Skënderbeut, as humbja nuk ia cenoi dot lavdinë

Aleko Pilika, trajneri i ekipit të pamposhtur korçar

Nga Vepror Hasani

“Skënderbeu” i vitit 1977, ishte e papritura e kampionatit, – nis të na rrëfejë ish-trajneri i Korçës, Aleko Pilika. Prestigji i ekipit ishte i lartë. Aftësia e lojtarëve binte në sy. Rezultatet ishin mbresëlënëse. Përkushtimi im si trajner ishte maksimal. Ne do ta fitonim kampionatin; këtë nuk e vinte në dyshim askush. “Skënderbeu” nuk mund të mposhtej nga asnjë skuadër. Ekipet e tjera ndiheshin të shqetësuara, veçanërisht “Dinamo”, e cila e shihte veten si pretendente e kampionatit. Megjithatë, askush nuk mund të parashikonte si do të rridhnin ngjarjet.

Episodet që do t’ju tregoj duken të pabesueshme për kohën kur kanë ndodhur, por janë të vërteta. Në portë kisha Jani Kaçin, në mbrojtje Gëzim Muhaxhirin, Petrika Tolen dhe Maqo Floqin; në mesfushë dy kompetentët: Gjergji Ballçon dhe Petrika Foton; i pari ishte lojtar i fantazisë, i kudondodhur si diçka e padukshme, kurse i dyti, pasues i distancave të gjata dhe i gjuajtjeve nga larg; në sulm kisha të papërmbajtshmin, Aleko Toshin, të lëvizshëm si era; Stefi Lubonjën, lojtarin e të papriturave dhe Dhimitër Xhambazin, bomber dhe shënues cilësor. Kush mund t’i bënte ballë një skuadre të tillë! Askush. “Skënderbeu” e nisi mbarë. Ndeshja Elbasani-Skënderbeu, përfundoi  0-1. Gazetari Besnik Dizdari në kujtimet e tij shkruan: “Ishe diçka e trishtuar tek shihje futbollistët Elbasanas të linin fushën e lojës pas atij zhgënjimi që pësuan. Por ishte dhe e bukur tek shihje gëzimin e Korçarëve për fitoren. Një gëzim që rezatonte kulturë, gjithçka sportive dhe respekt për kundërshtarin pa e fyer atë. Dhe epilogu? Shtrëngim duarsh dhe përqafime. … “Skënderbeu” bëri një paraqitje surprizë në Elbasan”. (Sporti Shqiptar, e martë, 17 shtator 1996, f. 7).

Rrugëtimi i “Skënderbeut”

Për të mbërritur në këtë stad, “Skënderbeut” iu desh një udhëtim i gjatë. Lëvizjet sportive zënë fill që nga viti 1908, por për shkak të luftërave jeta sportive u ndërpre. Në vitin 1933, Skënderbeu fitoi kampionatin. Sportistët më të talentuar të asaj kohe ishin: Teli Samsuri, Tato Bimbli, Servet Agaj etj,  Që nga atëherë kishin kaluar shumë vjet. Tashmë në vitin 1977, grupi i futbollistëve të përmendur  në krye të këtij rrëfimi, po bënin emër në futboll. E tillë qe edhe jeta ime, e nisëm futbollin me topa lecke, skuadrën e mëhallës e quajtëm “Briri”, sepse aty pranë ku luanim, mbi oxhakun e një shtëpie, ishin vendosur dy brirë të mëdhenj metalikë. Nisur nga kjo simbolikë, ne e përfytyronim futbollin si një luftë demash. Duhej të fitonte më i forti. “Briri” ishte krenaria jonë, ne nuk duhej të mundeshim asnjëherë.

Me para-të-rinjtë u aktivizova në viti 1956, kur isha 16 vjeç; trajner kisha Xhuvi Mborjen. Më pas na mori Tato Bimbli, lojtar i kampionatit të vitit 1933, kur “Skënderbeu” doli fitues. Ndiheshim krenarë me një trajner të tillë. Ishte kënaqësi të përzgjidheshe prej tij. Luanim me para të rinjtë e rretheve. Në vitin 1958 ekipi i të rinjve të “Skënderbeut”, ku tashmë bëja pjesë edhe unë, doli kampion kombëtar. Unë luaja qendërmbrojtës. Pjesë e “Skënderbeut” me të rriturit u bëra në përfundim të vitit 1958; kësaj radhe, unë, Maksim Tyxhari dhe Vangjush Samarxhi u përzgjodhëm nga  trajneri Spiro Qirinxhi. Tashmë, ëndrra ime e vetme ishte: “Skënderbeu” kampion! Prindërit e mi nuk dëshironin të merresha me sport, sepse ata të ardhmen time e shihnin te shkollimi, por unë e kisha përzgjedhur fatin tim që nga fëmijëria ime.

