Luiza Xhuvani
Luiza Xhuvani

Luiza Xhuvani (Papathanasi) lindi më 26 mars 1964 në Sarandë

U diplomua aktore në Akademinë e Arteve më 1986, por në Teatrin Kombëtar filloi punën pas një përvoje dy vjeçare në Estradën e Sarandës. Ende studente, fillon karrierën si aktore filmi me “Dhe vjen një ditë” (Infermierja) dhe “Flutura në kabinën time” (Flutura) të V. Priftit, me të cilin fiton Kupën për Aktoren më të Mire në Festivalin e Filmit, të vitit 1985, “Fjalë pa fund” (Magdalena) i S. Pecanit, “Hetimi vazhdon” (Hetuesja), “Rrethi i kujtesës” (Mbesa) i E. Musliut, “Muri i gjallë” (Rozafa) i M. Fejzos. Nga viti 1991 e në vazhdim ka një bashkëpunim të suksesshëm me regjisorin Gj. Xhuvani, nën drejtimin e të cilit interpreton në filmat “Bardhë e zi”, “Një ditë nga një jetë”, “Dashuria e fundit” (Mirjana), me të cilin fiton përsëri Kupën në Festivalin X të Filmit, më 1995, “Funeral Business” (Sana), me të cilin u shfaq në Festivalin e Venecias në vitin 2000, “Parullat” (Diana), me të cilin fiton Çmimin Aktorja më e mirë e Festivalit të Tokios 2003 dhe së fundi “I dashur armik” (2004).

Në Teatrin Kombëtar interpreton vazhdimisht role protagoniste, si në dramat “Unë dhe Mefistofeli” (Margarita) të B. Hoxhes, “Dhelpra dhe rrushtë” (Klea) të Figueiredos, “Dasëm gjaku” (Nusja) të Lorkës, “Rikardi III” (Ledi Ana) të Shekspirit, “Kati VI” të Alfred Zheri, “Këngëtarja tullace” (Misis Martin) të Ioneskos dhe komeditë “Valsi i Titanikut” (Xhena) e “Oportunesku” të Mushateskut, “Kopshti me dallëndyshe” (Maria) të Cikliropulosit, “Armiku i popullit” (Pietra) të Ibsenit, “Pulëbardha” (Nina) të Çehovit, “Cilindri” (Rita) të De Filipos, regjisor Kastriot Çipi dhe “Kapitulli i dytë” (Xheni) të Sajmonit, regjisor Mehmet Xhelili me të cilin fiton çmimin për Aktoren më të mirë të Festivalit të Aktrimit, Apollon 2004, në Fier. Jashtë kësaj skene, interpreton në produksionet e pavarura të dramave “Valle Vdekjeje” të Strindbergut dhe “Shërbëtorët” (Kler) të Zhenetit.

Filmografia

  • Në kërkim të kujt (2011), serial
  • I dashur armik – (2004) … Vefi
  • Parullat – (2001) … Diana
  • Funeral Business – (1999) , Sana
  • Dashuria e fundit – (1995) , Mariana Golemi
  • 8 persona plus – (1994) – komedi-teatër
  • Loin des barbares – (1994) …. Marieta
  • Një ditë nga një jetë – (1994)
  • Dhelpra dhe rrushte – (1991), teatër
  • Bardh e zi – (1991)
  • Unë e dua Erën – (1991) (TV), Era Selenica
  • Valsi i Titanikut – (1990), teatër-komedi
  • Muri i gjallë – (1989) , Fata
  • Flutura në kabinën time – (1988) , Flutura
  • Hetimi vazhdon – (1988), hetuesja
  • Rrethi i kujtesës – (1987), Genta
  • Dhe vjen një ditë – (1986)
  • Fjalë pa fund – (1986) Magdalena
  • Apasionata – (1983), studente