Niveli artistik i teatrit në vend ka rënë, edhe pse në këtë situatë kanë ndikuar shumë probleme. Për regjisorin dhe aktorin Alfred Bualoti për jetën artistike të teatrit duhet të ketë shumë më tepër vëmendje. Kjo jo vetëm sa i takon buxheteve që jepet për zhvillimin e jetës artistike, por dhe punës që bëjnë vetë artistët. Në intervistën për “SOT” edhe pse regjisori Bualoti shprehet se ka raste me shfaqje që janë realizuar mirë në skenë, ai pranon se niveli artistik për teatrin në përgjithësi nuk është ai që duhet. Sipas tij, më shumë mendohet për ti bërë reklamë veprës para se të vijë në skena, dhe kur shkon në teatër nuk është ajo që ke menduar se përcjell shfaqja teatrore. Në këtë situatë ai pohon se përgjegjësi kanë të gjithë. Regjisori Alfred Bualoti njëkohësisht dhe drejtor i festivali ndërkombëtar të teatrit “Butrinti 2000” ndalet dhe në zhvillimin e edicionit të 17 këtë vit. Ai shprehet se deri tani janë të përcaktuara katër shfaqje teatrore, por shpresojnë që deri në zhvillimin e festivalit ky numër të arrijë në gjashtë.

-Festivali ndërkombëtar i teatrit “Butrinti 2000” i këtij viti do të zhvillohet në muajin korrik. Si drejtues i tij çfarë mund të na thoni për edicionin e 17?

Festivali do të zhvillohet nga data 7 deri më 13 korrik. Subvencionet nga Ministria e Kulturës ne i kemi minimale. Në këtë situatë sigurisht, që do të kemi reduktime për trupat. Por megjithatë ne katër trupa të huaja i kemi të përcaktuara që vijnë nga Ukraina, Bullgaria, Greqia, Serbia. Nga Shqipëria ne kemi këtë marrëdhënie me Ministrinë e Kulturës që presim nga momenti në moment të na subvencionojë dy trupa, njëra që është ajo e Teatrit Kombëtar të Prishtinës me veprën “Karnavalet e Korçës”. Duam ta kemi sepse “Butrinti 2000” ka pasur gjithmonë në politikat e tij që nga viti 2000 marrëdhëniet Kosovë, Serbi. Kjo do të thotë që më datë 8 luan trupa nga Beogradi dhe më datën 9 korrik luan trupa nga Kosova. Pra artistët janë bashkë gjithmonë dhe nuk i ndan dot as politika, as armiqësia, sepse ka një mesazh të madh arti dhe sidomos ai skenik për të qenë njerëzit bashkë. Për të kaluar gjithçka nëpërmjet dialogut dhe shkëmbimit të kulturës. Por në festival do të bëjmë dhe një homazh për komediografët shqiptarë nëpërmjet profesor Përparim Kabos. Një homazh duke përmendur të gjithë dramaturgët tanë sidomos ata që kanë shkruar komedinë, që nga Spiro Çomora që ka shkruar “Karnavalet e Korçës”, po ashtu dhe Kristo Floqi apo dhe të tjerë që kanë shkruar komedi. Ne mendojmë gjashtë shfaqje që të jenë në festival dhe katër i kemi të përcaktuara. Një do të jetë me muzikë që nuk i takon teatrit me të cilën ne duam ta hapim festivalin e Butrintit. E kemi shumë për zemër sepse është e veçantë. Janë 23 femra në orkestër, që do të luajnë në skenën e Butrintit.

-Ju do të bëni në festival dhe një homazh për komediografët shqiptarë, por nëse flasim për dramaturgjinë shqipe sot në skena ajo mungon. Ju si e shikoni?

Kjo problematikë i takon teatrove. Unë nuk e di se çfarë iniciativash marrin. Nuk e di se si i promovojnë ata dramaturgët e rinj, dramaturgët e dikurshëm, dramaturgjinë shqiptare dhe të tjera, por i takon teatrit që të bëjë ç’është e mundur që repertori  i tyre të ketë dhe dramaturgjinë shqiptare, qoftë komedi dhe dramë. Por kjo nuk bëhet me konferenca dhe demagogji, por me projekte konkrete. Pra mbahet pranë dramaturgu dhe i jepet një mundësi, qoftë nga dramaturgjia klasike e dikurshme, ajo që shkruhet sot dhe ajo që enkas të shkruajë për teatrin dikush. Pra teatri duhet të hyjë në marrëdhënie të ngushta me dramaturgun apo dramaturgen. Duhet të hyjë në këto marrëdhënie. Nëse se bën këtë atëherë asnjëherë nuk ke për të pasur produkt cilësor. Kjo i referohet dhe eksperiencave evropiane apo botërore. Përmes teatrit dramaturgët tanë janë bërë dramaturgë të vërtetë. Duke qenë pranë trupës dhe teatrit, duke shkruar, duke pasur një marrëdhënie me regjisorin që merr këtë vepër për ta vënë në kenë, pra hyn në një proces laboratorik vepra e tij, edhe pse ai e ka shkruar. Në këtë drejtim teatri në vendin tonë nuk bën atë që duhet. Por nëse flasim për Teatrin Kombëtar ai mbi gjithë të tjerët duhet të ketë prioritet dramaturgjinë shqiptare në aktivitetin e tij. Pra në këtë drejtim duhet të kemi në skenë dramaturgjinë shqiptare dhe janë të gjithë mundësitë. Mund të merren vepra dhe nga letërsia të dramatizohen dhe quhen vepra të dramaturgjisë shqiptare. Mua më kujtohet shumë mirë që dy a tre vepra që ka pasur teatri nëpërmjet dramatizimit të romaneve si ka qenë “Rënia dhe shkëlqimi i shokut Zylo”, “Kur qesh i gjithë qyteti” apo dhe të dramatizime të tjera vinin nga letërsia. Hynë në laboratorin e teatrit dhe mbeten si vepra të mirëfillta të dramaturgjisë shqiptare edhe pse ishin pjesë e letërsisë. Pra ka plot vepra, por kërkojnë angazhim, kërkojnë ngacmimin, idetë, etj.

