Sot u njoftua se planeti HD 82886b zyrtarisht ka marrë emrin Arbër.

Një prej emrave më të mirë shqiptarë, emri Arbër dhe origjina e tij nuk janë të panjohura dhe historikisht e kanë vlerën e pakontestuar.

Njohim Principatën e Arbërit, apo Arbërinë, që ishte shteti i parë shqiptar gjatë Mesjetës.

Arbëria shtrihej përtej rretheve të ditëve të sotme të Shqipërisë së mesme, me kryeqytet Krujën. Ishte një territor i vogël në shekujt e 11-të dhe 12-të, duke u shtrirë nga lumi Devoll në lumin Shkumbin. Arbëria nuk kishte dalje të drejtpërdrejtë në det.

Arbëria ishte përfituese e rrugës tregtare Via Egnatia, e cila solli pasuri dhe benefite nga qytetërimi më i zhvilluar bizantin.

Kujtojmë edhe Flamurin e Arbërit – revistën e botuar nga Jeronim De Rada. Fiàmuri Arbërit – La bandiera dell’Albania (Flamuri i Arbërit) ka qenë një e përmuajshme letrare e politike në arbërisht dhe italisht, botuar nga Jeronim de Rada, numri i parë i saj u botua më 20 korrik 1883.

U botua nga 20 korriku i 1883 deri më 15 nëntor 1887, gjithsej 31 numra, të botuar në fillim, nr. 1-12 të vitit të parë dhe 1-4 të vitit të dytë, në Corigliano Calabro. Më pas dilte në Kozencë, numrat 5-12 të vitit të dytë dhe 1-7 të vitit të tretë dhe, me gjithë censurën osmane e greke, lexohej gjerësisht edhe nga shqiptarët në Ballkan.

Zef Skiroi ka botuar më pas periodikun “Arbri i Ri”, rreth viteve 1887, ku janë botuar edhe të bëmat e Nik Petës dhe Pal Golemit.

Nuk duhet lënë pa përmendur, meqë jemi të Arbri dhe Arbëria e arbërit, edhe Kuvendin e Arbërit. Kuvendi Kishtar i Arbërit ishte një mbledhje e klerit katolik shqiptar, mbajtur më 14-15 janar 1703 në Kishën e Shën Gjon Kryepremit në fshatin Merqi të Lezhës, me përkrahjen e papës me prejardhje shqiptare Klementi XI.

Kuvendi i Arbërit shqyrtoi gjendjen shpirtërore dhe shoqërore të besimtarëve, duke synuar të vërë në jetë në Shqipëri porositë e Vatikanit për t’i bërë ballë islamizmit të vazhduar të popullsisë. Ndër vendimet e marra ishin edhe kërkesat për të hapur shkolla dhe për të botuar libra në gjuhën shqipe, të cilat u zbatuan gjatë shek. XVIII e XIX me disa botime fetare të bëra në dialektin e Shkodrës. Aktet e Kuvendit të Arbërit u shtypën si botim më vete në gjuhën shqipe që më 1706. Ato kanë vlerë në radhë të parë si dokument gjuhësor me rëndësi, shkruan KultPlus.

Materialet e punimeve të Kuvendit të Arbërit në gjuhën latine, u hartuan nga imzot Vinçenc Zmajeviçi dhe u botuan në Romë më 1706. / KultPlus.com