Pak kohë më parë Bashkia Shkodër dhe Sportklub Vllaznia kanë nderuar disa nga gjimnastët dhe trajnerët e shquar të këtij sporti të cilët për vite me rradhë kanë përfaqësuar me dinjitet këtë qytet në garat kombëtare dhe ndërkombëtare dhe duke i dhuruar atij jo pak trofe.

Në morinë e të nderuarve, nuk ka qenë Alarmina Manovi e cila në fakt ka një karrierë të suksesshme në këtë sport. Mjafton të përmendim vetëm një fakt: Kjo sportiste që në moshën 11 vjeçare ka marrë kategorinë e Mjeshtres së Sportit.

Kaq mjafton për të kuptuar se kemi të bëjmë me një gjimnaste e cila në vitet ’80 dhe deri në gjysmën e parë të viteve ’90 ka spikatur me performancën e saj në këtë sport duke e përfaqësuar me dinjitet emrin e Vllaznisë.

Po kush është Alarmina Manovi?

Alarmina Manovi ka lindur në Shkodër më 23 shtator 1979 dhe ka filluar sportin e gjimnastikës që në moshën 7 vjeçare, pra në vitin 1979. Një nga arsye pse zgjodhi këtë sport ka qenë motra e saj më

e madhe, Angjelina e cila ishte një gjimnaste e njohur e Vllaznisë në ato vite dhe si e tillë ajo e merrte me vete në palestër edhe motrën e vogël dhe kjo ia shtoi dëshirën asaj për t’u marrë me të njëjtin sport.

Në vitin 1980 Alarmina merr pjesë për herë të parë në gara sportive duke konkurruar në kategorinë e tretë dhe zë vendin e gjashtë. Një vit më vonë merr kategorinë e dytë dhe renditet e treta në vend. Në vitin 1982 do të merrte kategorinë e parë dhe do të zinte vendin e pestë.

Karriera e saj kësisoj vjen gjithnjë në rritje dhe në tetor të vitit 1982 kur ishte vetëm në klasë të pestë- 11 vjeçe, mori kategorinë e mjeshtres së sportit për herë të parë në ushtrimet e detyruara dhe fakultative, nën drejtimin e trajnerit Bardhyl Hoxha.

Në vitin 1983 arriti përsëri normën e Mjeshtres së Sportit në të dy llojet e ushtrimeve duke u renditur në 6 gjimnastet më të mira të vendit.

Në finalet e Spartakiadës së pestë Kombëtare më 1984, Vllaznia e femrave ka zënë vendin e parë duke merituar medaljet e arta. Një sukses në të cilin ka sukses edhe Alarmina, ashtu si dhe

gjimnastet e tjera të talentuara si Mira Mandia, Kozeta Jaku, Remzije Ashikja, Fatime Sujovi, Nevila Hajredini dhe e motra e saj, Angjelina Manovi, nën drejtimin e trajnerit Bardhyl Hoxha.

Alarmina e Deri e ka mbajtur titullin Mjeshtre Sporti deri në vitin 1993, pra 10 vjet rresht.Ne vitin 1986 eshte shpallur kampione kombetare ne klasifikimin e pergjithshem.

Në vitin 1987 është shpallur kampione në traun e ekuilibrit dhe e pesta në katërgarësh. Në vitin 1988 zuri vendin e dytë në traun e ekuilibrit dhe vendin e tretë në paralelen e shkallëzuar.

Në vitin 1989 zuri vendin e dytë në paralelen e shkallëzuar si dhe vendin e tretë në ushtrimet e lira. Ndërkohë në vitin 1991 në kampionatin kombëtar të zhvilluar në Elbasan zuri vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm.

Në vitin 1992 në kampionatin kombëtar të zhvilluar në Tiranë, zuri vendin e tretë në klasifikimin e përgjithshëm si dhe vendin e dytë në traun e ekuilibrit.

Në vitin 1993, në kampionatin kombëtar të zhvilluar në muajin qershor në Tiranë, Alarmina Manovi zuri vendin e katërt në klafikimin e përgjithshëm dhe vendin e dytë në paralelen e shkallëzuar.

Përveçse në garat kombëtare, Alarmina Manovi ka bërë paraqitje shumë të mira dhe është dalluar në disa veprimtari ndërkombëtare ku ka marrë pjesë si në garat miqësore me ekipin turk në prill të vitit 1992. Po ashtu ka përfaqësuar vendin tonë në Olimpiadën e dy gjimnasteve më të mira të Europës zhvilluar në Rumani. Ndërsa më 22 dhjetor të vitit 1992 ka marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik të gjimnastikës të zhvilluar në Athinë.

Gjatë karrierës së saj, për shumë vite ka punuar me trajnerin e mirënjohur Bardhyl Hoxha, ndërsa në fund të viteve ’80 dhe deri kur e ka lënë sportin, ka punuar me trajnerin Hivzi Bushati.

Jeta pas lënies së sportit

Pas mbylljes së karrierës sportive, është larguar jashtë Shqipërisë. Fillimisht në vitet 1997- 2003 në Gjermani dhe më pas, nga ky vit dhe deri më sot, jeton në Itali.

Në shtetin fqinj ndërkohë, që nga viti 2005 i është rikthyer pasionit të saj të rinisë, gjimnastikës. Ajo ushtron detyrën e trajneres në Rajonin e Perugias dhe stërvit çdo ditë në palestër 140 fëmijë.

Ka liçensën e trajneres të Rajonit ku jeton e punon, por shumë shpejt pritet të marrë edhe liçensën si trajnere kombëtare. E bën me shumë dëshirë këtë gjë dhe do të vazhdojë në të njëjtën mënyrë edhe në të ardhmen.

Privilegji

Alarmina Manovi është shumë e lumtur për atë çfarë ka dhënë për Shkodrën dhe Vllazninë gjatë karrierës së saj sportiv. Për këtë arsye, në një prononcim të

shkurtër për “Shkodra Sport” do të shprehej: “Jam e kënaqur për atë çfarë kam arritur në karrierën time dhe për atë çfarë i kam dhënë klubit Vllaznia. Kam hyrë qysh 7 vjeçe në palestrën e klubit dhe mensën e tij dhe kam dalë aty në fund të vitit 1994, plot 16 vjet.
Gjergj KOLA

Burimi: Shkodra Sport