-Sipas jush sa është shqetësuese situata në art dhe kulturë sot, pasi artistët ngrenë jo pak probleme?

Unë akoma nuk arrij që ta kuptoj se pse nuk është bërë akoma statusi i artistit tek ne. U bënë shumë vite që flitet nga artistët, janë dorëzuar kërkesa, është kërkuar të jetë në vëmendje nga ministritë ndër vite, por asgjë deri tani që ne flasim. Këtu nuk është fjala për ndonjë gjë të madhe, por për plejadë artistësh që nga pikëpamja e numrit është fare e rëndomtë. Nuk arrij të kuptoj që përse nuk firmoset statusi i artistit. Statusi i artistit duhet sepse nuk braktis artistin. Ka shumë gjëra që rregullon statusi i artistit për aktivitetin e tij, statusi mund ta bëjë jetën e artistit shumë më komode dhe do të ndihmonte. Por kur nuk ekziston ky status, sigurisht që institucioni nuk ka interes për këtë punë, Ministria e Kulturës merret me shumë drejtime dhe nuk i bie ndërmend që këtu kemi të bëjmë dhe me një ushtri të artistëve të skenës në vend. Shteti duhet të ketë një angazhim shumë të madh sepse është pasuri e tij në radhë të parë.  

 -Si e shikoni sot skenën e pavarur kulturore në vend?

Skena e pavarur kulturore në vend është shumë e varfër. Kjo ka të bëjë dhe me artin, por dhe me krijimin e kushteve nga shteti. Pra janë dy anë të medaljes. Ti mund të marrësh iniciativë, por kur nuk të jep mundësinë se nuk e vlerëson, çfarë mund të bësh. Por ne sot kemi mjaft probleme me jetën artistike, mungesë infrastrukture, probleme me buxhetet për aktivitetin që mezi gjenden. Në këtë drejtim ka shumë mangësi sepse nuk mbështete sa duhet skena e pavarur kulturore. Ajo që thuhet për të ndihmuar artistin duhet të jetë konkrete, sepse ndryshe mbetet diçka në përgjithësi në raportet e konferencave të shtypit. Sa i takon buxheteve për artin në institucionet tona apo dhe pjesë e aktiviteteve që janë të skenës së pavarur kulturore duhet të jenë sa më shumë. Kjo ka të bëjë shumë nga të kuptuarit, me filozofinë e mendimit që ka shteti ndaj artit dhe kulturës. Nëse shteti e konsideron primare sigurisht që do të jenë subvencione më të mëdha për artin dhe kulturën në vend.

-Çfarë mendoni sot për nivelin artistik të shfaqjeve të teatrit në përgjithësi?

Po të shikojmë publikimin që bën nëpërmjet ekranit teatri se çfarë premiere po bëhet apo se çfarë shfaqje është, ka filluar të bëjë pak ekzibicione alla film, të xhirojnë në rrugë. Të reagojnë me disa portrete edhe flitet që është një vepër e tillë apo e atillë, dhe kur shkon atje konkretisht shikon një paçavure. Mbetet vetëm ajo që ke parë në televizor për të të joshur dhe nuk ka lidhje fare me atë që vjen në skenë. Reklama e saj për të afruar njerëzit është shumë intriguese, por ama kur shkon, shikon një paçavure në shfaqje. Por para viteve ‘90 fliste shfaqja në teatër, ne nuk kishim fare gjëra të tilla. Sot flitet më shumë në konferenca për shfaqjen dhe vepra është bosh.

-Sipas jush, ku shkon përgjegjësia në këtë situatë?

Për shfaqje të tilla teatrore sigurisht që përgjegjësinë e kanë të gjithë bashkë, ama koka e kësaj pune është regjisori dhe më pas i gjithë ekipi, të mos flasim dhe për titullarët e teatrit. Mjaftohen me gjëra të rëndomta, që koha i fshin shumë shpejt. Më thoni një nga veprat e Teatrit Kombëtar që jepet në televizione, që nuk ka të mbaruar dhe ndiqet me adhurim. Më thoni një vepër të plotë, si ato që jepen që nga koha e socializmit. Nuk ka. Kjo nuk do të thotë që nuk janë bërë vepra teatrore në skena, sepse shfaqje ka, por në përgjithësi niveli artistik i teatrit në vendin tonë ka rënë. Ka një lloj filozofie, që mendojnë se teatri bëhet dhe duke pirë kafe, por duhet harruar kjo. Teatri do vetëm djersë, por dhe mund shumë të madh, do studim të thellë, të ndjekësh problematikën e vendit, të jesh njohës i thellë i teatrit sot në Europë. Pra do kulturë të mirëfilltë për të arritur maksimalisht nëpërmjet artit tënd në nivelin e artit të sotëm. Ndryshe ti mund të bësh në tavolinë si artistë të mëdhenj, por realisht ti nuk je asgjë, sepse koha të fshin apo përballja me Europën ty si artist të çon nuk e di se ku. Në këtë mes duhet një reagim shumë i mirë.  

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/