Fatmira Nikolli –  Familjet e mëdha shqiptare dhe politikanët, në fotot e rralla të diplomatëve – Ekspozitë në COD e Arkivit Fotografik të Pietro e Larissa Quaroni – Shqipëri 1928-1931

Pietro Quaroni ishte krejt i ri kur si student në Moskë, nisi të interesohej për bolshevizmin rus.

Interesimi i tij për botën ruse u përforcua përgjithmonë nga takimi dhe martesa e mëvonshme me Larissën, vajzën e princit Aleksandër Cegodaff, një familje nga Nijni Novgorodi, rajonin jugor i Vollgës, që qe zhvendosur në Moskë ku Larissa u arsimua. Nëna e Larissa qe ndarë nga burri i saj i parë dhe rimartuar nga Moska. Por, e lindur në një familje aristokrate dhe të pasur, Larisa kishte studiuar gjuhë të huaja, veçanërisht anglisht dhe frëngjisht. Pietro dhe Larisa u martuan në vitin 1927, së pari në një kishë ortodokse, pastaj me rite katolike në kapelën e Ambasadës Franceze në Moskë.

Martesa u konfirmua pastaj në mënyrë civile në Romë në vitin 1928. Quaronët u transferuan në Shqipëri në vitin 1927, ku qëndruan deri në prill të vitit 1931, kohë kur Pietro u thirr për të dhënë kontribut në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai pati një periudhë rritjeje profesionale si diplomat e nën mbrojtjen e ish shefit të tij,  Pompeo Alois, u bë shef kabinetit të Musolinit në vitin 1932 dhe pati një rol në rritje në diplomacinë italiane.

FOTOT

Tiranë, vitet 1928. Një diplomat i ri dhe premtues mbërrin në Tiranë bashkë me gruan e tij ruse. Janë Pietro e Larissa Quaroni. Të lindur dhe të rritur në familje aristokrate ajo që gjejnë në Shqipëri është  krejt larg jetës që kanë bërë më herët. Tirana e 1928-s që rrekej të konsolidohej si shtet dy dekada pas mëvetësisë nuk ka asgjë të përbashkët me Romën e Moskën- qendra perandorish kua ata kanë jetuar.


kryeqyteti shqiptar është i zbehtë dhe në të s’ka gjë prej madhështive lindore as perëndimore. Është veçse një kryeqendër e re, që po kërkon rrugën e vet, mes orientit e oksidentit me një president që po bëhej mbret e që teksa përpiqej të tregonte shembullin austriak të shkollimit, hera-herës anonte nga autoritarizmi i lindjes, në këtë kërkim barazpeshe e gjejnë çifti Quaroni Tiranën. Njihen me parinë e vendit, kujtojmë se Italia e kohës është shumë e afërt me Shqipërinë. Marrin pjesë në darka e pritje dhe luajnë fije e politikave të kohës. Në mesin e gjithë angazhimeve të përditshme ata shkrepin rreth qindra fotografi: politikanë, bejlerë e familje të mëdha shqiptare. Nga data 14 maj deri më 29 qershor, Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), në bashkëpunim me ambasadën italiane dhe Institutin Italian të Kulturës prezantojnë një koleksion nga arkivi personal fotografik i Pietro dhe Larissa Quaroni-t.

Fotografitë janë bërë nga çifti Quaroni gjatë misionit të tyre diplomatik në Ambasadën e Italisë në Shqipëri në periudhën 1928–1931 dhe pjesa më e madhe e tyre ekspozohet për herë të parë për publikun. Në ekspozitë do të shfaqen përreth 85 fotografi të përmasave të ndryshme, të shoqëruara nga dy dokumentarë të së njëjtës periudhë dhe për herë të parë jepet mundësia të shihet në tërësinë e tij arkivi i pasur (mbi 750 fotografi) i digjitalizuar për këtë rast. Vizitorit i jepet mundësia të zbulojë ngjarjet, personat, jetën e përditshme, peizazhet dhe traditat shqiptare, të para e të jetuara nga çifti Quaroni në një kontekst historik dhe social, i cili paraqet shumë interes: pamje befasuese dhe autentike, një vështrim i mirëfilltë dhe jo fort i zakontë, në mënyrë të veçantë mbi figurat politike dhe personazhet që kanë dominuar skenën shqiptare përgjatë viteve ’20 dhe ’30.

Arkivi është ruajtur në Itali nga familja Quaroni dhe është sjellë në Shqipëri nga mbesa e Pietro dhe Larissa Quaroni-t, Cristina Quaroni, e cila nëntëdhjetë vjet pas gjyshërve të saj, vjen në Shqipëri si bashkëshortja e ambasadorit të Spanjës. Ekspozita është pa dyshim një mënyrë për të nderuar kujtimin e gjyshërve të saj, por në mënyrë të veçantë ka për qëllim të vërë në dispozicion të studiuesve shqiptarë dhe italianë një pasuri me vlerë historike.

QUARONI

Pietro Quaroni ka lindur në Romë në 1898. Familja e tij me origjinë fisnike të largët Piemontese, ishte vendosur në Anzino, një qytet në zonën e Domodossolas në mes të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Dy shekuj më pas, në shekullin e nëntëmbëdhjetë, Quaronët ishin një familje borgjeze. Në gjysmën e parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë ata u shpërngulën në Romë dhe gjyshi i Pietros, inxhinieri Pietro Maria, hyri në shërbim të qeverisë dhe u bë përgjegjës për ndërtimin e hekurudhës së parë të Vatikanit. Babai i Pietros, Giuseppe, kishte qenë gjithashtu një inxhinier-arkitekt. Ai u martua me Sofia Seizin në Romë, që vinte nga një familje piktorësh me prejardhje bavareze, pastaj zbritën në Romë. Babai i Sofies, anëtar i shkollës së pikturës së Nazzarenas, akademik i San Luçias, pikturonte kisha.

Pikturat dhe afresket e tij të tjera janë të dukshme në kishat e Romës, në veçanti në afresket e një prej kishëzave të ‘Santa Maria dell’Anima’, qendrës fetare të komunitetit katolik gjerman në kryeqytet. Ai ishte gjithashtu, për një kohë, drejtor i Muzeve të Vatikanit. Prandaj, Pietro Quaroni lindi dhe jetonte në një familje borgjeze ku kishte prirje artistike. Nëna e tij, Sofia, ishte pianiste shumë e mirë. Dy vëllezërit e Pietros, Giorgio dhe Ludovico ishin gjithashtu të orientuar nga arti: i pari u bë piktor, i dyti ishte një arkitekt i njohur dhe profesor i universitetit italian. Pietro, nga ana tjetër, nuk tregoi prirje artistike. Ai i orientoi interesat e tij drejt historisë, filozofisë dhe gjuhëve. Qëkur ishte djalë i ri, ai e dallonte për një dhuratë të veçantë intelektuale, një kujtesë e fortë dhe aftësi për të mësuar.

Burimi: GSH.Al