Më 8 nëntor 1943, gjatë Luftës së Dytë Botërore, një ekip mjekësor amerikan që udhëtonte me një avion transporti C-53, nga Sicilia për në Bari të Italisë, bëri ulje të detyruar në Shqipërinë e Mesme, për shkak të motit të keq. Ky grup kishte në përbërje13 infermiere amerikane që do merrnin trupat e plagosura nga linja e frontit dhe do i shoqëronin për në spitale.

Për nëntë javë me radhë, pasoi një lojë kukafshehthi mes infermiereve amerikane të ndihmuara nga forcat partizane dhe forcave naziste.
Ato përshkuan një rrugë të gjatë derisa dolën në bregdetin e Karaburunit, duke arritur t’u shpëtojnë nazistëve që kishin pushtuar Shqipërinë. Në fillim të janarit 1944, ato u shpëtuan nga shërbimet e fshehta angleze.

Presidenti Ruzvelt e ndiqte ditë pas dite këtë situatë kaq të veçantë. Ishin grupi i vetëm i femrave infermiere amerikane, të cilat kaluan kaq kohë përtej linjës së armikut.
Në foto shihen pikërisht këto infermiere kur kthehen në atdhe.

Njëra prej tyre mban mbi krye një qeleshe tipike shqiptare, si shenjë e mirënjohjes ndaj ndihmës që u dha i madh e i vogël në Shqipëri, derisa ato dolën të sigurta nga aty./Fotografitë që kanë bërë historinë.