Përkushtimi im

Që dita e parë që u bëra pjesë e ekipit të “Skënderbeut” iu përkushtova kësaj skuadre, – vijon të na rrëfejë, Aleko Pilika. Trajneri kishte vërejtur tek mua aftësinë goditëse; topi nuk shkonte drejt te porta, pësonte thyerje gjatë trajektores së vet. Shënoja gola nga njëra ndeshje te tjetra. Me Shkodrën shënova dy gola; goli i dytë pasi bëri një lëvizje të drejtë, befas mori hark duke përfunduar në portë, ndërsa portieri Jonuz Teli, nuk e besonte dot si i kishte ndodhur ashtu.  Gola kisha shënuar jo vetëm në Korçë por edhe në Durrës, në Kavajë, në Tiranë etj. Kjo më nxiste të kërkoja më shumë nga vetja dhe ta perfeksionoja më tej goditjen e topit. Isha gjithnjë pjesë e sigurt e formacionit. Sportdashësit e mi ishin të shumtë. Mbeta i befasuar, kur pas përfundimit të ndeshjes me Shkodrën, ndërsa po ktheheshim në Korçë,  një grup tifozësh shkodranë na zunë rrugën e autobusit dhe nuk na linin të vazhdonim udhëtimin. “Kërkojmë të zbresë nga autobusi Aleko Pilika, – ishte kërkesa e tyre.

Nuk e dija përse më donin, por rrugë tjetër nuk kisha; zbrita. Mbeta i habitur, nisën të më përqafonin të gjithë, pavarësisht se kisha shënuar gol kundër skuadrës së tyre. Këtë ngjarje nuk e harrova asnjëherë. Shkodranët janë njerëz që gjykojnë me objektivitet. I falënderova dhe nisëm sërish udhëtimin tonë. Aftësitë e mia teknike u rritën dhe falë përvojës së sportistëve më të vjetër, si Kosta Koça, sulmues i avancuar dhe Zeni Çela, lojtar i qendrës. Më vonë bashkëpunova edhe me Kiço Kotomelo dhe futbollistë të tjerë. Cilësia ime në teknikë erdhi në rritje. Kjo ishte dhe arsyeja e ardhjes së ftesave për të luajtur me ekipin kombëtar, por që nuk u realizua asnjëherë, pasi tek unë gjithnjë gjenin një “kleçkë” biografie, që as unë vetë nuk kisha dijeni; ndoshta ishte zilia e të tjerëve që përhapnin të paqena të tilla kundër meje, të cilat e vështirësuan karrierën time. Megjithatë, unë ndjeja kënaqësi sa herë shihja “Skënderbeun” që përparonte.

Kur sheh lot te sytë e shokëve…!

Shërbimin ushtarak e kreva në ekipin e Dinamos. Ai merrte pjesë në Kupën Ballkanike, gjatë kësaj kohe pata rastin të luaja kundër Dinamos së Bukureshtit. Në vitin 1963, luajtëm  për Kupën Ballkanike ku merrnin pjesë “Dinamo” e Shqipërisë, “Dinamo” e Bukureshtit, dhe  “Fenerbahçe” e Stambollit. Ndeshjet ishin vajtje-ardhje. Në kthimin që bëri Fenerbahçe në Tiranë shënuam dy gola; të parin e shënova unë, kurse të dytin Lorenc Vorfi. Sa herë shënoja gol përfshihesha nga një gjendje shpirtërore e hareshme, konfirmoja veten që ende isha i zoti. Merrja përqafime nga shokët, urime, fjalë të mira, ndodhte që shihja dhe lot në sytë e shokëve të mi. Nuk kishte më bukur! Me mbarimin e shërbimit ushtarak (1963-1964), udhëtuam drejt Kinës. Takimin e parë e patëm me ekipi “Pai” të ushtrisë kineze.

