Fatmira Nikolli – Përshkruhet mjeshtërisht nga Anisa Markarian, si shumë tablo të romanit të saj, pasi ky roman është si një vijimësi tablosh të jetës shqiptare, si një lloj libri i madh me kapakë të rëndë, ku ne gjejmë jetën tonë. Është një dëshmi, ku ndryshe nga dëshmia dokumentare, ajo është letrare, një letërsi tashmë e lëvruar gjerësisht që nga Pasternaku, Solzhenicini etj., si dhe autorët e gjithë Lindjes europiane pas rënies së Murit të Berlinit, vazhduar me “Shakanë” e Kunderës, “Pallatin e ëndrrave” të Kadaresë dhe shumë e shumë të tjerëve. Luan Rama e nis me këto fjalë një kritike të tijën për romanin e Anisa Markarian “15 ditë prilli”. Vetë autorja në një intervistë për “Gazetare Shqiptare” tregon si nisi ta shkruajë, notat autobiografike dhe alegorinë e përdorur. Situatat e absurdit ku gjenden personazhet dhe njeriu i shtypur në diktaturë. Sa e vret një shkrimtar një regjim dhe sa e depersonalizon individin, sa e ndryshon një shoqëri dhe çfarë bën një njeri për të shmangur shtypjen.

– Anisa, si u ngjiz romani “15 ditë prilli”?
Romani e ka zanafillën në dy bërthama të hershme: një novelë e shkurtër dhe një skenar filmi. Në dorëshkrimin e librit tim të parë, “Sënduku i kujtimeve” (botuar në vitin 1999 nga MÇM Çabej), bënte pjesë edhe një novelë prej 30 faqesh me titull “Sipas këshillës së miqve”, ku rrëfeja historinë e një shkrimtari disident të tradhtuar nga shokët e tij më të ngushtë. Ngjarjet zhvilloheshin kryesisht në burgun e gërryer brenda malit të Urthit. Meqenëse “Sënduku i kujtimeve” u ndërtua si një përmbledhje tregimesh, novela në fjalë nuk u përfshi në të, por tema e pabesisë më mbeti në mendje e më ngacmonte për ta zhvilluar në një vepër më vete. Në vijim, rreth mesit të viteve 2000, pata shkruar një skenar filmi artistik të titulluar “Kosherja e heronjve”. Nëpërmjet fatit të një grupi të sëmurësh të mbyllur në një institucion shëndetësor që kishte për mision të prodhonte heronj, u bëhej jehonë ndryshimeve historike që ndodhnin jashtë Kosheres: përmbysja e diktaturës dhe fillimi i një periudhe të turbullt tranzicioni.

– Ngjarjet e romanit zhvillohen në 15 ditë. Kjo trysni kohore ju shërbeu për t’i dhënë më shumë dinamikë historisë?
Është e vërtetë që përmbledhja e ngjarjeve në një afat kohor të shkurtër i jep rrëfimit ritëm dhe forcë. Por, ideja kryesore ishte të tregoja që shpeshherë mjaftojnë vetëm pak ditë për të ndryshuar rrënjësisht kahun e historisë ose fatin e një kombi.

– Përse muaji prill?
Prilli shënon jo vetëm pikëtakimin e dy stinëve, por edhe një lloj “paqartësie” të vetë natyrës. Përkon me një periudhë kur as dimri s’ka dalë përfundimisht, as pranvera s’ka zënë vend mirë. Ka thyerje e befasi interesante. Në planin artistik, shtjellimin e ngjarjeve në muajin prill e kam shfrytëzuar si ndërlidhëse të së shkuarës me të ardhmen. Në mes qëndrojnë 15 ditët e së tashmes me pështjellimin, pasigurinë, çoroditjen dhe rebelimin që i karakterizon.

– Në roman nuk gjejmë asnjë përcaktim gjeografik që të kuptojmë se në ç’vend të globit zhvillohen ngjarjet e aq më pak ndonjë të dhënë kohore për të ditur se ç’periudhe i referoheni.
Zgjedhja për t’i vendosur ngjarjet në një hapësirë pa emër e pa datë nuk është aspak e rastësishme. Nënkupton gjithëkohshmërinë e gjithëndodhshmërinë e temës që trajton romani. Njëkohësisht edhe rrezikun që, nëse ulim vigjilencën dhe humbim guximin për të denoncuar e luftuar padrejtësitë, historia tragjike mund të përsëritet.

– Libri është aq i pasur në përshkrime, saqë lexuesit i krijohet përshtypja se po sheh një film.

Kjo është plotësisht e vërtetë dhe ju falënderoj që e vutë në dukje. Përpara se ta hidhja në letër, çdo skenë të romanit e kam “filmuar” me mendje për të ndierë atmosferën e përveçme që rrethonte ngjarjet. Atë të fundit të një diktature. Ja përse i kam kushtuar kaq shumë vëmendje përshkrimit të rrethanave dhe analizës së gjendjes psikologjike të personazheve përballë agonisë së regjimit totalitar.

