Nga MAKS VELO

Arkitektët i shitën profesionin politikanëve, që t’i nënshtrohen totalisht politikanëve…
Në kohën e komunizmit, kish një numër arkitektësh dhe urbanistësh që njerëzit e zakonshëm i njihnin, ata ishin personalitete. Sot po të pyesësh një qytetar të thjeshtë, nuk njohin emrin e asnjë arkitekti. Arkitektet fshihen pas anonimatit, pas ca emrave të koduar të studiove, kështu e ndjejnë veten rehat. Nuk kanë asnjë përgjegjësi, nuk duan asnjë lavdi, duan veç paranë.

Funksioni i kryearkitektit në qytetet e mëdha u eleminua, e ka marrë vetë kryebashkiaku. Të gjithë urdhërat, shpjegimet, atributet profesionale i japin politikanët dhe arkitektët dëgjojnë me gojën hapur dhe nuk flasin. Në fakt këtu duhet të ishin thirrur në rradhë të parë, politikanët, se ata vendosin për çdo gjë në arkitekturë. Ku janë? Konferenca duhet të ishtë share-politikanët-arkitëktë.
Janë eleminuar të gjitha hallkat profesionale, të cilat mund të siguronin një kontroll mbi territorin si edhe mbi urbanistikën dhe projektimin arkitektonik. I fundit ishte dekreti i 2008 i Sali Berishës që, eleminoi edhe institutin e urbanistikës. Ne kemi 100 shkallë të gjyqësorit por s’kemi asnjë shkallë për të mbrojtur territorin.

Shikoni Selitën dhe Dajtin, që ishin territoret më afër qytetit. Janë një kaos urban i paimagjinueshëm dhe kjo vetëm sepse u kopjuan ligjet europiane dhe konkretisht ligji i autonomisë vendore. Sipas saj, çdo kryevendor, kryeplak, kryekomunar, kryebashkiak, kryeministër, kanë të drejtë të vendosin për çdo gjë. Pra jo profesionisët, poltikanët.

Kryebashkiaku i një qyteti të jashtëzakonshëm si Korça, i ndërroi fytyrën qytetit, tani kemi një tjetër qytet. Ai mirë që nuk na bën operacionë në fytyrën tonë e të na thotëmë keni dhënë votën. Të gjithë këta thonë: Ne sjellim ndryshimin, kur ndryshimi mund të jetë edhe negativ dhe ndryshimin as nuk po ja kërkon njeri. Në Tiranë po ngrihen godina të larta njëra pas tjetrës, pa u mbaruar ato që kanë filluar. Si te Republika që ka 13 vjet. Nuk jepet asnjë e dhën teknike dhe ekonomike për ngritjen e tyre.
Pas 25 viteve demokraci, po kalojmë një krizë të rënde identiteti në: pushtimin e territorit me 340 mijë ndërtime pa leje me sistemin politik që gjeneron dhunël; me sistemin gjyqësor; me sistemin arsimor; me betonizimin e qyteteve dhe parqeve; me vetëshkatërrimin me 100 mijë objekte të ndërtuara dhe të prishura. Vetëshkatërrimi duke u quajtur dhe si Rijetëzim! Piramida, Stadiumi Qemal Stafa, Teatri Kombëtar, Bashkia e Re e Korçës duke eleminuar Pallatin e Kulturës dhe Bibliotekën! Kjo Bashki është mbi qytetin apo t’i shërbejë qytetit? Qyteti është për Bashkinë apo Bashkia është për qytetin?!
Shqiptarët duan me doemos një CV dhe një Diplomë. Diplomën si mjet mbrojtës, si koha komuniste e sforcuar. Kështu e bëre, të shpif, edhe sistemin arsimor. Çdo gjë bazohet mbi plagjiaturë; asnjëri nuk do ta akuzojë tjetrin, se është vetë si ai tjetri. Janë mbi 2000 liçensa në arkitekturë dhe të gjithë duan të qëndrojnë në Tiranë. Në qytetet e vogla nuk ka asnjë arkitekt. Këtë vit unë e quajta si 100 vjetorin e projektimit profesional 1920-2020. Bisedoj për Arkitektët e parë shqiptarë, sepse përpara atyre kanë projektuar Arkitektë austriakë, italianë, francezë etj.

Katër arkitektët e parë shqiptarë ishin Sotiri, Butka, Lufi dhe Luarasi. Këta janë themeluesit e shkollës shqiptare të projektimit por, rëndësi e tyre është e madhe sepse bashkë me intektualë të tjerë ishin të parët që ngritën shtetin intelektual, teknik shqiptar. Sepse nuk mjafton vetëm të bësh shtetin politik, duhet të bësh edhe shtetin ushtarak, duhet të bësh edhe shtetin juridik, duhet të bësh dhe shtetin teknik, që ishin inxhinierë dhe arkitektë. Por për objektet e tyre s’kemi vënë asnjë pllakë, me emrin e tyre, që janë themeluesit e kësaj shoqërie. Ky është shteti jonë.

Dështime në grafitin urban dhe në projektimin kemi këto 25 vjet. Këto institute pas 90 u prishën një e nga një. Tani ështe vetëm Arkivi Qëndror Teknik. Në atë kohë botohej Revista Ndërtuesi me 2600 kopje, kur në kolegjium ishte në fillim Sokrat Mosko, pastaj ishte Koço Mijo; dhe këta ishin atje për të bërë arkitekturë. Sot ne nuk kemi asnjë revistë për arkitekturë. Mjaft t’ju them që këtë vit nuk ka asnjë hartim. Mjafton tju them që për këtë libër s’kam marrë asnjë lek. Kush do dorëshkruajë dhe kush do diskutojë? E si mund të zhvillohet kjo arkitekturë, pa një diskutim?

Arkitektura formon fytyrën e botës. Ajo asnjëherë nuk ka përcaktuar ndarje, nuk ka krijuar territore. Ajo është fryma e gjithë njerëzimit. Kush e do këtë profesion, duhet të betohet para natyrës dhe jo para politikanit. Arkitekti duhet të betohet para një mali, para një pylli, para një lumi. Do jenë si ju, aq i pastër, aq harmonik, aq gurgullitës, aq i qetë. Do ju japë njerëzve hapësirë edhe dritë. Tani pasi i kanë mbaruar qytetet, i janë futur maleve e lumenjve.

Në datën 7 mars, në Parlamentin Evropian, diskutohet për lumenjtë e Ballkanit dhe veçanërisht të Shqipërisë. Së fundmi, duan të ndërtojnë 3 hidrocentrale ne lumin e Vlorës. NUK LANË GJË PA BËRË!!! Dhe e gjitha kjo në emër të modernitetit. Shoqata ka filluar të funksionojë, po mundohet të bëjë diçka, por është ë frikësuar, prandaj duhet mbështetja dhe ndihma juaj.

*Fjalë e mbajtur gjatë konferencës së Bashkisë Tiranë për trendet e reja në arkitekturë, share-architects.