Edhe atje shënova golin e parë nga një distance prej 20 metrash. Studentët shqiptarë që ndodheshin në stadium shpërthyen në thirrje dhe duartrokitje. Vetë kinezët atë gol e quajtën “raketa e ftohtë”.  Gjatë këtij turneu  shënova edhe dy gola të tjerë. Bashkëpunimi me Kinën nisi pas prishjes me sovjetikët. Shërbimi im ushtarak përfundoi me kthimin nga Kina. Më erdhi urdhri të lirohesha, por jo të shkëputesha nga ekipi i “Dinamos”, por unë shkova në Korçë dhe nuk u ktheva më në Tiranë, megjithëse kampionati nuk kishte përfunduar. Për këtë arsye më dhanë si dënim që për 6 muaj të mos luaja me asnjë skuadër, as me “Skënderben”. Gjashtë muajt e dënimit mbetën më të vështirat për mua. Megjithatë, prindërit e mi nuk dëshironin të merresha me sport, sa herë që flitej mirë për mua, ata trembeshin: “Lërë futbollin, – më thoshin, – do të hanë ata që kanë pushtet, miq dhe të njohur; kemi frikë se do të bëjnë keq, sepse ti ndryshe nuk heq dorë”. Por unë s’mund të dilja kundër ëndrrave të mia, ishte jeta ime.

Trajner i “Skënderbeut”

Më pas u bëra trajner i një grupi të talentuar futbollistësh. Ngjarja më e rëndësishme e jetës time e si trajner, mbeti kampionati i vitit 1977, kur isha 37 vjeç. Dy fazat e kampionatit i kaluam me sukses. Ekipi ynë doli në krye të tabelës së klasifikimit me pikë 20 me 20. Gazetari besnik Dizdari shkruante: “Skënderbeu” i Korçës vjen nga kategoria e dytë dhe papritmas kërkon titullin kombëtar …Sot e kësaj ditë nuk lëviz nga bindja: identiteti i skuadrës ishte trajneri Aleko Pilika. Një trajner me “ T” të madhe, një taktik i fortë, një këmbëngulje e rrallë, një qetësi sublime e një  kthjelltësie mendimi thuajse të pagabueshme. Kishte qenë një futbollist i shkëlqyer i qendrës së sulmit, madje edhe i “Dynamos”, së cilës i kishte ikur në kohën e duhur për t’iu kthyer Korçës së tij. Dhe pas kaq vjetëve “ish ngjitur në katedër” në rolin e profesorit. Nuk do të qëndronte vetëm te sentenca “më jepni një portier të madh se do të bëj skuadër”. Shkoi më tej. Jani Kaçi ishte i madh vërtet dhe ishte ai inspiruesi i tërë një skuadre. Ishte edhe Dhimitraq Xhambazi i 16 golave që tronditën një kampionat, midis të cilëve, trajneri Aleko Pilika kish vendosur një dyshe të mesfushës të një Milutin Kërçiçi, talent i rrallë futbolli e të një Gjergji Ballço, të cilët ndjeheshin edhe më të fortë duke pasur në prapa-krahë një Muhaxhiri, apo dhe një Lubonjë përpara”. (Sporti Shqiptar, e martë, 17 shtator 1996, f. 3)

Dhe ndërsa ishim pretendent të fitores, çuditërisht kampionatit iu shtua edhe një fazë e tretë. Nuk ishte e vështirë për t’u kuptuar. Me zë të ulët pëshpëritej gjithandej; kërkohej që fitues i kampionatit të ishe ekipi i “Dinamos” dhe jo “Skënderbeu”.

Na dë, nuan 4-5 lojtarë

Humbjen tonë e kërkonin të fuqishmit e asaj kohe, por unë sërish besoja se “Skënderbeu” ynë ishte i pamposhtur. Tifozët na ndiqnin ngado që shkonim. Për mua, “Skënderbeu” ishte jeta ime. E adhuroja. As fazës së tretë nuk iu trembëm: në Vlorë kishim fituar 2-0, goli i dytë u shënua nga Gjergji Lika (mbrojtës); në Tiranë fituam me gjysmë ekipi sepse 4 apo 5 nga lojtarët tanët u dënuan. Tek të dënuarit bënte pjesë edhe portieri ynë, Jani Kaçi; mbetëm pa portier. U detyruam t’i zëvendësonim me rezervat. Vendin e portier Kaçit e zuri Maksi Tole; ai ishte mbrojtës, ndaj shpesh merrte topin e çante përpara, duke e lënë portën vetëm. “Harronte” që ishte portier! Ndeshja përfundoi 1-0 për ne. Goli u shënua nga Vaskë Thimo në minutën e dhjetë të pjesës së parë. Gjithkush u bind se “Skënderbeu” ishte i pamposhtur; kjo u pranua edhe nga vetë tifozët e “Dinamos”. Në fazën e tretë shkuam në Shkodër, fituam 2-1. Prej specialistëve të futbollit morëm urimet më të sinqerta: “Bravo – ishte shprehja që dilte prej zemrave të tyre, – e meritoni kampionatin! Për vlerat e “Skënderbeut”, u shkruajt edhe në shtypin e kohës. Për hir të vërtetës deri atë çast ndihesha me krahë. Kjo kishte qenë ëndrra ime. Edhe faza e tretë eci mirë, ekipi nuk dha asnjë shenjë lodhjeje. Ndeshjen e fundit e patëm me Durrësin; ajo do të përcaktonte kush do të ishte fituesi e kush do të ishte humbësi. Stadiumi ishte plot. Sekretari i parë, Mihallaq Ziçishti, i cili ishte transferuar nga Korça në Durrës, kishte zënë vend te tribuna. Unë, pasi kishte mbaruar nxemja, po rrija te pista dhe bisedoja me futbollistët. Pashë që Ziçishti zbriti nga tribuna dhe erdhi drejt meje. Dukej i mërzitur. “Trajner Pilika, – më tha pa e ngritur shumë zërin, – unë po iki, nuk do ta shoh ndeshjen sepse kjo punë është e kopsitur”.

