Nga Gentiana Kone

I vagëllt, me hapa që i merreshin nga nata e gjatë, agu hyni në shtëpinë e kuqe.

Rrugica e Shtëpive të Kuqe, kështu ishte emri i saj, ishte plot me të tilla por kjo ishte e vetmja me një portë sqimtare, ku zambakët e skalitur në hekur të rrahur, ndiqnin njëri-tjetrin drejt harkut, si kapelë majuce.

Jojo, macja e shtëpisë, hapi vetëm njërin sy dhe nuk denjoi me e përshëndet.

“Je herët sot”, la të kuptohet mbështjellja kutullaçe dhe mbyllja sërish e të dy syve të saj.

Në dhomën e ndejtjes zambakët në vazon e kristaltë ishin të mbyllun edhe ata.

Asnjë libër i hapun mbi shkronjësin, asnjë pipëtimë nga bashkësia që rrinte me trupa të drejtum e të puthit me njëri-tjetrin, në katet me dru të hershëm.

Në dhomën e blertë persianet e mbylluna plotësisht, nuk lëviznin as qerpikët xhufka, për të mos zgjuar dy  qeniet në shtratin e bardhë. Flokët e gjatë mjaltoshë të njërës prej tyne ishin gjarpëruar ndër gishtat e dorës së tjetrës.

Habia e bëri agun të ndriste më shumë, kur zbuloi që në dhomën e fëmijës nuk gjendej kush. Nënkresa ishte akoma e ngrohtë. Fifi, lepurushi prej pellushi vienez, drejtoi gishtin tek dera e një dhome të tretë, ku një lule në blu gentiane ishte pikturuar.

“Aha, më në fund dikush po më pret”, mendoi agu i ngazëllyer. Gjithsesi, drojtja prej lules e bëri të ndryshonte mendim. Më mirë të hynte nga dritësorja e qelqtë që shihte në kopsht sesa nga dera ku lulja blu e kundronte me bishtin e syve petale.

U ngroh kur pa fëmijën me flokët puplorë pështjellë ndër krahët e zonjës gjatoshe, ku një flok në çdo duzinë ishte i argjentë. Nuk zgjati shumë e dy qeniet e pështjella si gjumashja Jojo me bishtin e saj, i buzëqeshën njëra-tjetrës duke u shtriqur fort. Pas një shenje misterioze gishti mbi buzë, futën këmbët e zbathura në pantofle dhe në majë të tyre dolën në kopsht. Ndoqën udhën e trëndafilave të pikluar nga vesa xixëllitëse dhe, më tej, atë të violetave imcake me fytyra të habitura verdhore, për të arritur te pusi i gurtë. Pas tij, ngrihej shkurrishtja e blertë.

Me kurreshtjen që shtohej çdo sekondë që kalëronte, agu u zgjat si një fjollë e hollë tymi të tejdukshëm dhe zuri vend në  çikrikun që kovën e pusit mbante. Ulur në gjunjë, flokargjenta nuk nxirrte zë dhe në folenë e saj prehërore, fëmija kishte zënë vend si një kotele, me sy të mëdhenj të hapur nga padurimi me zbulu botën përtej shkurreve.

Të katër sytë, pa llogaritur agun, shikonin drejt, aty ku mes gjetheve një dritarëz fare e vogël ishte hapur. Përtej saj fillonte pylli i madh. Në ato pak metra bar, që si një përrua i blertë ndante pyllin me kopshtin e shtëpisë, ishte mbledhur një kuvend.

Kuvend lepurushash nga të gjitha ngjyrat!

Trupthat e gëzoftë ndriçonin edhe ata nga vesa dhe veshët lëviznin sa herë që një flutur i prekte. Bryma nuk kishte ikur ende dhe dukej sikur lepurushat pluskonin me këmbë e bisht-topth të kredhur në një qumështor të ëmbël. Në gojët e vogla zhdukeshin fijet e barit me një shpejtësi marramendëse. Mustaqet e imta nuk dalloheshin mire, por dy vrojtueset, kundronin me sy që shkëlqenin e zemra që rrihnin në një duet lumtunie.

Një zë paralajmërues këndoi nga pylli. Me kërcime të shpejta topthat e gëzoftë ngjyra- ngjyra u zhdukën si të përpirë nga toka.

Me fëmijën në krahët e saj, zonja mori udhën e kundërt përmes kopshtit, drejt shtëpisë së kuqe. Fjalët e një ninulle të hershme shoqëronin tingujt valëvitës të hapave të saj.

Pa mbaruar ende udhëza me ajrin e mermtë nga trëndafilat, flokët puplore të fëmijës në krahët e saj kishin hyrë në mbretërinë e ëndrrave.

I puthi lehtë dhe në veshin miniaturë, pëshpëriti disa fjalë, që veç fëmijës, edhe agu i dëgjoi.

“Nesër sërish bashkë, në vendin e fshehtë…”

“Edhe unë dua të vi”, deshi të thërriste agu, por dielli që tashmë ishte ngritur i plotë, e mori në krahët e tij dhe me një të puthur të ngrohtë, e bëri të harrojë gjithçka.

Burimi: Gazeta Mapo – https://gazetamapo.al/amelias-tregim%ef%b8%8f/