deri edhe në plane nevrotike.

Bujar Lako është lauruar me Çmimin e Republikës së Klasit, si dhe mbante titullin “Artist i Merituar”. Kjo çka shtjellova më sipër është pjesë e shënimeve të mia si studiues i teatrit dhe kinematografisë, le ta quajmë pjesa racionale. Vjen një kohë dhe njerëzit ikin. Por kur kthejmë kokën pas, për artistë të shquar si Bujar Lako ka me se krenohet. Dita e sotme e mortit, pa dyshim, është e zymtë.

Humbja është e madhe, për familjarët më së pari, por edhe për të gjithë ne. Humbja e një aktori, imazhin e të cilit e kemi pasur brenda nesh, në shtëpitë tona, në kujtesat tona, është një humbje edhe kombëtare, sepse madhështia që ai arriti me talentin e tij është bërë pjesë e jona falë personazheve që interpretoi. Se Tunxhi nuk shkulet kollaj nga kujtesa, as klarineta e Halit Beratit… Imazhi i tij, ndonëse zemra reshti nga një atak i pabesë, do të mbetet përherë në mbamendjen tonë, jo vetëm në ekrane, por edhe në nostalgjitë e bukura, të ëmbla të shumëkujt që e ka njohur, ka këmbyer dy fjalë me të, ka pirë një kafe, ka buzëqeshur… Lamtumirë, i dashuri artist dhe mik!…

JOSIF PAPAGJONI

Burimi: Aktoret Shqiptare