Nuk e besoja dot,  çfarë po ndodhte

Jo se nuk i besova Ziçishtit, sepse të gjithë e dinim, por sepse i besoja skuadrës time, besoja edhe te fitorja. “Futbollit nuk i dihet”- thashë me vete, – pavarësisht nga pazaret. “Dinamoja” luante në veri të vendit me një skuadër të dobët; përveçse ia dhuruan ndeshjen, e lanë të shënonte shumë gola; kjo u bë që t’ia kalonin edhe Xhambazit si golashënuesi më i mirë. Në Durrës humbëm 1-0. Arbitrimi ndihmoi kundërshtarët tanë, por tashmë nuk kishte sportdashës që të mos e thoshte me zë të lartë: “Ekipi i Skënderbeut është i pamposhtur”! “Brirët e demit” nuk ishin thyer nga paaftësia e tij, por nga intrigat. Lajmi për humbjen e “Skënderbeut” nuk la tifoz pa dëshpëruar, kudo që ndodhej ai, por besoj se ndryshe nga të tjerët, më i dëshpëruari isha unë, për këtë ngjarje shkroi sërish besnik Dizdari: “Ai (kampionat) mbetet në histori si një ndër kampionatet më të bukur, më të fortë për Shqipërinë. Protagonist është “Skënderbeu”. Kampionati përfundoi, më 12 qershor 1977. “Dinamo” është kampione, “Skënderbeu” nënkampion. Ndjej mall për këta emra-kampionë të pashpallur. Trajneri Aleko Pilika. Mandej Kaçi, Ballço, Xhambazi, Kërçiçi, Dembo, Qirjazi, Muhaxhiri, Tole, Lika, Floqi, Foto, Avramushi, Lubonja, Thimio, Toshi…”.(Revista “Sporti Shqiptar”, 2011, f. 2). “Skënderbeu” pati sukses të paharrueshëm edhe në vitin 1966 me trajner Ilia Shuken, portier Koço Dinellën, qendërmbrojtës Dhimitraq Dembon, mesfushor Todo Vason, sulmues Aleko Toshin dhe shënuesin e ekipit, bomberin, Dhimitraq Xhambazi. Rolin e organizatorit e kisha unë, – thotë Aleko Pilika.

Trainer me “Shpresën”

Humbja me Durrësin na la në vend të dytë, por pavarësisht nga kjo, të gjithë e dinim që ishte një humbje e pamerituar. Për këtë arsye, ndoshta edhe për të kompensuar dëshpërimin tim dhe të ekipit të “Skënderbeut”, Federata na dha të drejtën të luanim për Kupën Ballkanike. Ndeshjet  brenda me “Arsin” e Selanikut dhe “Rjekën” e Jugosllavisë, i fituam. Më caktuan trajner të ekipit “Shpresa”. Atë vit ekipet kombëtare nuk morën pjesë, konkurrohej me Shpresat. Dy ndeshjet e para me ekipin jugosllav, i cili ishte ekip i vështirë, arritëm barazim në Shkup. Nuk morëm dot fitore sepse seleksionimi nuk ishte i duhuri.  Për këtë shkak, u detyrova të merrja 4 lojtarë të Skënderbeut: Milutin Kërçiçin, Petrika Tolen, Gëzim Muhaxhirin dhe Niko Andonin. Me Jugosllavinë fituam në Tiranë me golin e Kërçiçit. Arritëm të kualifikohemi.