– Një agoni që zgjat 15 ditë…
Po. Siç e keni lexuar, reagimet e personazheve në ato “15 ditë prilli” janë nga më të larmishmet. Herë të befasojnë, herë të çorientojnë. Herë të ngjallin admirim, herë të tjera të neverisin. Ndërkohë që pushtetarëve u shket toka nën këmbë, popullit i hapen perspektiva të reja, të shumëndërruara. Të parët përpiqen të përjetësojnë ofiqet që gëzojnë duke u kapur me dhëmbë e me thonj pas zheleve të të Përndriturit; të dytët organizojnë qëndresën dhe projektojnë të ardhmen e tyre.

– Megjithëse e saktësoni që “15 ditë prilli” nuk është një roman autobiografik, gjatë leximit na krijohet përshtypja se Ida Raez jeni ju vetë. Gjer në ç’masë janë të vërtetë personazhet që popullojnë librin tuaj?
Personazhet e librit m’i kanë frymëzuar persona realë që kam njohur në situata të caktuara, por e risaktësoj, “15 ditë prilli” nuk është roman autobiografik e akoma më pak roman historik apo rrëfim realist. Ida Raez mbart në vetvete një pjesë të rëndësishme të jetës sime studentore. Veçse, nuk jam mjaftuar me aq. Kam krijuar një figurë komplekse me kulme befasuese. Sa më shumë sfilitet fizikisht, aq më shumë lartësohet karakteri i saj i paepur. Nëse romani do të përshtatej një ditë kinematografikisht, roli që do të kisha dëshirë të interpretoja do të ishte ai i Idës. Çdo aktore do ta ëndërronte t’i besohej ai rol. Si autore e romanit, Ida Raez më është njëri nga dy personazhet më të dashur.

– Tjetri është Teo?
Po. Pacienti që pata takuar gjatë praktikës së ortopedisë. Për t’i shpëtuar shërbimit të detyrueshëm ushtarak, në moshën 18-vjeçare kishte injektuar vajguri në gjurin e vet. Me kalimin e viteve, i ishte formuar një lloj tumori dhe këmba i ishte gangrenizuar plotësisht, duke e bërë të pashmangshëm cungimin ortopedik. E nisur nga kjo e dhënë, Teon e përfytyrova si një personazh të akullt e oportunist; pothuajse cinik. Por përballë ngjarjeve madhore që jeton në planin personal dhe atë shoqëror, ndërgjegjësohet moralisht e bëhet më i ndjeshëm shpirtërisht. Monologu i Teos në shtrat me Bulëzën dhe roli nismëtar në grevën e të sëmurëve të Kosheres dëshmojnë për kthesën fisnike që merr personazhi i tij duke u bërë edhe më njerëzor.

– Romani “gumëzhin” nga një mori e pafund personazhesh dhe skenash ku ndërthuren tragjikja me komiken, grotesku me mbinatyralen, magjia me djallëzinë, dyfytyrësia me ndershmërinë e dalë mode, ndjenjat e pastra me perversitetin… Cirku i madh i jetës?
Mund ta quajmë edhe kështu. Një cirk ku artistët kërcejnë nën fshikullimat e kamxhikut dhe spektatorët duartrokasin me pahir, për të mos përfunduar nën thundrat e centaurëve. Për t’ia rrokur sa më mirë kuptimin alegorisë së përdorur, libri duhet lexuar në 3 plane. Plani i parë është romani i suksesshëm i Vlad Krelës, “Qiellin e ka ngrënë tenja”. Përfaqëson fazën e nënshtrimit dhe të mbylljes së banorëve brenda qytetit-bunker. Planin e dytë e përbëjnë ngjarjet e 15 ditëve që përkojnë me fazën e rebelimit dhe të shembjes së diktaturës. Plani i tretë është romani i ardhshëm i shkrimtarit, “Rrëfime nga Moskundi”, që përfaqëson fazën e denoncimit dhe të dënimit të tmerreve të ish-regjimit.

Si do ta cilësonit mënyrën tuaj të të shkruarit?
Mendoj se shkruaj një letërsi pamore, të rrymës së realizmit magjik.

-Cilët janë shkrimtarët që kanë ndikuar në farkëtimin e stilit tuaj?
Buzzati, Garcia Marquez, Kafka, Kadare, Rulfo, Allende… Filmat e disa regjisorëve si Fellini, Bergman, Spielberg, Audiard, Almodovar, Kusturica…, gjithashtu.

-Ç’mesazh dëshironi t’u përcillni lexuesve më të rinj në moshë nëpërmjet romanit tuaj?
Të rriten qytetarë vigjilentë e të vëmendshëm, sepse despotët lindin në çdo kohë. Kur u japim tepër pushtet, kur nuk u kërkojmë llogari, kur u lejojmë ta mbajnë kolltukun për periudha të gjata kohe, kur i brohorasim apo i votojmë symbyllur.

Burimi: GSH.AL