Meggi Albanesi
Meggi Albanesi

Me siguri jane te paktë ata që u ka rënë rasti të dëgjojnë për aktoren me origjinë shqiptare, një nga më sharmantet e botës kinematografike të Anglisë së 1920-ës, Meggie Albanesi. Shoqata për kërkimet Teatrore ka botuar gjithashtu një biografi të sajën të quajtur “Meggie Albanesi, një jetë në teatër”, shkruar nga Frances Gray.

Meggie shfaqi menjëherë të dhëna të mira aktoriale dhe pati role brilante që në fillimet e saj, megjithëse fati nuk deshi që të vijonte as jetën e as profesionin. Vdiq në moshë fare të re, vetëm 24 vjeç! Për aq sa jetoi e punoi, u bë një nga aktoret më të vlerësuara britanike dhe u bë e aftë të hidhte rrënjë në biznesin e filmit, që në 1919, me filmin ‘Mr.Wu”.

Kritikat erdhën menjëherë për të dhe ishin nga më të mirat, u konsiderua një figurë ikonë për brezin e ri të aktorëve që po shfaqeshin atyre viteve. Në vitet e mëvonshme u shfaq në filmin pa zë “The romance of Old Bill” apo “Darby and Joan’ me Ivy Close, te ‘The skin game” me Mary Clarie dhe Edmund Gwenn. Sidoqoftë, sado të gjatë ta ketë listën e debutimeve, pak për shkak të kohës e pak për shkak të viteve kur janë prodhuar këta filma, me siguri që nuk kemi imazhe të saj.

Mirëpo, shoqëria artistike e Anglisë së atyre viteve, nuk e njohu vetëm për këtë. Ajo lindi në fund të shekullit XIX nga një nënë noveliste dhe babai italo-shqiptar, Carlo Albanesi. Në fëmijëri, pati tendencën të ndiqte gjurmët e të atit e të bëhej muzikante, por në moshën 16-vjeçare vendosi papritmas t’i hyjë Akademisë së Artit Dramatik. Fillimet e studimeve u fokusuan në teknikat e zërit, praktikë që po ndiqej nga të gjithë studentët e kohës e që i shndërroi më vonë në aktorë të lakmuar.

Loading...

Përfshirja në jetën artistike e bëri atë të ishte pjesë edhe e një jete të tensionuar personale. Në xhirime pati fatin të luante me aktorin sharmant, yllin e kohës, Owen Nares. Njohu gjithashtu Basil Dean i cili i pushtuar nga ndjenjat për të do t’i siguronte një sërë rolesh. Mirëpo, Albanesi, e kishte ‘zënë’ tashmë zemrën. Jeta e saj personale ishte një katastrofë e vërtetë.

Lidhja intensive që nisi me kolegun Owen Nares, nisi të marrë tatëpjetën kur e shoqja e aktorit zbuloi një letër që i vinte nga Meggie. Natyrisht që iu përgjigj e shoqja duke e urdhëruar të mos e shihte bashkëshortin e saj. Pas kësaj, ajo kalonte çdo mbrëmje në restorantin “Cairo” në pritje të ‘zinte’ çdo mbrëmje një burrë të ndryshëm e ta shpinte në shtëpi për të kaluar natën.

“Ju nuk mund të kuptoni”, i pati thënë mikeshës së saj aso kohe, ndërsa të gjithë i tërhiqnin vëmendjen për drejtimin që po i jepte jetës. Rezultatet ishin të pashmangshme. Edhe pse nuk ka detaje ose të dhëna të sakta, të gjithë mësuan për abortet e saj të njëpasnjëshme. Çka është e sigurt, ngelet fakti që pas këtyre ngjarjeve, shëndeti i saj sa vinte e përkeqësohej.

Atyre kohërave, përpara penicilinës, infeksionet ishin fatale dhe Meggie vdiq pikërisht në vitin 1923, për pasojë të njërit prej tyre, ose shumë prej tyre. Vetëm 24 vjeç! Relacioni i ditëve të saj të fundit tregon se me gjithë sëmundjen, ajo vijoi të shkoi të xhirime deri në vdekje. Megjithëse nuk kishte bukuri magjepsëse, duket se talenti i saj ishte i tillë. Sado që fotografitë që gjenden sot nuk janë në gjendje ta dëshmojnë këtë, bashkëkohësit kanë treguar se ishte e aftë të luante shkëlqyeshëm qoftë komedinë, qoftë tragjedinë.

Është njëkohësisht e mrekullueshme dhe e trishtueshme të mendosh se ka qenë bashkëkohëse e Sibly Thorndike, Noel Coward, John Gielgud e shumë të tjerëve, por që ndryshe nga ata, nuk mundi të ishte pjesë e suksesit të shekullit XX që kolegët e saj patën./voal.ch