Kur do të luanim me grekët, nuk i di arsyet, më pezulluan, por Shpresa e fitoi Kupën Ballkanike. FIFA që njihte rezultatet e trajnerëve shqiptarë, caktoi me emra tre trajnerë; mua, Capo-n e Fierit dhe Çurin e Vlorës, por çuditërisht nuk na njoftuan, sërish ose ishte bërë sebep ndonjë “kleçkë biografie”, ose nga që ziliqarët arrinin të përhapnin të pavërteta. I befasuar mbeti edhe shtypi, pyetjet e tyre: Pse nuk u lajmëruan tre trajnerët e përzgjedhur nga FIFA, nuk morën përgjigje. Kështu më ndodhi edhe në ndeshjen me Danimarkën, deri të shtunën isha pjesë e formacionit, kurse të diel nuk isha në listë. Mbeta rezervë. Në atë kohë edhe sikur të dëmtohej një nga futbollistët, nuk zëvendësohej. Loja vijonte me lojtarët e mbetur. Ishte viti 63-64.

Epilogu

Në vitin 1978, “Skënderbeu” ra në kategorinë e dytë, vendin tim e zuri një tjetër, por koha e artë e “Skënderbeut” nuk u kthye më. Arsyet pse trajneri Aleko Pilika, nuk e kurorëzoi dot mundin e vet, i jep gazetari i mirënjohur Besnik Dizdari: “Nuk ka qenë e lehtë për Pilikën, sepse ai kishte prishur një qetësi, kishte lëkundur disa plane, i kishte zënë rrugën dikujt. Nuk qe trajneri i përkrahur, nuk qe trajneri llafazan, nuk qe trajneri mburravec, nuk qe trajneri i vetëkënaqur në një boshllëk dhe trajneri i përkëdhelur i Federatës prej një konjukture, prej një klani që duhej shkatërruar, por që shpesh nuk mund të shkatërrohet prej atyre lidhjeve të padukshme të merimangës së zezë që fshihet qoshkave e skutave të një interesi malinj. …Aleko Pilika 1977 ishte nga ata, të cilët nuk kishin përkrahje qoftë prej bijve të sigurimsave të vjetër, qoftë të atyre të anëtarëve të Byrosë Politike, tifozë prepotentë…”. (Sporti Shqiptar 17 shtator 1966, f. 2).

Të kesh fatin e sportistit!

Sa herë kujtoj, bëmat dhe fatin e keq të “Skënderbeut”, sjell ndërmend edhe tifozët e shumtë që nga ndiqnin në çdo ndeshje. Nuk kishte stadium që ta nxinte Korçën. Vërshonin të gjithë; të mëdhenj e të vegjël të shihnin “Skënderbeun”. Edhe pemët përreth stadiumit mbusheshin me njerëz. Për të parë ndeshjen vinin edhe nga Kolonja, Devolli dhe Pogradeci. Shkuleshin gjithë të rinjtë e fshatrave; ishte një festë e madhe. Kur shënohej gol, oshtima e thirrjes përhapej deri fshatrave të largët. Sa herë dëgjoja tifozët të më thërrisnin me emër: Aleko Pilika, bëhesha më krahë, emocionohesha, më shtoheshin forcat, dëshiroja të bëja të pamundurën.

Kujtoj gjithashtu edhe shqetësimin e prindërve të mi. Kur isha 13 vjeç, nëna ime, Eleni, më mori për dore dhe më çoi të kisha Katolike e Korçës; konkurrohej për vizatim. Zura vendin e parë, por nuk na dhanë bursë studimi. Për këtë arsye, nëna u tha njerëzve të pushtetit që nuk mund të më çonin në Tiranë, sepse nuk e përballonin dot.  Studiova në Korçë. Tashmë jetoj me një pension modest. Kështu ndodh me të gjithë sportistët, edhe pse për vite të tëra i zbukuruam jetën rinisë, e cila ishte e zhytur në terr, siguronin të ardhura për shtetin e asaj kohe, sepse stadiumet mbusheshin plot, e veç kësaj çdo mëngjes shkoja në shkollë për të dhënë lëndën e vizatimit; pa kujtuar këtu orët e gjata të stërvitjes, mundin dhe djersën tonë, sepse edhe po t’i kujtosh, ata që kemi në krye nuk do të kujtohen kurrë të mendojnë qoftë edhe një çast për ne.

Burimi: Telegraf.al