“Aleksandër Kondo, fati i trishtë i një ëndrre” ishte emisioni që u transmetua dje në mbrëmje në kanalin RTSH 1. Ky është një dokumentar i cili bën fjalë mbi jetën dhe karrierën e ish-sportistit të talentuar dhe legjendës së peshëngritjes shqiptare të viteve ’80-të, Aleksandër Kondo, i cili në vitin 1985, shfrytëzoi kampionatin Europian të Peshëngritjes që po zhvillohej në Poloni, dhe gjatë kthimit me ekipin, u arratis në ish-Jugosllavi dhe më pas në SHBA, ku dhe humbi jetën dy vjet më pas, në rrethana ende të paqarta.

Lidhur me këtë, historiani Dashnor Kaloçi shprehet: “Ne jemi munduar dhe kemi rindërtuar në mënyrë kronologjike, pothuaj momentet kryesore të jetës, karrierës sportive dhe ngjarjes tragjike ku humbi jetën Aleksandër Kondo, si dhe persekucionit që pësoi e gjithë familja Kondo pas arratisjes së tij.

Të gjitha këto janë ndërtuar në bazë të dëshmive të disa prej shokëve dhe trainerëve të ekipit, si p.sh. Asim Belinova, Elez Gjoza, Agron Haxhiyseni, Gudar Beqiraj, Ferit Berberi, Ajet Toska etj, njerëzve të familjes së tij (babai Vangjeli dhe e motra, Valentina), si dhe persona të tjerë që e kanë njohur Aleksandrin dhe familjen e tyre, si në Tiranë, ashtu dhe gjatë periudhës së internimit në Martanesh.

Të gjithë këta me intervistat e tyre, sjellin fakte e dëshmi të reja dhe të panjohura për Kondon, deri në momentin e arratisjes së tij në Titograd. Një nga dëshmitë mjaft interesante gjatë këtij dokumentari, është ajo e Nderim Kupit, ish-emigrant politik në SHBA që në vitet ’50-të kur u arratis nga Shqipëria, i cili ka qenë personi i parë që Aleksandër Kondo ka komunikuar në telefon me të që nga Jugosllavia, gjatë ditëve që ai priste statusin e azilantit politik.

Kupi, i cili për gati 25 vjet me radhë ka shërbyer me punë në SHBA pranë Zyrës së Komisariatit të Lartë të Refugjatëve (për Europën Juglindore) dëshmon edhe për tentativën e dështuar për rrëmbimin e Kondos në Jugosllavi, me anë të dy vëllezërve kosovarë që u dërguan enkas me mision sekret nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar.

Po kështu z. Kupi rrëfen edhe për miqësinë e tij me Kondon në SHBA, ku ai e ndihmoi që të stabilizohet me banim dhe punë, e deri te ngjarja e aksidentit fatal ku ai humbi jetën në rrethana ende të pasqaruara, rreth të cilave flitet dhe do hidhet dritë në këtë dokumentar”.

Eduart Illnica/Konica.al/