ALMA MILE/ Ish-shokët e luftës, të shpallur më vonë “armiq”, nuk duhet të figuronin më askund. Libra, fotografi…

Gjithçka e fshirë, e retushuar. Jo vetëm veprat e tyre personale, por edhe ato ku ata përmendeshin u “hodhën në zjarr”, ose u ribotuan me ndryshime, ndërsa imazhet e tyre u fshinë nga fotografitë.

Në historinë e diktaturës komuniste, të tilla gjenden me shumicë. Diktatori Enver Hoxha kujdesej të mos u linte nam e nishan “armiqve të popullit”. Nuk janë zhdukur vetëm imazhet e Koçi Xoxes, Mehmet Shehut, Tuk Jakovës, Kadri Hazbiut, Liri Gegës, Liri Belishovës etj., por mania e diktatorit shkonte deri te të afërmit e tij.

Ai do të zhdukte nga fotografitë edhe të motrën bashkë me nipin, për shkak të Bahri Omarit, kunatit që ai vetë e dënoi me v..dekje. Studiuesi Kastriot Dervishi na sjell një numër të bollshëm fotografish për të kuptuar filozofinë e funksionimit të regjimit diktatorial.

I ka përmbledhur në një libër të titulluar “Histori të retushuara të komunizmit”, botuar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, promovuar më 20 shkurt, në ditën e përkujtimit të rrëzimit të statujës së diktatorit Enver Hoxha.

“Dukuria e censurës historike paraqitej në dy forma: në ndalesën e përgjithshme të shfaqjes së figurave historike (Mbreti Zog nuk njihej fare nga populli si portret), si dhe në botimin e fotove të retushuara, të cilat ndryshonin herë pas here. Në atë kohë nuk kishte programe të posaçme kompjuterike siç ka në ditët tona, por përdorej teknika e thjeshtë e prerjes me gërshërë, montimit dhe e rifotografimit. Duhej patjetër që udhëheqësi të ishte me ‘burra të mirë’ të çastit e jo me persona që partia i kishte shpallur ‘tradhtarë”, apo nuk i dëshironte”, sqaron autori i një albumi, ku për herë të parë botohen fotografi origjinale, të retushuara me urdhër nga “lart”.

1934/ Fotografia në Bari të Italisë, E. Hoxha heq nipin dhe motrën

“Sa herë që shkonte në Francë, Enver Hoxha ndalonte në Bari të Italisë, pranë kunatit. Fotoja origjinale e tregon me të motrën Fahrien dhe nipin e vogël. Kur doli libri “Vitet e rinisë”, nipi dhe motra kanë ‘fluturuar’ nga fotografia, ndërsa vendi i fotos paraqitet sikur është në Francë, në mënyrë që të jepet ideja e një studenti serioz atje.

Pas pushtimit fashist të 7 prillit 1939, Enver Hoxha shkoi e qëndroi 3 muaj në Itali, duke ndaluar për herë të fundit në shtëpinë e Bahri Omarit”, shkruan Dervishi. Gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste, ky i fundit u bë ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, 5 nëntor 1943-16 qershor 1944. Në vitin 1945, ai u arrestua dhe u d.ënua me v..dekje nga Gjyqi Special.

1944/ Në Kongresin e Përmetit

“Më 24-28 maj 1944, sipas modelit tërësisht jugosllav, komunistët organizuan Kongresin e Përmetit, që ishte edhe themeli i pushtetit të tyre të uzurpuar”, shkruan Dervishi. Ai ka nxjerrë një fotografi nga kjo ngjarje, ku paraqitet një numër i madh pjesëmarrësish, në vijën e parë të së cilës janë organizatorët. Në fotografinë e punuar mungojnë krerët e shpallur “armiq të popullit”. Dervishi numëron emra si Mustafa Gjinishi, Sejfulla Malëshova, Liri Gega, Ramadan Çitaku. Kanë mbetur vetëm Spiro Moisiu, Omer Nishani, Enver Hoxha, Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Hysni Kapo.

1944/KURIMI I IMAZHIT TË DIKTATORIT

“Që prej vitit 1944, diktatori i Shqipërisë, Enver Hoxha, duhej popullarizuar. Në këtë kohë ai filloi të bëjë fotografi për të marrë pamjen e një komandanti. Pas vitit 1944 kërkoheshin vazhdimisht imazhe për t’u botuar në libra e albume, në të cilat duhet dhënë një variant udhëheqësi e optimist.

Për këtë arsye, janë shmangur fotot me bark të madh apo me veshje të rrudhosura. Hoxha deri në atë kohë nuk kishte qenë i kujdesshëm për veten e tij. Në mjaft foto, xhaketat i ka të rrudhosura, fotot nuk përçojnë entuziazëm etj.”, shkruan Dervishi, duke sjellë si shembull një foto, varianti i punuar i së cilës tregon një imazh më të pastër e të kuruar, të “hekurosur” dhe yllit me 5 cepa i është shtuar edhe drapri e çekani sovjetik.

1944/ “Martesa” e retushuar fotografike e E. Hoxhës me Nexhmijen

Fotografia e parë “zyrtare” e Enver Hoxhës me bashkëshorten e ardhshme Nexhmije Xhuglini daton në gusht 1944, gjatë një Kongresi në Helmës të Skraparit. Në një fotografi të shkrepur me këtë rast numëroheshin 8 persona, mes të cilëve edhe Hoxha e Xhuglini, në skaje të ndryshme të fotos. Sipas Kastriot Dervishit, në kohë të ndryshme kjo fotografi është botuar dy herë, një herë me 4 dhe një herë tjetër me vetëm 2 persona.

“Ata harronin se çfarë kishin botuar më parë. Nga origjinali janë hequr Koçi Xoxe, oficerë të huaj dhe partizanë shqiptarë. Në variantin e parë kanë ngelur Nako Spiru dhe Omer Nishani, ndërsa në variantin e fundit paraqiten Enver Hoxha dhe Nexhmije Xhuglini së bashku. Nëpërmjet këtij falsifikimi u arrit edhe “martesa” e parë fotografike e Enver dhe Nexhmije Hoxhës”, shkruan Dervishi.

1944/Hiqen ministrat e qeverisë

“Gjatë zhvillimit të mbledhjes së dytë të Beratit në tetor 1944, Komiteti i KANÇ-it u shndërrua në “qeveri demokratike”. Ky çast që tregon fillimin e rrugës së Enver Hoxhës si Kryeministër tregohet në këtë foto. Edhe kjo është përdorur në librin “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”, Tiranë 1984. Nga fotoja është hequr ministri i Drejtësisë, Manol Konomi. Për arsye vendi nuk ka dalë as ministri i Punëve të Brendshme, Haxhi Lleshi”.

Fotografia e Sekretariatit të BRASH-it, nga nëntë hiqen 5 persona

“Në foto është Sekretariati i Bashkimit të Rinisë Antifashiste, dalë në Helmës të Skraparit në gusht 1944. Kjo është një prej fotove që ndryshonte herë pas here. Në albumet e kohëve të ndryshme do ta gjesh në variante të ndryshme.

E filloi Xhoxhi Blushi (sipër, i pari djathtas origjinalit) dhe pastaj vijuan kohë pas kohe, Ramadan Xhangolli, Liri Belishova, Fadil Paçrami, Nako Spiru. Ngelën deri në fund pa u hequr vetëm Piro Kondi (i vetëm sipër, Ramiz Alia, Nexhmije Xhuglini dhe Alqi Kondi”, sqaron Dervishi.

1944/Hiqet Bedri Spahiu

Po nga mbledhja e dytë e Beratit në tetor 1944, Dervishi sjell një fotografi ku paraqitet Enver Hoxha duke folur në podium.

Nga variantet e paraqitura në albume dhe në librin “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”, është hequr figura e Bedri Spahiut.

1953/V..des Stalini, por ikën edhe Tuk Jakova

Pas v..dekjes së Stalinit, udhëheqja komuniste bëri homazhe para shtatores së tij në Tiranë. Në foton ceremoniale nuk duhej të ishte Tuk Jakova, i cilësuar pas vitit 1955 si “armik”.

1976/ Shokët e Byrosë

“Në përfundimin e Kongresit VII të PPSH-së, anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike kanë vizituar shtëpinë ku u themelua partia. Fotoja e parë është botuar në vitin 1980. E dyta, në albumin e vitit 1983. Janë hequr kësisoj: Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Mehmet Shehu./Panorama.com.al